Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse kaq shumë të varfër në një botë të pasur?

Pse kaq shumë të varfër në një botë të pasur?

Pse kaq shumë të varfër në një botë të pasur?

«TË VARFRIT do t’i keni gjithmonë»,—tha Jezu Krishti në shekullin e parë të e.s. (Mateu 26:11) Që nga koha e Jezuit e deri tani, ka pasur gjithmonë shumë njerëz të varfër. Por, përse varfëria pllakos kaq shumë njerëz në një botë kaq të pasur?

Disa mendojnë se njerëzit bien në varfëri ngaqë marrin vendime të gabuara. Në disa raste kjo mund të jetë e vërtetë. Ata që jepen pas alkoolit, drogës dhe bixhozit mund të humbin kollaj gjithçka kanë. Por jo të gjithë të varfrit kanë rënë në skamje ngaqë nuk janë treguar të mençur.

Shumë veta kanë mbetur pa punë për shkak të ndryshimeve në industri. Shumë të tjerëve u janë shteruar kursimet e një jete të tërë për shkak se çmimet e ilaçeve dhe të shërbimeve shëndetësore kanë shkuar në qiell. Gjithashtu, ndër ata qindra milionë të varfër që jetojnë në vendet në zhvillim, shumica nuk e kanë vetë fajin për varfërinë që i ka pllakosur. Shkaqet e varfërisë shpesh nuk janë në dorë të viktimave, siç tregohet në vijim.

Mësim nga e kaluara

Në fillim të viteve 30, botën e mbërtheu një katastrofë financiare, që u njoh si Kriza e Madhe. Në një vend miliona veta humbën punën dhe qindra mijë familje mbetën pa shtëpi. Por ndërkohë që shumë veta ishin të uritur, fermerët derdhnin tonelata qumësht dhe qeveritarët i detyronin të vritnin miliona kafshë të fermës.

Pse gjithë ky shpërdorim? Sepse sistemi ekonomik vinte si kusht që produktet bujqësore e blegtorale si edhe gjithçka tjetër duhej shitur për të nxjerrë fitime. Qumështi, mishi dhe drithërat kishin shumë vlerë për të varfrit. Por kur këto ushqime nuk mund të shiteshin me leverdi, konsideroheshin pa vlerë dhe hidheshin.

Në shumë qytete, shpërthyen trazira nga kriza për ushqime. Disa qytetarë që nuk blinin dot ushqim për familjet e tyre, grabitnin me armë ato që u duheshin. Të tjerë vdisnin urie. Këto gjëra ndodhën në Shtetet e Bashkuara. Në fillim të Krizës së Madhe, sistemi i fuqishëm financiar i vendit i la në baltë njerëzit me të ardhura të pakta. Në vend që t’u jepte rëndësi kryesore nevojave të shtetasve për ushqim, strehë dhe punë, sistemi ekonomik i shihte ato si çështje dytësore në krahasim me fitimin e parave.

Kushtet sot

Ekonomia botërore e mori veten nga Kriza e Madhe dhe sot duket se shumë njerëz janë më të pasur e më të sigurt se kurrë. Megjithatë, në mes të këtij bollëku që ekziston tani, shpesh të varfrit kanë fare pak mundësi për të përmirësuar jetën e tyre. Artikujt që flasin për zi buke dhe varfëri në vendet në zhvillim janë kaq të shpeshta, saqë shumë veta nuk kanë më nerva t’i lexojnë. Megjithatë, kur refugjatët vuajnë e vdesin urie për shkak të luftës, kur rezervat ushqimore prishen për shkak të manipulimeve politike dhe kur faktorët e tregut i çojnë çmimet e gjërave të domosdoshme të jetës në nivele që të varfrit nuk i përballojnë dot, ja tek kemi rezultatet e një sistemi që nuk është i aftë të kujdeset për shtetasit e tij të varfër. Sistemi ekonomik botëror lë pas dore miliona të varfër.

Ç’është e vërteta, asnjë sistem ekonomik i krijuar nga njerëzit nuk i ka plotësuar siç duhet nevojat ekonomike të mbarë njerëzimit. Rreth 30 shekuj më parë, një njeri që ishte vëzhgues i mprehtë i botës përreth arriti në këtë përfundim: «Solla përsëri ndër mend të gjitha shtypjet që po bëhen nën diell. Pashë lotët e të shtypurve, por që s’kishin asnjë ngushëllues. Fuqia ishte në anën e shtypësve të tyre, kështu që s’kishte kush t’i ngushëllonte.» (Eklisiastiu 4:1) Në këto ditë begatie e bollëku, padrejtësitë ekonomike janë ende me bollëk.

Miliona veta sot kanë fare pak mundësi që të ngrihen nga gremina e varfërisë. Megjithatë shumë veta kanë mësuar t’u bëjnë ballë vështirësive ekonomike. Gjithashtu, kanë shpresën se e ardhmja do t’u sjellë një jetë më të mirë.

[Kutia në faqen 5]

Lufta për mbijetesë

Në librin e tij Punëtorë të varfër​—Të padukshëm në Amerikë (anglisht) shkrimtari dhe gazetari David K. Shipler na jep një ide se si disa njerëz në Shtetet e Bashkuara jetojnë buzë greminës së varfërisë: «Një apartament në gjendje të vajtueshme mund t’ia rëndojë astmën një fëmije, i cili duhet çuar urgjent në spital. Pastaj vjen fatura mjekësore që nëna nuk ka para ta paguajë. Kjo faturë e papaguar bën që nëna të mos konsiderohet më person i besueshëm në rast kredie. Si pasojë rritet shumë kamata kur merr hua për të blerë një makinë. Kjo e detyron familjen të blejë një makinë të përdorur dhe jo të sigurt. Kështu nëna rrezikon të mos jetë e përpiktë në punë, gjë që e pengon të ngrihet në përgjegjësi dhe të marrë një rrogë më të mirë. Si pasojë ajo detyrohet të rrijë po në atë apartament aq të keq.» Ky fëmijë dhe nëna e tij janë gjithnjë buzë katastrofës, ndonëse jetojnë në vendin më të pasur të botës.

[Kutia në faqen 6]

A mjaftojnë synimet e mira?

Në nëntor të vitit 1993, në një ndërtesë qeveritare në Uashington, një grup qeveritarësh po mundoheshin të zgjidhin një problem serioz. Me qindra milionë dollarë në dispozicion, ata qeveritarë dëshironin të ndihmonin të pastrehët në Shtetet e Bashkuara. Teksa vazhdonin konferencën, në një stacion autobusi në anën tjetër të rrugës u mblodhën policë, zjarrfikës dhe ndihma e shpejtë. Personeli i ambulancës mori trupin e një gruaje të pastrehë. Ajo kishte vdekur përpara Ministrisë së Strehimit dhe Zhvillimit Urban, enti qeveritar përgjegjës për të ndihmuar të pastrehët.

Më vonë, një reporter i gazetës The New York Times intervistoi një punonjëse të këtij departamenti që foli për numrin e personelit të ndihmës së shpejtë dhe të automjeteve që erdhën në vendngjarje: «Habitesh kur sheh se sa shumë ndihmë i jepet njeriut kur vdes, ndërsa kur është gjallë, as një e qindta e saj.»

[Figura në faqet 4, 5]

Një nënë emigrante me tre fëmijët e saj gjatë Krizës së Madhe të viteve 30

[Burimi]

Dorothea Lange, FSA Collection, Library of Congress

[Figura në faqet 6, 7]

Në fabrika me kushte të vështira pune si këto, rroga mesatare është 10 euro në muaj, dhe punëtorët mund të detyrohen të punojnë 70 orë në javë

[Burimi]

© Fernando Moleres/​Panos Pictures