Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse më krahasojnë gjithmonë me të tjerët?

Pse më krahasojnë gjithmonë me të tjerët?

Të rinjtë pyesin . . .

Pse më krahasojnë gjithmonë me të tjerët?

«Më ngrihen nervat kur prindërit ose mësuesit më krahasojnë me të tjerët.»​—Mia. *

«Krahasimet më bëjnë të ndihem e paaftë, sepse edhe vetë do të doja të isha si personi me të cilin më krahasojnë.»​—Eprila.

NË SHKOLLË mësuesja të qorton, ngaqë nuk je aq i zoti në matematikë sa një shok i klasës. Në shtëpi prindërit të qortojnë se nuk je aq i rregullt sa motra. Dikush të thotë: «Sa e bukur ishte nëna jote kur ishte sa ty!» Ja një koment therës dhe menjëherë mendja të shkon se tjetri mendon që je e shëmtuar. Të vjen të bërtasësh: «Po mirë, nuk merren dot vetëm me mua? Pse më krahasojnë gjithmonë me dikë tjetër?»

Përse krahasimet të lëndojnë kaq shumë? A kanë ndonjë të mirë ato? Si t’ia bësh kur të krahasojnë me të tjerët?

Përse krahasimet të lëndojnë?

Një arsye përse krahasimet të lëndojnë është se ndonjëherë të prekin aty ku të dhemb. Atë që njerëzit ta thonë hapur, ndoshta ti ia thua shpesh vetes. Për shembull, Beki pranon: «Kur shihja fëmijët më të preferuar të shkollës, mendoja: ‘Sikur të isha si ata, të tjerët do të më pëlqenin më shumë.’»

Nga se vijnë këto ndjenja pasigurie? Po ja, të shqyrtojmë se çfarë po të ndodh ty nga ana fizike, emocionale dhe mendore. Ndoshta trupi yt po ndryshon me të shpejtë. Marrëdhënia jote me prindërit po bëhet e vështirë. Qëndrimi yt ndaj individëve të gjinisë tjetër mbase ka ndryshuar si nata me ditën. Kështu ndoshta pyet veten: ‘A është normale kjo?’

Mbase mendon se e vetmja mënyrë për ta zbuluar këtë gjë është duke e krahasuar veten me të rinj të tjerë, të cilëve po u ndodhin të njëjtat ndryshime. Dhe ja ku re në grackë! Nëse ata të japin përshtypjen se janë më të zotë se ti, ndihesh i pasigurt. Pastaj, kur disa të rritur të pyesin: ‘Pse nuk i ngjan pak filanit?’, të duket sikur është e vërtetë ajo së cilës i trembesh më shumë—pra, që nuk je normal.

Eprila tregon një arsye tjetër se përse krahasimet të lëndojnë. Ajo thotë: «Kur njerëzit të krahasojnë me dikë tjetër, sidomos me dikë të afërt, kjo mund të sjellë ndjenja xhelozie dhe inati.» Mia e ka provuar vetë këtë gjë. Ajo mendon se prindërit dhe mësuesit e krahasojnë vazhdimisht me motrën e madhe. Mia thotë: «Ata më tregojnë për arritjet e saj kur ishte në moshën time.» Si ndihet Mia? «Kjo më bën të ndihem sikur po bëj garë me time motër. Madje nganjëherë e marr inat.»

Krahasimet mund të prodhojnë vërtet fryte të hidhura. Ja se çfarë ndodhi me miqtë më të ngushtë të Jezuit. Mbrëmjen e fundit para se Jezui të vdiste, mes apostujve u hap «një debat i zjarrtë». Pse? Ata po krahasoheshin me njëri-tjetrin dhe po debatonin se «kush nga ata dukej se ishte më i madhi». (Luka 22:24). S’ka dyshim që disa krahasime mund të jenë të dëmshme. Por, a janë të dëmshme të gjitha krahasimet?

Ana e mirë e krahasimeve

Mendo për Danielin kur ishte i ri dhe për tre shokët e tij hebrenj, për të cilët flitet në Bibël. Këta të rinj nuk donin të hanin ushqimet e zgjedhura të mbretit të Babilonisë, që ishin të ndaluara nga ligji i Perëndisë. (Levitiku 11:4-8) Për të bindur rojtarin që t’i ndihmonte, Danieli propozoi të bënin një provë. Ai sugjeroi që pasi të kishin ngrënë për dhjetë ditë ushqime të pranueshme sipas Ligjit të Perëndisë, rojtari t’i krahasonte të rinjtë hebrenj me të rinjtë e tjerë të oborrit mbretëror. Cili ishte rezultati?

Bibla shpjegon: «Në fund të dhjetë ditëve, fytyrat [e hebrenjve] dukeshin më mirë dhe ishin më të mbushura se ato të gjithë djelmoshave që hanin ushqimet e zgjedhura të mbretit.» (Danieli 1:6-16) Mbaj parasysh se kjo provë nuk përfundoi mirë ngaqë Danieli dhe shokët e tij ishin vetvetiu më të mirë se të rinjtë e tjerë. Por, në radhë të parë gjërat rrodhën ashtu ngaqë të rinjtë hebrenj vendosën t’u bindeshin ligjeve që Perëndia i kishte dhënë popullit të tij.

A je edhe ti në një situatë të ngjashme me këta të rinj hebrenj? Nëse jeton sipas kodit moral të Biblës, do të dallohet që ndryshon nga të tjerët. Disa njerëzve, që e vënë re ndryshimin, mund t’u vijë çudi dhe mund ‘të të shajnë’. (1 Pjetrit 4:3, 4) Megjithatë, të tjerë do t’i shohin dobitë e sjelljes sate të shkëlqyer e madje mund të nxiten të mësojnë për Jehovain. (1 Pjetrit 2:12) Në këto raste, krahasimi me të tjerët mund të jetë i mirë.

Krahasimet mund të jenë të dobishme edhe në një drejtim tjetër. Për shembull, ti mund të mendosh se po bën aq sa të takon në punët e shtëpisë, të paktën kur e krahason veten me vëllanë ose motrën. Por, prindërit mbase mendojnë ndryshe. Për të të ndihmuar që t’i shohësh gjërat siç duhet, ata mund të të japin një shembull nga Bibla dhe të të thonë që të krahasosh qëndrimin dhe veprimet e tua me ato të një personazhi biblik.

Për shembull, mund të të kujtojnë se megjithëse Jezuin e quanin Zotëri dhe Mësues, ai me gatishmëri u lau këmbët dishepujve. (Gjoni 13:12-15) Pastaj mund të të nxitin që të imitosh përulësinë e Jezuit dhe të jesh punëtor si ai. Ç’është e vërteta, Bibla i nxit të gjithë të krishterët, qofshin të rinj a të moshuar, ta krahasojnë vazhdimisht veten me Krishtin dhe të përpiqen ‘të ndjekin me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjetrit 2:21) Ky lloj krahasimi na ndihmon të qëndrojmë të përulur dhe të zhvillojmë një personalitet që i pëlqen më shumë Jehovait.

Si t’ia bësh kur krahasimet të mërzitin?

Është e vërtetë që mund të jetë acaruese dhe shkurajuese kur të thonë se motra, vëllai ose një bashkëmoshatari yt është më i mirë se ty. Si t’ia bësh në këto raste? Mbreti i mençur Solomon tha: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut.» (Proverbat 19:11) Si të ndihmon gjykimi i thellë? Ndoshta nuk je dakord, por ka shumë të ngjarë që ai që bën krahasimin, siç mund të jetë prindi ose mësuesi, e bën sepse të do të mirën. Keti thotë: «Kur dikush më krahason me të tjerët, e pyes veten: ‘Për çfarë po përpiqet të më ndihmojë?’» Keti ka parë se kur përpiqet të shohë anën e mirë të krahasimit, nuk para lëndohet e nuk mërzitet kollaj.

Po në qoftë se mendon se gjithmonë bëhesh shënjestër për krahasime? Ta zëmë se prindërit gjithmonë të thonë se duhet të marrësh shembull nga motra ose vëllai yt. Ndoshta mund të flasësh me prindërit dhe me respekt t’u tregosh se si ndihesh kur të krahasojnë me të tjerët. Ndoshta atyre as u ka shkuar në mend se këto krahasime ndikojnë për keq te ty.

Megjithatë, mos harro se ka «një kohë për të folur», por edhe «një kohë për të heshtur». (Eklisiastiu 3:7) Në vend që të flasësh kur je me nerva, prit sa të qetësohesh dhe pastaj fol me prindërit ose me personin që bëri krahasimin. Po të sqarohesh me qetësi, fjalët e tua do të jenë shumë më tepër bindëse.—Proverbat 16:23.

Shpesh një krahasim mund të të lëndojë më pak nëse mban parasysh të mirat që ke. Apostulli Pavël i tha Timoteut: «Askush të mos e përçmojë rininë tënde.» (1 Timoteut 4:12) Timoteu ishte i ri kur u caktua të shërbente si mbikëqyrës i krishterë. Kështu disa mund ta kenë krahasuar me burra të tjerë më të rritur dhe me më shumë përvojë. Por krahasime të tilla ishin pa baza. Ndonëse ishte i ri, Timoteu kishte fituar shumë përvojë kur udhëtonte me Pavlin. Timoteu dinte ta përdorte mirë Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu, kujdesej sinqerisht për vëllezërit dhe motrat e tij në besim.—1 Korintasve 4:17; Filipianëve 2:19, 20.

Prandaj, kur dikush të bëjë një krahasim që nuk të pëlqen, pyet veten: ‘A ka një bazë?’ Nëse në të ka diçka të vërtetë, përpiqu të nxjerrësh mësim. Megjithatë, nëse krahasimi është i përgjithshëm, si për shembull: «Pse nuk i ngjan pak tët vëllai?», mos i jep më tepër rëndësi se ç’duhet. Bëj çmos që të shohësh anën e mirë të krahasimit.

Perëndia Jehova nuk e mat vlerën tënde duke të të krahasuar me një njeri tjetër të papërsosur. (Galatasve 6:4) Ai shikon përtej asaj që duket dhe kupton çfarë zemre ke. (1 Samuelit 16:7) Po, Jehovai nuk sheh vetëm se si je, por edhe si dëshiron të jesh dhe sa po përpiqesh për ta arritur. (Hebrenjve 4:12, 13) Ai nuk pret që ti të mos bësh asnjë gabim dhe kërkon cilësitë e mira që ke. (Psalmi 130:3, 4) Mjafton t’i mbash parasysh këto gjëra dhe mund ta kesh më të lehtë kur të krahasojnë me të tjerët.

[Shënimi]

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Cilat krahasime të acarojnë?

▪ Çfarë do të bësh nëse prindërit të krahasojnë vazhdimisht me të tjerët?

[Diçitura në faqen 12]

«Do të doja që kur një njeri të më jepte një këshillë, të mos përmendte emrin e dikujt tjetër e të thoshte se ‘duhet t’i ngjash më shumë atij’, por më mirë, në fillim të më tregonte cilësitë e mira që kam dhe pastaj me dashuri të më ndihmonte të shihja dobësitë e mia.»​—Natalia

[Figura në faqen 13]

Me respekt, mund të tregosh se si ndihesh kur të krahasojnë me të tjerët