Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një «mjellmë e zezë» në rrugët ujore të Venecies

Një «mjellmë e zezë» në rrugët ujore të Venecies

Një «mjellmë e zezë» në rrugët ujore të Venecies

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

E RRETHUAR nga muret e lagështa, urat e gurta me harqe, dritaret gjithë zbukurime dhe ballkonet plot lule, ajo rrëshqet në rrugën plot ujë. Është e zezë, elegante dhe e heshtur. Nga larg duket si një mjellmë e zezë. Ndonëse trupi i saj është prej druri, kurse qafa prej metali, pra aspak e butë ose me pupla, ajo lëviz në kanalet e Venecies, në Itali, po me aq hijeshi sa ai shpend fisnik. Po flasim për gondolën, që sipas disave, është varka më e famshme në botë. Cila është origjina e saj? Përse është kaq e famshme? Si ndryshon nga varkat e tjera?

Origjina

Nuk është e lehtë të përcaktosh me saktësi se kur dolën për herë të parë gondolat, ndonëse disa mendojnë se kjo ndodhi në shekullin e 11-të të e.s. Për herë të parë shfaqet e vizatuar në veprat që datojnë aty nga fundi i shekullit të 15-të. Megjithatë, në shekullin e 17-të dhe të 18-të ajo mori pamjen karakteristike që e bëri kaq të famshme dhe të ndryshme nga të gjitha varkat e tjera. Tashmë gondola kishte një bazament të sheshtë, por në atë periudhë nisi të krijohej forma e saj e veçantë e stërgjatë dhe bashi i saj i hekurt.

Po kështu, është e vështirë të gjesh origjinën e fjalës gondola. Disa thonë se ajo vjen nga latinishtja kuembula, që ishte fjala që përdorej për një varkë të vogël, ose nga fjala konkula që do të thotë një konka e vogël ose «guaskë» e vogël.

Karakteristikë e Venecies

Ajo për të cilën mund të jemi të sigurt është lidhja e ngushtë midis kësaj varke dhe Venecies. Gondola ndoshta është simboli më i rëndësishëm i qytetit. Mendoni për gjithë ato fotografi të Venecies ku spikat gondola.

Këtë varkë e lidh ngushtë me qytetin edhe diçka tjetër. Robertoja, një gondolier që i shëtit turistët në rrugët ujore të qytetit, thotë se të lundrosh me gondola «është një mënyrë krejt e ndryshme për të zbuluar Venecien. Nuk sheh vetëm pamjet e zakonshme, por zbulon natyrën e vërtetë të Venecies». Shkrimtari i famshëm gjerman, Johan Volfgang fon Gëte tha se kur ishte mbi këtë varkë, iu duk vetja «Zot i detit Adriatik, siç i ndodh çdo veneciani sapo ulet për t’u çlodhur në gondolën e tij». Robertoja thotë: «Lëvizja e ngadaltë e gondolës harmonizohet për mrekulli me atmosferën e Venecies. I rehatuar mes jastëkëve të butë të duket sikur më në fund, ke kohë sa të të dojë zemra.»

Të veçantat e gondolës

Kur vëzhgon një gondolë, mbase çuditesh që ajo lëviz në vijë të drejtë, duke mbajtur parasysh se ka vetëm një lopatë të fiksuar në një mbajtëse në të djathtë të varkës. Sipas logjikës, nëse drejtimin e varkës nuk do ta ndreqje vazhdimisht, ajo do të devijonte nga njëra anë dhe do të lundronte në formë rrethi, por ja që nuk ndodh kështu. Si ka mundësi? Xhilberto Penzoja, specialist për varkat e vjetra, shkruan: «Nëse përdorim metaforën që krahason strukturën e varkës me bustin e trupit të njeriut, ku kalluma është në vend të shtyllës kurrizore dhe skeleti në vend të brinjëve, atëherë mund të themi se gondola vuan nga një skoliozë e rëndë.» Me fjalë të tjera, trupi i varkës nuk është simetrik, pasi ana e djathtë është 24 centimetra më e ngushtë se e majta. Si pasojë, ana e djathtë e gondolës anon më shumë nga uji. Ky anim kompenson shtytjen që vjen vetëm nga një lopatë e gjithashtu dhe peshën e gondolierit që nuk qëndron në qendër kur vozit. Kjo bën të mundur që gondola të lundrojë drejt.

Një veçori dalluese e kësaj «mjellme» është qafa e saj ose bashi. Përveç kiçit të hekurt, kjo është e vetmja pjesë metalike e varkës. Xhanfranko Munerotoja shkruan se bashi është «kaq mbresëlënës dhe i veçantë, saqë i ngelet në mendje kujtdo që e sheh për herë të parë». Në fillim, bashi i hekurt shërbente për të ekuilibruar peshën e gondolierit që i jepte lopatës në kiç, por sot ai ka vetëm rol zbukurues. Sipas traditës, pjesët e bashit përfaqësojnë gjashtë sestierët ose lagjet e Venecies, kurse zgjatimi i vogël prapa qafës përfaqëson ishullin venecian të quajtur Xhudeka. Përdredhja e bashit në formë s-je thuhet se tregon formën e Kanalit të Madh të Venecies.

Një e veçantë tjetër janë «pendët» e zeza të gondolave. Janë dhënë lloj-lloj idesh për të shpjeguar përse varkat janë të zeza. Sipas një shpjegimi, në shekullin e 16-të dhe të 17-të, salltaneti, ngjyrat dhe luksi i gondolave ishin kaq të tepruar, saqë për t’i nxitur pronarët e gondolave të ishin të thjeshtë, senati venecian u detyrua t’i gjobiste gondolat që binin shumë në sy. Por shumë veta më mirë paguanin gjobën sesa të hiqnin zbukurimet. Si pasojë, një gjykatës nxori urdhrin që të gjitha gondolat të lyheshin me të zezë. Sipas një shpjegimi tjetër, e zeza ishte shenjë zie për ata mijëra njerëz që vdiqën nga Vdekja e Zezë. Madje të tjerë thonë se ngjyra e zezë e gondolave e nxirrte më në pah fytyrën e bardhë si qumësht të grave të fisnikërisë veneciane. Por e vërteta është shumë më e thjeshtë. Të paktën në fillim, ngjyra e zezë vinte nga zifti që përdorej që gondolat të mos futnin ujë.

Pasi keni lundruar shtruar mbi ujëra të qeta, hipur mbi kurrizin e një «mjellme» të zezë, ktheheni te shkallët e molit ku nisët shëtitjen. Teksa ndiqni me sy gondolën që shkon tutje, ndoshta vetëtimthi ju vjen mendimi se mbase «mjellma» do ta kthejë qafën e gjatë që të lëmojë ca pendë të shpupuritura.

[Figura në faqen 24]

Skeleti i gondolës nuk është simetrik

[Figura në faqet 24, 25]

Bashi karakteristik

[Figura në faqen 25]

Robertoja, një gondolier në rrugët ujore të Venecies

[Burimi i figurës në faqen 25]

© Medioimages