Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njihuni me banorët e Timorit Lindor

Njihuni me banorët e Timorit Lindor

Njihuni me banorët e Timorit Lindor

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

TIMORI LINDOR ose Timor-Leste është një vend i vogël që zë gjysmën lindore të ishullit të Timorit. Fjala në gjuhën malajziane, nga e cila vjen emri «Timor» dhe fjala në portugalisht leste, kanë kuptimin «lindje». Në shqip ky vend quhet Timori Lindor. Emri është i përshtatshëm, pasi vendi ndodhet në skajin lindor të arkipelagut indonezian.

Timori Lindor është rreth 14.800 kilometra katrorë, pra më i vogël se gjysma e Holandës ose pak më i madh se gjysma e Shqipërisë. Ndonëse është një ishull i vogël, natyra e tij është një ndërthurje e veçorive natyrore të Azisë dhe Australisë. Xhunglat tropikale lulëzojnë pranë stepave dhe shkorreteve të thata me eukalipte. Edhe bota shtazore është një përzierje e llojeve që rriten në Australi dhe Azi. Për shembull, gjitarët me xhep dhe zogjtë australianë bashkëjetojnë me majmunët aziatikë dhe krokodilët tropikalë të ujërave të kripura. Por, ç’të themi për banorët e Timorit Lindor? A ju pëlqen të njiheni me ta?

Kujtime nga e kaluara koloniale

Lundërtarët portugezë mund të kenë arritur për herë të parë në Timorin Lindor rreth vitit 1514. Në atë kohë, pyjet e paana me dru santali mbulonin faqet e kodrave. Druri i santalit kushtonte një grusht me para, dhe kjo ishte një arsye më se e vlefshme që portugezët të ngrinin një qendër tregtare. Edhe Kisha Katolike u interesua për vendin dhe donte të çonte atje misionarë që t’u ndryshonin fenë vendësve. Nisur nga këto dy arsye, portugezët filluan kolonizimin e ishullit në vitin 1556.

Megjithatë, Timori Lindor mbeti një qendër koloniale e veçuar dhe e lënë pas dore. Kur holandezët zaptuan gjysmën perëndimore të ishullit në vitin 1656, portugezët u tërhoqën në anën lindore të tij. Si përfundim, pas më shumë se 400 vjet sundimi kolonial, portugezët u tërhoqën plotësisht në vitin 1975.

Po atë vit, shpërtheu lufta civile. Gjatë 24 viteve vijuese, rreth 200.000 timorezë lindorë, gati një e treta e popullsisë, u vranë në luftime. Një valë dhune mbuloi vendin në vitin 1999, duke shkatërruar 85 për qind të shtëpive dhe një pjesë të mirë të infrastrukturës. Qindra mijë njerëz ia mbathën nëpër male. Në fund, Kombet e Bashkuara ndërhynë për të ndalur shkatërrimin dhe për të qetësuar gjendjen.

Që prej asaj kohe, timorezët po punojnë për të mëkëmbur jetët e rrënuara. Në maj të vitit 2002, Timori Lindor ose Republika Demokratike e Timor-Lestes, u njoh zyrtarisht si shtet.

Udhëkryq kulturor

Shekuj të tërë tregtie, emigrimi në vendet e Azisë dhe të Australazisë, si edhe kolonizimi evropian, kanë krijuar një përzierje të larmishme kulturash dhe gjuhësh në mbarë Timorin Lindor. Ndonëse portugalishtja mbetet gjuha tregtare dhe zyrtare, 80 për qind e popullsisë flet një gjuhë të përbashkët të quajtur tetum, që ka shumë fjalë në portugalisht. Anembanë vendit ka një mozaik grupesh etnike që flasin të paktën 22 gjuhë të tjera.

Në zonat rurale, mbretërit vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në jetën e fshatit. Ata drejtojnë ceremoni të ndryshme, ndarjen e tokave dhe çështje të tjera tradicionale, kurse një kryetar i zgjedhur mbikëqyr administratën civile.

Feja është një përzierje e animizmit tradicional dhe katolicizmit që sollën të huajt. Adhurimi i të parëve, shtrigëria dhe spiritizmi janë të pranishëm në çdo fushë të jetës. Frekuentuesit e rregullt të kishave, zakonisht këshillohen me matan dookun e zonës, që është një magjistar, për të parashikuar të ardhmen, për t’u kuruar ose për t’u mbrojtur nga frymërat e liga.

Njerëz kureshtarë dhe mikpritës

Banorët e Timorit Lindor kanë natyrë gazmore, janë kureshtarë dhe mikpritës. «Kemi shumë qejf të mësojmë, të bisedojmë, të rrimë tok në shoqëri, të japim e të marrim me njerëz të tjerë, madje edhe me të panjohur»,—thotë presidenti Kej Rala Shanana Gushmau.

Vizitorët e ftuar për darkë në një familje timoreze, zakonisht hanë bashkë me kreun e familjes. Gruaja dhe fëmijët e tij shërbejnë ushqimin dhe hanë më vonë. Është shenjë mirësjelljeje që në fillim të marrësh pak ushqim. Pastaj miku e nderon kuzhinieren duke kërkuar përsëri.

Shumë gatime timoreze përmbajnë oriz, misër ose kasavë, si edhe barishte e zarzavate. Një specialitet timorez, saboko, është një përzierje e shijshme me sardele, salcë tamarindi dhe erëza. E gjithë kjo përzierje mbështillet me një gjethe palme. Kurse të hash mish është luks, pasi kushton shtrenjtë.

Gumëzhin nga fëmijët

Timori Lindor është një shtet me shumë fëmijë. Gati gjysma e popullsisë janë fëmijë dhe shumë familje kanë 10 deri në 12 fëmijë në shtëpi.

Rrugës për në shkollë, fëmijët shpesh ecin dorë për dore, djemtë me djemtë dhe vajzat me vajzat, dhe teksa ecin, qeshin e këndojnë. Në shkollë nuk marrin vetëm njohuri, por edhe mësojnë si të jetojnë e si të sillen siç duhet.

Një fëmijë timorez nuk luan kurrë vetëm ose në qetësi, por e gjithë lagjja mblidhet për t’u zbavitur. Një lojë e pëlqyer është dudu karreta ose të shtysh makinën. Rrethi i rrotës së biçikletës është një makinë imagjinare. Teksa qeshin e rendin pas rrethit, fëmijët e rrokullisin atë nëpër rrugë duke e drejtuar dhe duke e shtyrë me shkop.

Megjithatë jeta e fëmijëve timorezë nuk është gjithë ditën lojë. Për shembull, ata mund t’i vënë që të shtypin misrin me një shufër të rëndë çeliku. Megjithatë, qeshin të gëzuar teksa punojnë. Duket sikur nuk e kanë fare idenë që kanë lindur në njërin prej dhjetë vendeve më të varfra të botës.

Dhembjet e lindjes së një shteti

Varfëria ekstreme bën që jeta e timorezëve të jetë shumë e pasigurt. Dyzetë për qind e popullsisë jeton me më pak se 1,5 euro në ditë, minimumi që duhet për të siguruar ushqimet e domosdoshme dhe nevojat e familjes. Infrastruktura është e dobët. Një raport i qeverisë thotë: «Në mbarë vendin, në çdo katër veta, tre nuk kanë drita, në çdo pesë veta, tre nuk kanë kushtet e duhura sanitare dhe gjysma e popullsisë nuk kanë ujë të pijshëm të pastër.»

Në këto rrethana, problemet shëndetësore janë me shumicë. Të ushqyerit e keq, malarja, tuberkulozi dhe sëmundjet e tjera e kufizojnë në 50 vjet jetëgjatësinë mesatare. Gati 1 në 10 fëmijë vdes para se të mbushë pesë vjeç. Gjatë vitit 2004, më pak se 50 mjekë i shërbyen një popullsie me rreth 800.000 veta.

Shumë qeveri të huaja sot po bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara për t’i ndihmuar timorezët të rindërtojnë vendin e tyre të dëmtuar. Edhe rezervat e pasura të naftës dhe gazit që gjenden në detin Timor, janë një dritë shprese për përmirësimin e gjendjes së varfër ekonomike. Megjithatë, pasuria më e madhe e Timorit Lindor janë banorët e tij të përulur e të paepur përballë vështirësive. Një grua timoreze tha për revistën Zgjohuni!: «Ndoshta jemi të varfër, por nuk jemi të mjerë.»

‘Lajm i mirë për diçka më të mirë’

Vitet e fundit, Dëshmitarët e Jehovait u kanë çuar banorëve të Timorit Lindor «lajmin e mirë për diçka më të mirë». (Isaia 52:7; Romakëve 10:14, 15) Në vitin 2005 kongregacioni i vetëm i Dëshmitarëve në vend harxhoi rreth 30.000 orë duke u folur të tjerëve për premtimin e mrekullueshëm të Biblës për një parajsë të afërt në tokë.​—Psalmi 37:10, 11; 2 Pjetrit 3:13.

Të vërtetat biblike kanë çliruar disa banorë nga zgjedha shtypëse e spiritizmit. Për shembull, Jakobi, baba me pesë fëmijë, ishte zhytur në praktikat tradicionale spiritiste. Ai rregullisht bënte kurban për nder të frymërave të të vdekurve. Kjo praktikë ishte një barrë e rëndë për ekonominë e familjes së tij. Flijimi i një pule i kushtonte gati një ditë punë, kurse flijimi i një dhie ose i një derri, për raste të veçanta, i kushtonte sa paga e shumë javëve.

Me kalimin e kohës, gruaja e Jakobit, Fransiska, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo i tregoi Jakobit vargje nga Shkrimet që provojnë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë dhe nuk mund t’i dëmtojnë të gjallët. (Eklisiastiu 9:5, 10; Ezekieli 18:4) Duke pranuar atë që thotë Bibla, të dy vendosën të mos u bënin më kurban frymërave. Si pasojë, të afërmit u zemëruan, prenë lidhjet me ta dhe u thanë se së shpejti frymërat hakmarrëse do t’i vritnin. Megjithatë, Jakobi dhe Fransiska u treguan të vendosur dhe thanë: «Jehovai do të na mbrojë.»

Ndërkohë Jakobi filloi të studionte Biblën dhe të ndiqte mbledhjet e krishtere bashkë me familjen. Kështu bëri ndryshime të tjera për mirë në jetë. Ndonëse për shumë vjet kishte pirë një paketë cigare në ditë, e la duhanin. Gjithashtu, mësoi të shkruante e të lexonte. Gjatë kësaj kohe, Fransiska hoqi dorë nga përtypja e arrës narkotike të betelit. Më në fund, në vitin 2005 Jakobi dhe Fransiska u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait. Sot i përdorin me mençuri paratë për të arsimuar fëmijët dhe për të mbuluar shpenzimet shëndetësore.

Po, ashtu siç paratha Jezui, lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë po predikohet deri në ‘skajet më të largëta të tokës’, madje edhe banorëve kuriozë, mikpritës dhe me zemër të madhe të Timorit të vogël Lindor.​—Veprat 1:8; Mateu 24:14.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

«Ka sjellë një fill dhe një çikrik»

Shprehjen «ka sjellë një fill dhe një çikrik» timorezët e përdornin dikur për të lajmëruar se kishte lindur një vajzë. Ajo përshkruan rolin tradicional të grave timoreze si endëse të tajsit, copa të gjata zbukurimi. Tajsi përdoret për të bërë veshje të ndërlikuara ceremoniale, kuverta dhe ndonjë plaçkë që trashëgohet brez pas brezi në familje. Gjyshet u mësojnë vajzave të reja si ta rritin, ta mbledhin, ta tjerrin, ta lyejnë dhe ta thurin pambukun, duke krijuar motive të bukura shumëngjyrëshe. Në varësi të vështirësisë së thurjes, që të përfundosh një tajs të vetëm mund të të duhet një vit a më shumë. Meqë çdo krahinë ka motivet e veta tradicionale, një specialist e gjen menjëherë se ku është bërë tajsi.

[Harta në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

PAPUA GUINEJA E RE

INDONEZI

TIMORI LINDOR

AUSTRALI

[Figura në faqen 15]

Shtëpi tradicionale në formë konike

[Figura në faqen 16]

«Dudu karreta», një lojë e pëlqyer nga fëmijët

[Figura në faqen 16, 17]

Jakobi dhe familja e tij