Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cila është pikëpamja e mençur për paratë?

Cila është pikëpamja e mençur për paratë?

Pikëpamja e Biblës

Cila është pikëpamja e mençur për paratë?

NË BIBËL thuhet se ‘paraja është mbrojtje’. (Eklisiastiu 7:12) Meqë me para paguhen ushqimi, veshja dhe strehimi, ajo është mbrojtje ndaj vështirësive që vijnë nga varfëria. Vërtet, nga ana materiale, me para mund të blesh pothuajse çdo gjë. Tek Eklisiastiu 10:19 thuhet se «paraja plotëson çdo nevojë».

Fjala e Perëndisë na nxit të punojmë pa u lodhur që të kemi para për të plotësuar nevojat tona dhe të familjes. (1 Timoteut 5:8) Puna e ndershme dhe e palodhur të jep me të drejtë kënaqësi, dinjitet dhe ndjenjën e sigurisë.​—Eklisiastiu 3:12, 13.

Gjithashtu, puna e palodhur bën të mundur që të jemi bujarë. Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Një lumturi e tillë vjen kur me gëzim i përdorim paratë për të ndihmuar ata që janë në nevojë, sidomos bashkëbesimtarët e krishterë ose kur blejmë ndonjë dhuratë për dikë që e duam.​—2 Korintasve 9:7; 1 Timoteut 6:17-19.

Jezui i nxiti dishepujt e tij të ishin bujarë jo vetëm në raste të rralla, por ta kishin zakon, ta kishin mënyrë jetese. Ai tha: «Bëjeni zakon të jepni.» (Luka 6:38) I njëjti parim zbatohet edhe kur japim për të çuar përpara interesat e Mbretërisë së Perëndisë. (Proverbat 3:9) Po, bujaria që tregojmë në këtë drejtim, na ndihmon të ‘bëjmë miq’ Jehovain dhe Birin e tij.​—Luka 16:9.

Kujdes nga «dashuria për para»

Njerëzit egoistë rrallëherë japin, por edhe atëherë, mbase kanë një arsye të fshehtë. Shpesh problemi i tyre është dashuria për para, që ndryshe nga ç’presin ata, zakonisht sjell palumturi. Te 1 Timoteut 6:10 thuhet: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» Përse dashuria për para nuk sjell kënaqësi, madje është e dëmshme?

Një arsye është se etja e njeriut lakmitar për pasuri nuk shuhet kurrë. Tek Eklisiastiu 5:10 thuhet: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend.» Prandaj, ata që duan paranë ‘shpohen’ me zhgënjime pafund. Për më tepër, lakmia ua dëmton marrëdhëniet me të tjerët, nuk i lë të kenë një familje të lumtur, madje as të pushojnë sa duhet. «I ëmbël është gjumi i atij që shërben, qoftë në ngrëntë pak ose shumë; por bollëku nuk e lë të pasurin të flejë.» (Eklisiastiu 5:12) Mbi të gjitha, dashuria për para bën që ai të mos ketë miratimin e Perëndisë.​—Jobi 31:24, 28.

Historia biblike dhe ajo botërore ka mjaft shembuj që flasin për njerëz që vodhën, shtrembëruan drejtësinë, u morën me prostitucion, kryen vrasje, tradhtuan dhe gënjyen—e që të gjitha këto, i bënë vetëm për para. (Josiu 7:1, 20-26; Mikea 3:11; Marku 14:10, 11; Gjoni 12:6) Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui ftoi një nga krerët që ishte i ri në moshë dhe «shumë i pasur», që ta ndiqte. Mjerisht, ky njeri nuk e pranoi ftesën e mrekullueshme të Jezuit, pasi kjo do ta dëmtonte nga ana financiare. Prandaj Jezui tha: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë para të futen në mbretërinë e Perëndisë!»​—Luka 18:23, 24.

Sidomos sot në «ditët e fundit», të krishterët duhet të kenë kujdes, sepse siç ishte parathënë, në përgjithësi njerëzit janë «të dashuruar pas parave». (2 Timoteut 3:1, 2) Të krishterët e vërtetë që janë vazhdimisht të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, nuk i përpin kjo dallgë lakmie, pasi zotërojnë diçka shumë më me vlerë se paraja.

Më e mirë se paraja

Kur tha se paraja është mbrojtje, mbreti Solomon shtoi se «mençuria është mbrojtje», pasi «i ruan gjallë ata që e zotërojnë». (Eklisiastiu 7:12) Çfarë donte të thoshte? Këtu Solomoni po fliste për mençurinë që bazohet te njohuria e saktë nga Shkrimet dhe te frika e shëndetshme ndaj Perëndisë. Kjo mençuri, që është më me vlerë se paraja, mund ta shpëtojë njeriun nga gracka të shumta në jetë, madje edhe nga vdekja e parakohshme. Gjithashtu, si një kurorë, mençuria e vërtetë i lartëson ata që e zotërojnë dhe bën që të fitojnë respektin e të tjerëve. (Proverbat 2:10-22; 4:5-9) Veç kësaj, meqë ajo të ndihmon të fitosh miratimin e Perëndisë, është quajtur «një pemë jete».​—Proverbat 3:18.

Ata që me sinqeritet dëshirojnë të fitojnë një mençuri të tillë dhe janë gati ta kërkojnë, zbulojnë se ajo mund të gjendet. «Biri im, nëse . . . i thërret kuptueshmërisë dhe nëse e ngre zërin për aftësi dalluese, nëse vazhdon t’i kërkosh si argjendin dhe nëse vazhdon të rrëmosh për to si për thesare të fshehura, atëherë do të kuptosh frikën nga Jehovai dhe do të gjesh njohurinë e Perëndisë. Sepse Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese.»​—Proverbat 2:1-6.

Meqë vlerësojnë më shumë mençurinë se paranë, të krishterët e vërtetë kanë atë paqe, lumturi dhe siguri, të cilën njerëzit e dashuruar pas parasë nuk e arrijnë dot. Te Hebrenjve 13:5 thuhet: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni. Sepse [Perëndia] ka thënë: ‘Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.’» Paraja nuk ta jep këtë lloj sigurie.

A DONI TË DINI?

▪ Në ç’kuptim paraja është mbrojtje?​—Eklisiastiu 7:12.

▪ Përse mençuria e bazuar te njohuria për Perëndinë ka më shumë vlerë se paraja?​—Proverbat 2:10-22; 3:13-18.

▪ Pse nuk duhet të ushqejmë dashuri për paranë?​—Marku 10:23, 25; Luka 18:23, 24; 1 Timoteut 6:9, 10