A po ju dëmton rendja pas parasë?
A po ju dëmton rendja pas parasë?
ÇFARË do të bënit po të pasuroheshit? Do ta merrnit shtruar e do të shijonit jetën? Do të linit punën dhe do të rrinit më shumë me familjen dhe miqtë? Do t’i hynit një karriere që e keni për zemër? Është interesante, por shumë veta që bëhen të pasur nuk veprojnë kështu. Përkundrazi, ata ia kushtojnë jetën një synimi: të fitojnë edhe më shumë para—për të shlyer borxhet e reja ose thjesht për t’u pasuruar edhe më.
Por, disa njerëz që kanë ndjekur këtë rrugë, po vënë re dëmin që i ka sjellë materializmi shëndetit, jetës së tyre familjare dhe moralit të fëmijëve të tyre. Kohët e fundit librat, artikujt, programet televizive dhe videot i kanë paralajmëruar njerëzit për rreziqet e luksit dhe i kanë inkurajuar «të zgjedhin thjeshtësinë». Shumë burime nxjerrin në pah se po të humbësh pas synimeve materialiste, mund të dëmtohesh ose të sëmuresh mendërisht, emocionalisht e madje edhe fizikisht.
Sigurisht, shqetësimi për rreziqet e materializmit nuk është diçka e re. Pothuajse 2.000 vjet më parë, Bibla tha: «Ata që janë të vendosur të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë dëshira të pamenda e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në rrënim. Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.»—1 Timoteut 6:9, 10.
Por a është e vërtetë kjo? A u sjell vërtet vuajtje paraja dhe pasuria atyre që jetojnë për to? Apo kanë gjithçka: pasuri, shëndet dhe familje të lumtura? Le ta shohim.