Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Vlera e energjisë elektrike që harxhohet nga pajisjet elektrike në gjendje gatishmërie (standby), zë gati 5 për qind të faturës së energjisë elektrike që harxhon mesatarisht një kanadez.​—NATIONAL POST, KANADA.

Rezultatet e një ankete treguan se rusët mendojnë se problemet më të rëndësishme që duhet të zgjidhë qeveria janë lufta «kundër korrupsionit» dhe «mbajtja nën kontroll e çmimeve që po shkojnë në stratosferë».​—PRAVDA, RUSI.

Sipas një ankete, rreth 26,4 për qind e nxënësve të klasave të pesta e të gjashta në Tajvan «kanë pasur mendime vetëvrasjeje».​—THE CHINA POST, TAJVAN.

«Ndërkohë që gjatë një shekulli teknologjia e ka zvogëluar 38% mesataren javore të orëve të punës në Shtetet e Bashkuara, punonjësit nuk kanë më shumë kohë të lirë, ngaqë u duhet të udhëtojnë më gjatë për të shkuar në punë, janë shtuar të rriturit që vazhdojnë shkollën dhe kanë më shumë punë shtëpie.»​—FORBES, SHTETET E BASHKUARA.

Në vendet e industrializuara, gazet që krijojnë efektin serrë u shtuan 1,6 për qind gjatë periudhës 2003-2004, duke arritur «nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë».​—ROJTERS, OSLO, NORVEGJI.

Kriza e ujit në Kinë

Kina vuan nga «ndotja e ujit dhe mungesa e ujit të pastër». Shumë qytete kanë sisteme të trajtimit të ujërave të pista, por shumë prej tyre nuk kanë fonde për t’i vënë në punë ato. «Shumica e lumenjve, e liqeneve dhe e kanaleve të vendit janë ndotur nga uji i patrajtuar që vjen nga industria dhe familjet, si edhe nga uji i reshjeve i cili ndotet me pesticide kur kalon nëpër ferma»,—thuhet në gazetën The Wall Street Journal. Për më tepër, «rreth 300 milionë veta nuk kanë ujë të pijshëm të pastër». Gazeta shton se tabloja është «e zymtë» dhe gjendja sa vjen e keqësohet.

«Çfarë jeni ju? Dëshmitarët e Jehovait?»

Vitin e kaluar në plazhet e ishullit italian të Elbës, turistëve iu afruan disa të rinj katolikë që kishin pranuar ftesën e peshkopit të dioqezës së Masa Maritima-Piombinos. Ai u kishte thënë se nëse donin të ishin të krishterë dhe të mbeteshin të tillë, duhej të predikonin për besimin e tyre. Kjo i befasoi pushuesit. Sipas gazetës Il Tempo, përgjigjja më e zakonshme që morën të rinjtë ishte: «Çfarë jeni ju? Dëshmitarët e Jehovait?»

Muzika që nxit seksin

Në një studim të përmendur nga Associated Press, adoleshentët që dëgjojnë muzikë me «tekste të ndyra me seks», në përgjithësi «i fillojnë marrëdhëniet seksuale më herët se ata që parapëlqejnë këngë të tjera». «Këngët që i përshkruajnë burrat si ‘hamshorë të etur për seks’, kurse gratë si objekte seksuale, dhe që flasin hapur për akte seksuale, ka më shumë të ngjarë të nxitin aktivitetin seksual në moshë të re në krahasim me këngët ku flitet më tërthorazi për seksin dhe ku lidhja e çiftit paraqitet më e qëndrueshme,—thuhej në artikull.—Është e nevojshme që prindërit, mësuesit dhe vetë adoleshentët të jenë më të kujdesshëm me mesazhet që përcjellin tekstet e këngëve.»

Konsumatorë shpërdorues

Instituti Australian, një organizatë studimore, raporton se gjatë vitit 2004, australianët çuan dëm 5,3 miliardë dollarë australianë (3,1 miliardë euro) për shkak të ushqimeve të hedhura. Kjo vlerë është mbi 13 herë më e madhe se vlera e parave që australianët dhuruan për të ndihmuar vendet e tjera në vitin 2003. Gjithsej, vlera e përgjithshme e mallrave dhe e shërbimeve që australianët humbin duke i përdorur pak ose ngaqë nuk i përdorin fare, i kalon 10,5 miliardë dollarë (6,2 miliardë euro) në vit. Kjo shifër është më e madhe se ajo që vendi harxhon për universitetet dhe rrugët.