Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një «perandor» në pjatë

Një «perandor» në pjatë

Një «perandor» në pjatë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZAMBIE

DISA njerëz nuk parapëlqejnë të hanë krimba. Por shumë të tjerë e mbllaçitin gjithë qejf këtë ushqim të rrallë. Një ushqim i preferuar në disa zona të Afrikës, është larva e një fluture nate, Imbrasia belina, e quajtur flutura-perandor. Në Afrikë, kjo krijesë në përgjithësi njihet si krimbi i mopanit, pasi e ka marrë emrin nga pema Colophospermum mopane, ushqimi i tij i preferuar. Shumë fshatarë mezi presin t’i mbledhin këta zvarritës të ushqyeshëm e të shijshëm. «Ata janë një burim mjaft i rëndësishëm proteinash»,—thotë Kit Legeti, pranë Shoqatës së Mbrojtjes së Natyrës së Kalaharit. Krimbat luajnë një rol të dobishëm edhe në ekologjinë e pyjeve të savanave që shpesh janë të thata dhe disi jopjellore.

Ndërkohë që reshjet e shiut përhapen në mbarë Afrikën Jugore në fillim të nëntorit, dheu gjallërohet sërish. Miliona pupa që ndodheshin nën tokë janë transformuar në flutura nate të hijshme. Brenda disa javësh, të vegjlit e tyre do të shndërrohen nga vezë fare të vockla në larva, dhe pastaj në «salsiçe» buçko gjithë ngjyra.

Në vendet ku ushqimet bazë janë prodhimet që përmbajnë niseshte, të tilla si kasava dhe misri, këto larva janë një plotësues i pëlqyeshëm i dietës. Ndonëse shumë prej nesh nuk e futin në gojë këtë ushqim, ato përmbajnë më shumë se 60 për qind proteina, prandaj janë me mjaft vlerë, sidomos atje ku ushqimet cilësore të pasura në proteina kushtojnë shtrenjtë ose janë me pakicë. Një racion me larva është po aq i ushqyeshëm sa edhe një racion mish ose peshk, duke plotësuar kështu gati tre të katërtat e sasisë së proteinave, vitaminave dhe kripërave minerale që i nevojiten në ditë një të rrituri. Po, këto krijesa të vogla janë goxha të ushqyeshme.

Sigurisht, ata që i përdorin si ushqim larvat, habiten përse fermerët në vende të tjera përdorin gjithë ato lëndë kimike të kushtueshme për të vrarë këto insekte të pasura me lëndë ushqyese. Ndërkohë që ushqehen, miliona nga këto krijesa shndërrojnë gjethe që shpesh janë të pangrënshme, e ndonjëherë helmuese, në ushqime me vlera. Dhe gjithçka e bëjnë pa përdorur pajisje të shtrenjta bujqësore dhe pa paguar veterinerin. Larvat mblidhen me dorë dhe, me fare pak mund, merret goxha prodhim.

Krimbat e mopanit ndihmojnë mjaft në pjellorinë dhe në ekuilibrin ekologjik të shkorreteve. Megjithëse elefantët e Afrikës kanë një trup kaba dhe goxha oreks, aftësia tretëse e tyre as që krahasohet me atë të krimbave të vegjël të mopanit. Gjatë jetës së shkurtër gjashtëjavore, moritë e larvave gllabërojnë një sasi bimësie nja dhjetë herë më të madhe dhe prodhojnë gati katërfishin e plehut që do të prodhonin elefantët po të kullotnin në të njëjtën zonë. S’është çudi që trupi i larvave zmadhohet gati 4.000 herë, diçka vërtet mahnitëse. Prandaj kuptohet përse një mbledhje pa kriter e larvave do të ndikonte në pjellorinë e tokës dhe në ekuilibrin ekologjik të saj.

Si mblidhen këto larva? Sa herë vjen sezoni i shirave, gratë e fshatit grumbullohen për të mbledhur krimbat e mopanit. Kjo gjë ndodh dy herë në vit. Për disa javë, ato mbledhin larvat, të cilave u heqin të përbrendshmet, i ziejnë dhe i shtrojnë të thahen. Megjithatë, duhet mjaft kujdes për të mbledhur e për të përgatitur disa larva të tjera të ngrënshme. Qimet ose gjembat e vegjël mbrojtës që hijeshojnë trupat e disa llojeve, duhen hequr. Edhe për t’i përgatitur kërkohet kujdes, sepse disa larva ushqehen me bimë që janë helmuese për njeriun. Pasi përpunohen, larvat e thara mund të hahen si kërce, ndonëse më shpesh i zbutin në ujë dhe i bëjnë gjellë ose i skuqin me domate e qepë.

Ideja e ngrënies së krimbave mund t’ju nxitë të provoni të panjohurën ose mund t’ju shkaktojë të përziera. Ju edhe mund t’i dredhoni rastit për të provuar këtë ushqim kaq të rrallë. Megjithatë, mos harroni, këta krimba janë një burim i pasur proteinash dhe një burim të ardhurash për shumë familje afrikane.

[Figura në faqen 26]

Përmbajtja e lartë proteinike e bën krimbin e mopanit një ushqim me vlerë

[Figura në faqen 27]

Gjatë jetës së shkurtër gjashtëjavore trupi i krimbit të mopanit zmadhohet 4.000 herë