Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nuk jam më skllav i alkoolit

Nuk jam më skllav i alkoolit

Nuk jam më skllav i alkoolit

Kur përdoren me masë, pijet alkoolike mund t’ia shtojnë lezetin një vakti ose gëzimin një feste. Por disa njerëz, përdorimi i alkoolit i ka çuar në probleme serioze. Lexoni historinë e një njeriu që arriti të çlirohej nga vargonjtë e abuzimit me alkoolin.

EDHE sot trishtohem kur tregoj për atmosferën e tensionuar që mbretëronte në shtëpinë tonë. Babai dhe nëna ia nisnin me të pirë. Pastaj babai rrihte nënën. Shpesh edhe unë bëhesha shënjestra e grushteve të tij. Isha vetëm katër vjeç kur ata vendosën të ndaheshin. Mbaj mend që më çuan të jetoja në shtëpinë e gjyshes.

Ndihesha sikur nuk më donte askush. Kur isha shtatë vjeç, zbritja fshehtas në qilar dhe pija verën që bënim vetë. Kjo sikur ma lehtësonte pak trishtimin. Në moshën 12-vjeçare, nëna dhe gjyshja bënë sherr për mua. Nëna u nevrikos kaq shumë, saqë më vërviti një sfurk. Kërceva jashtë dhe shpëtova pa u dëmtuar. Nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që jeta ime ishte në rrezik. Megjithatë, shenjat e plagëve në trupin tim nuk ishin aq të thella sa plagët emocionale që kisha thellë brenda vetes.

Aty nga mosha 14-vjeçare, pija më ishte bërë ves. Si përfundim, kur isha 17 vjeç, ika nga shtëpia. Alkooli më jepte një ndjenjë pavarësie dhe bëhesha shumë agresiv, duke shkaktuar probleme nëpër lokale. Alkooli ishte e vetmja kënaqësi që kisha në jetë. Brenda ditës pija deri në pesë litra verë, ca shishe birrë dhe disa pije të forta.

Kur u martova, pija i hapte telashe të mëdha gruas sime. Acarimi dhe zemërimi arrinte deri atje sa rrihja atë dhe fëmijët, duke krijuar kështu ambientin shkatërrimtar ku isha rritur. Pothuajse të gjitha paratë që fitoja i harxhoja për pije. Shtëpinë e kishim bosh, kështu që unë dhe gruaja flinim në dysheme. Nuk kisha asnjë qëllim në jetë dhe nuk bëja as përpjekjen më të vogël që të përmirësoja gjendjen.

Një ditë fola me një Dëshmitar të Jehovait. E pyeta përse ka kaq shumë vuajtje dhe ai më tregoi nga Bibla premtimin e Perëndisë për një botë pa probleme. Kjo më bindi të filloja studimin e Biblës me Dëshmitarët. Teksa zbatoja mësimet e Biblës dhe pakësoja alkoolin, jeta familjare u përmirësua mjaft. Gjithsesi e kuptoja se nëse dëshiroja t’i shërbeja Perëndisë Jehova në një mënyrë të pranueshme, duhej të mposhtja problemin me alkoolin. Pas tre muaj përpjekjesh të mundimshme, e lashë pijen. Gjashtë muaj më vonë ia kushtova jetën Perëndisë dhe e simbolizova kushtimin tim duke u pagëzuar.

Tani që nuk isha më skllav i alkoolit, arrita të shlyeja borxhet që kisha. Me kalimin e kohës blemë një shtëpi dhe një makinë, që e përdorim për të ndjekur mbledhjet e krishtere dhe për të predikuar shtëpi më shtëpi. Më në fund, kam fituar respektin për veten.

Ndonjëherë, kur mblidhemi me shoqëri, më ftojnë të pi një gotë. Shumë veta nuk e dinë luftën e tmerrshme që bëj dhe se mjafton një gotë e vetme që t’i kthehem prapë avazit të vjetër. Dëshira për pijen ende më ngacmon. Duhen lutje të zjarrta dhe vendosmëri që të gjej forcën për të thënë jo. Kur jam i etur, pi sa ngopem çdo lloj pije që nuk përmban alkool. Kam dhjetë vjet që nuk pi as edhe një gllënjkë alkool.

Jehovai mund të bëjë atë që s’e bën dot njeriu. Ai më ka ndihmuar të gëzoj një liri që nuk e besoja kurrë se mund ta kisha. Ende vuaj nga vragat emocionale të fëmijërisë dhe luftoj vazhdimisht me mendimet pesimiste. Nga ana tjetër, jam bekuar me një marrëdhënie të mirë me Perëndinë, me një kongregacion ku kam miq të vërtetë dhe me një familje të mrekullueshme që ka të njëjtin besim si unë. Gruaja dhe fëmijët më ndihmojnë me gjithë zemër në betejën që kam me alkoolin. Ime shoqe thotë: «Më përpara, jeta ime ishte skëterrë. Sot i jam shumë mirënjohëse Jehovait që kam një jetë të lumtur familjare bashkë me burrin dhe dy fëmijët.»​—Nga një bashkëpunëtor.

[Diçitura në faqen 21]

Aty nga mosha 14-vjeçare, pija më ishte bërë ves

[Diçitura në faqen 22]

Jehovai mund të bëjë atë që s’e bën dot njeriu

[Kutia dhe figurat në faqen 22]

BIBLA DHE ALKOOLI

▪ Bibla nuk e ndalon përdorimin e alkoolit. Ajo e përshkruan ‘verën që ia gëzon zemrën njeriut’ si dhuratë që Perëndia u ka bërë njerëzve. (Psalmi 104:14, 15) Gjithashtu Bibla e përmend verën si simbol begatie dhe sigurie. (Mikea 4:4) Mrekullia e parë që bëri Jezu Krishti ishte kthimi i ujit në verë gjatë një dasme. (Gjoni 2:7-9) Gjithashtu, kur apostulli Pavël mori vesh për ‘sëmundjet e shpeshta’ të Timoteut, e këshilloi që të pinte «pak verë».​—1 Timoteut 5:23.

▪ Ajo që dënon Bibla është teprimi në të pirë:

‘Pijanecët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.’​—1 Korintasve 6:9-11.

«Mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim.»​—Efesianëve 5:18.

«Kush ka mjerime? Kush ka siklete? Kush ka grindje? Kush ka shqetësime? Kush ka plagë pa arsye? Kush ka sy të shuar? Ata që ndalen gjatë pranë verës, ata që vijnë për të kërkuar verë të përzier. Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë, kur rrëshqet kollaj. Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe nxjerr helm si një nepërkë. Sytë e tu do të shohin çudira dhe zemra jote do të thotë mbrapshti.»​—Proverbat 23:29-33.

Siç tregohet në këtë artikull, disa që kanë pasur probleme me alkoolin, me mençuri kanë vendosur të mos vënë alkool në gojë.​—Mateu 5:29.