Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë shprese ka për të varfrit?

Çfarë shprese ka për të varfrit?

Çfarë shprese ka për të varfrit?

NUK ka asgjë të keqe që, për të siguruar jetesën, njerëzve t’u duhet të punojnë pa u lodhur, mjafton që kush punon të shpërblehet siç duhet për mundin e tij. Vëreni fjalët e një shkrimtari të Biblës: «Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë . . . se të gëzojnë . . . dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.»​—Eklisiastiu 3:12, 13.

Por siç e kemi parë, sistemi ekonomik i botës kërkon që njeriu të mundohet shumë, por shpesh nuk u jep punëtorëve shpërblimin e duhur. Shumë veta mbeten të varfër dhe dita ditës bëjnë luftë për mbijetesë. Rrallë ndodh «të gëzojnë» dhe ‘të shohin të mira’, për shkak të jetës që bëjnë. Pasuria e botës ka arritur nivele të larta, por ndoshta gjysma e popullsisë lihet në harresë kur vjen puna që njerëzit të përfitojnë nga gjithë ky bollëk.

Perëndia interesohet për të varfrit

Krijuesi i njerëzimit, Perëndia Jehova, nuk kënaqet me këtë gjendje. Jehovait i dhimbsen të varfrit. Në Bibël lexojmë: «[Perëndia] nuk i harron kurrsesi klithmat e [të munduarve].» (Psalmi 9:12) Jehovai është një Perëndi që kujdeset për të varfrit.

Bibla thotë për Jehovain: «I gjori dhe jetimi e lënë veten në dorën tënde. Ti je ai që i ndihmon.» (Psalmi 10:14) Vini re se ky varg biblik flet për individë që janë në hall. * Po, Perëndia sheh secilin prej tyre dhe kujdeset për nevojat e gjithsecilit. Për të çdo njeri është i çmuar dhe meriton t’i kushtohet vëmendje. Jehovai fton njerëzit e të gjitha shtresave ekonomike të mësojnë nga ai dhe të gëzojnë miqësinë e tij.

Një ndër gjërat që njerëzit mësojnë nga Perëndia është që të tregojnë dhembshuri për të tjerët dhe të kuptojnë vuajtjet e tyre. Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë njëri-tjetrin si pjesëtarë të një familjeje të madhe të besimit. Ata e çmojnë njëri-tjetrin si individë dhe midis tyre lulëzon dashuria e vërtetë e krishterë. Një herë Zotëria Jezu Krisht u tha dishepujve të vet: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mateu 23:8) Prandaj, të gjithë ata që përfshihen në adhurimin e vërtetë, bëhen pjesë e një vëllazërie ku njerëzit nuk diskriminohen në bazë të pasurisë. Ata i bëhen krah dhe i japin zemër njëri-tjetrit në kohë të vështira.

Bibla ka parime që i lehtësojnë pasojat e varfërisë. Shkrimet tregojnë se Perëndia e dënon abuzimin me alkoolin dhe ndotjen e trupit, siç ndodh kur përdoret duhani. (Proverbat 20:1; 2 Korintasve 7:1) Ai që jeton sipas këtyre parimeve, kursen para që përndryshe do të shpërdoroheshin për vese të dëmshme. Ky njeri është i mbrojtur nga sëmundjet që shkakton duhani dhe teprimi me alkoolin, e si rrjedhojë nuk i duhet të shpenzojë për t’u kuruar. Gjithashtu, Bibla i mëson njerëzit të mos ushqejnë lakmi dhe një pikëpamje materialiste. (Marku 4:19; Efesianëve 5:3) Duke zbatuar Fjalën e Perëndisë në këto çështje, një njeri as nuk i çon dëm paratë në bixhoz.

Parimet që jep Bibla për jetën e përditshme janë praktike edhe kur njerëzit janë në varfëri të thellë. Ja një përvojë.

Në një vend me papunësi të lartë, një punëtore në një fabrikë rrezikoi të humbte punën, ngaqë kërkoi të punonte me orar të shkurtuar për të ndjekur mbledhjet e krishtere. Pronari mund ta kishte pushuar fare kollaj. Por, e befasoi atë dhe punëtorët e tjerë duke ia plotësuar kërkesën. Për më tepër, i tha se dëshironte që ajo të vazhdonte punën në fabrikën e tij dhe e lavdëroi si «një punëtore shembullore». Pse?

Ajo punëtore, një Dëshmitare e Jehovait, jetonte sipas parimeve biblike. Duke dashur ‘të sillej me ndershmëri në çdo gjë’, nuk gënjente dhe as nuk vidhte, prandaj njihej si njeri i ndershëm. (Hebrenjve 13:18) Duke iu bindur parimit të frymëzuar që gjejmë te Kolosianëve 3:22, 23, ajo e bënte punën «me gjithë shpirt». Kjo do të thotë se i bindej punëdhënësit dhe punonte pa u lodhur për çdo ditë që paguhej.

Sigurisht, jetojmë në një sistem ekonomik ku mbizotëron egoizmi dhe mbi gjithçka vjen përfitimi. Disave që i respektojnë thellësisht parimet biblike, ende u duhet të rropaten për bukën e gojës, veshjen dhe strehimin. Por ata kanë një ndërgjegje të pastër para Krijuesit dhe falë Jehovait, ‘Perëndisë që jep shpresë’, shohin me besim drejt një të ardhmeje më të mirë.​—Romakëve 15:13.

Si do të zhduket varfëria

Bibla zbulon ndjenjat që ka Jehovai kundër atyre që nxitin shtypjen e padrejtë të të varfërve. Në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë thuhet: «Mjerë ata që nxjerrin rregulla të dëmshme dhe ata që, duke shkruar vazhdimisht, kanë hartuar veç ligësi, për të mënjanuar të përvuajturit në gjyq dhe për t’u mohuar drejtësinë të munduarve . . . për t’i bërë vejushat prenë e tyre dhe për të plaçkitur edhe jetimët!» (Isaia 10:1, 2) Qoftë nëse i lënë pas dore me dashje të varfrit, qoftë nëse e bëjnë këtë nga padija, ata që kanë në dorë ekonominë e shoqërisë njerëzore sot janë pjesë e një sistemi shtypës, të cilin Perëndia i Plotfuqishëm do ta zëvendësojë me një tjetër.

Profeti Isaia u bën këtyre shtypësve një pyetje serioze: «Ç’do të bëni ditën kur vëmendja të drejtohet nga ju dhe të vijë rrënimi nga larg?» (Isaia 10:3) Jehovai do t’i heqë ata, duke shkatërruar sistemin e padrejtë që përkrahin.

Por qëllimi i Perëndisë nuk përfshin vetëm të veprojë kundër shtypësve. Ai do t’u japë njerëzve me zemër të drejtë një jetë që nuk do të ketë padrejtësi. Me anë të një qeverie të një forme më të lartë, ai do të bëjë të mundur që të gjithë njerëzit të kenë një jetë të kënaqshme, të lumtur dhe pa varfëri. Për të pasur begati në atë kohë, nuk do të keni nevojë për një trashëgimi të majme, për ortakë me influencë ose për zotësi në biznes. Si mund të jemi të sigurt se ndryshime të tilla do të ndodhin?

Kur foli për atë të ardhme të mrekullueshme, Jezu Krishti, ai që Jehovai ka caktuar për të sunduar njerëzimin, e quajti ‘përtëritja e krijimit’. (Mateu 19:28) Kjo përcjell idenë e një përtëritjeje ose një fillimi të ri të jetës njerëzore. Duke përdorur termin ‘përtëritja e krijimit’, Jezui theksoi se Jehovai do t’u japë njerëzve të drejtë një mundësi për ta jetuar jetën siç dëshiron Krijuesi ynë i dashur. Ndër dobitë e shumta që ai do t’i sjellë njerëzimit në atë kohë është se do të heqë një herë e mirë barrën ekonomike që rëndon mbi kaq shumë njerëz sot.

Në mënyrë profetike Bibla thotë për sundimin e Jezu Krishtit: «Ai do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë, si dhe të munduarin e këdo që nuk ka kush e ndihmon. Atij do t’i dhimbset i përvuajturi dhe i varfri, dhe do ta shpëtojë shpirtin e të varfërve. Nga shtypja dhe dhuna, do t’ua shpengojë shpirtin, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar në sytë e tij.»​—Psalmi 72:12-14.

Kjo e ardhme e bukur vihet edhe përpara jush. Por, që të plotësoni kërkesat e Perëndisë për të jetuar në atë botë të re, është jetësore që në fillim të mësoni dhe pastaj të bëni vullnetin e Perëndisë së vërtetë. Merrni vendime të mençura të bazuara në njohurinë e Fjalës së Perëndisë. Jetoni duke parë drejt së ardhmes së mrekullueshme që Perëndia i ka vënë përpara gjithë njerëzimit. Nuk do të zhgënjeheni. Fjala e Perëndisë premton: «I varfri nuk do të harrohet përgjithnjë, as shpresa e zemërbutëve s’do të vdesë kurrë.»​—Psalmi 9:18.

[Shënimi]

^ par. 6 Dy vargje të tjera biblike që nxjerrin në pah merakun e Perëndisë për njerëzit që vuajnë janë Psalmi 35:10 dhe Psalmi 113:7.

[Diçitura në faqen 9]

Një e ardhme e bukur është para jush

[Kutia dhe figura në faqen 10]

A duhet të shkoj në një vend më të pasur?

Fjala e Perëndisë nuk u tregon njerëzve ku duhet të jetojnë e të punojnë. Megjithatë, parimet biblike mund ta ndihmojnë njeriun të vendosë nëse është mirë të shkojë në një vend tjetër për arsye ekonomike. Vini re pyetjet e mëposhtme dhe parimet që gjejmë në Shkrime.

1. A po nxitem vetëm nga fjalët që kam dëgjuar, por që janë të pabazuara? Te Proverbat 14:15 thuhet: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.» Kur shkoi në një vend të pasur, një burrë nga Evropa Lindore tha: «Kisha dëgjuar se paratë këtu rriten si gjethet nëpër pemë. Ende nuk i kam gjetur ato pemë.»

2. A kam një pikëpamje të ekuilibruar për nevojat e familjes sime? A po i ngatërroj nevojat me dëshirat? Kreu i familjes ka detyrimin të sigurojë nevojat materiale të gruas e të fëmijëve. (1 Timoteut 5:8) Por baballarët kanë para Perëndisë edhe përgjegjësinë për t’i edukuar fëmijët në aspektin moral dhe fetar. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Efesianëve 6:4) Një baba mund të sigurojë më shumë në aspektin material nëse shkon në një vend tjetër. Por nuk mund t’ua plotësojë fëmijëve nevojën për t’i edukuar nga ana morale dhe fetare nëse nuk i sheh për javë, muaj ose vite të tëra.

3. A jam i vetëdijshëm se një kohë e gjatë larg gruas na vë të dyve përpara rrezikut të kurorëshkeljes? Fjala e Perëndisë i paralajmëron çiftet e martuara të marrin parasysh nevojat seksuale të njëri-tjetrit.​—1 Korintasve 7:5.

4. A e kuptoj se po të hyj në mënyrë të kundërligjshme në një vend, kjo mund të më sjellë pasoja serioze nga autoritetet? Të krishterët e vërtetë janë të detyruar t’u binden ligjeve të vendit.​—Romakëve 13:1-7.

[Figurat në faqet 8, 9]

Parimet biblike janë praktike qofshim të pasur a të varfër

[Burimi i figurës në faqen 7]

Sipër: © Trygve Bolstad/​Panos Pictures