Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është «i shkruar» fati?

A është «i shkruar» fati?

Pikëpamja e Biblës

A është «i shkruar» fati?

Një mëngjes dy burra po shkonin në punë me makinë. Vendosën që t’i binin shkurt dhe t’i dilnin nga rruga ku jetonte më parë njëri prej tyre. Rrugës panë të dilte zjarr nga dritaret e një shtëpie. Ndaluan makinën dhe me një shkallë që kishin me vete shpëtuan një nënë dhe pesë fëmijët e saj. «Ndoshta ishte fat»,—thuhej në një gazetë rreth kësaj ngjarjeje.

SHUMË njerëz mendojnë se çfarëdo që u ndodh në jetë, qoftë e mirë, qoftë e keqe, «është shkruar» nga një forcë e mbinatyrshme. Për shembull, në shekullin e 16-të, reformatori Xhon Kalvin shkroi: «E përkufizojmë paracaktimin e fatit si qëllimin e përhershëm të Perëndisë, nëpërmjet të cilit ka vendosur atë që ka dashur të bëjë me çdo njeri. Në fakt, ai nuk i ka krijuar të gjithë në të njëjtat kushte, por i ka paracaktuar disa për jetë të përhershme dhe të tjerë për dënim të përhershëm.»

A e vendos Perëndia që më përpara se çfarë do të bëjmë ne dhe si do të jetë e ardhmja jonë? Çfarë thotë Bibla për këtë?

«Logjika» e paracaktimit të fatit

Disa që besojnë se fati është «i shkruar» ose i paracaktuar, në thelb arsyetojnë kështu: Perëndia di gjithçka, madje edhe se ç’do të ndodhë në të ardhmen. Ai e di se si do ta jetojë jetën çdo njeri dhe tashmë e di me saktësi se kur do të vdesë e si do të vdesë çdo njeri. Pra, sipas pikëpamjes së tyre, kur dikush merr një vendim, ky njeri vendos siç ka parashikuar dhe siç e «ka shkruar» Perëndia; përndryshe Perëndia nuk do të ishte i gjithëdijshëm. A ju duket logjik një arsyetim i tillë? Shqyrtoni se si do të rridhnin gjërat po të ishte kështu.

Nëse një forcë e mbinatyrshme e ka vendosur tashmë të ardhmen tuaj, atëherë është e kotë që të përpiqeni të kujdeseni për veten. Zgjedhja juaj nëse do të pini apo jo duhan, nuk do të ndikonte fare në shëndetin tuaj ose të fëmijëve tuaj. Vënia e rripit të sigurimit nuk do të ndikonte fare në sigurinë tuaj kur i jepni makinës. Por ky arsyetim është i gabuar. Statistikat tregojnë se njerëzit që marrin masa sigurie kanë më rrallë pasoja tragjike. Shkujdesja mund të çojë në një fund tragjik.

Le të ndjekim një linjë tjetër arsyetimi. Në rast se Perëndia vendos të dijë gjithçka që më parë, atëherë ai do ta kishte ditur se Adami dhe Eva nuk do t’i bindeshin, që para se t’i krijonte. Por, kur Perëndia i tha Adamit se nuk duhej të hante nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes», përndryshe do të vdiste, a e dinte tashmë se Adami do të hante nga ajo pemë? (Zanafilla 2:16, 17) Gjithashtu, ai i tha çiftit të parë: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.» A e dinte Perëndia se kjo perspektivë e mrekullueshme që ata të jetonin në parajsë ishte «e shkruar» që të dështonte? Sigurisht që jo.​—Zanafilla 1:28.

Ideja që Perëndia i di që më përpara të gjitha vendimet që merren, do të na çonte në përfundimin se ai është përgjegjës për gjithçka që ndodh, duke përfshirë luftërat, padrejtësitë dhe vuajtjet. A ka mundësi të jetë kështu? Kjo pyetje merr përgjigje të qartë në fjalët që Perëndia thotë për veten.

«Zgjidhni»

Shkrimet thonë se «Perëndia është dashuri» dhe se «e do drejtësinë». Ai gjithnjë i ka bërë thirrje popullit të tij: «Urreni të keqen, doni të mirën.» (1 Gjonit 4:8; Psalmi 37:28; Amosi 5:15) Ai i nxiti shumë herë shërbëtorët e tij besnikë të zgjidhnin një jetë të virtytshme. Për shembull, kur Jehovai bëri një besëlidhje me kombin e lashtë të Izraelit, u tha nëpërmjet Moisiut: «Unë marr sot si dëshmitarë kundër jush qiellin dhe tokën, se ju kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin. Zgjidhni jetën, që të rroni ju dhe pasardhësit tuaj.» (Ligji i përtërirë 30:19) A e kishte vendosur Perëndia që më përpara se çfarë do të zgjidhnin këta njerëz? Me sa duket, jo.

Josiu, një udhëheqës i popullit të Perëndisë në kohët e lashta, i nxiti bashkëkombësit e tij: «Zgjidhni sot kujt do t’i shërbeni. . . . Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» (Josiu 24:15) Edhe profeti i Perëndisë, Jeremia, tha: «Të lutem, bindju zërit të Jehovait për atë që po të them, dhe do të të shkojë mbarë e shpirti yt do të jetojë.» (Jeremia 38:20) A do t’i nxiste njerëzit një Perëndi i paanshëm dhe i dashur të bënin atë që është e drejtë me shpresën që të merrnin një shpërblim, nëse do ta dinte se ishte «e shkruar» që ata të dështonin? Jo. Një nxitje e tillë do të ishte hipokrizi.

Pra, kur në jetën tuaj ndodh diçka e mirë a e keqe, kjo nuk vjen ngaqë është «shkruar» ashtu. Shpesh ‘ngjarjet e paparashikuara’ janë thjesht pasoja të vendimeve të njerëzve të tjerë, qofshin këto vendime të mençura a të gabuara. (Eklisiastiu 9:11) Jo, e ardhmja juaj nuk është «e shkruar», dhe janë vendimet tuaja ato që do të përcaktojnë si do të jetë e ardhmja juaj e përhershme.

SI MENDONI?

▪ A e kishte vendosur Perëndia që më përpara se Adami dhe Eva do të mëkatonin?​—Zanafilla 1:28; 2:16, 17.

▪ Cilat cilësi të Perëndisë e përjashtojnë mundësinë e paracaktimit të fatit?​—Psalmi 37:28; 1 Gjonit 4:8.

▪ Çfarë përgjegjësie keni?​—Josiu 24:15.

[Diçitura në faqen 13]

Statistikat tregojnë se njerëzit që marrin masa sigurie kanë më rrallë pasoja tragjike