Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

I mbijetuan terrorizmit në Bombei

I mbijetuan terrorizmit në Bombei

I mbijetuan terrorizmit në Bombei

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË INDI

QYTETI i Bombeit (Mumbai) ka më shumë se 18 milionë banorë, një popullsi që po rritet me të shpejtë. Çdo ditë, gjashtë a shtatë milionë prej tyre udhëtojnë me trenat e shpejtë e të shpeshtë që lidhin qytetin me periferinë. Këta pasagjerë udhëtojnë për në punë, në shkolla dhe universitete, në zona tregtare ose në vende me interes të veçantë. Kur është vala e madhe e njerëzve, çdo tren nëntëvagonësh i mbushur dëng dhe me një kapacitet normal prej 1.710 vetash, transporton rreth 5.000 pasagjerë. Pikërisht në këtë orar, më 11 korrik 2006, terroristët vunë në shënjestër trenat e Bombeit. Në më pak se 15 minuta, shtatë bomba shpërthyen në trenat e hekurudhës perëndimore dhe lanë më shumë se 200 të vdekur dhe më shumë se 800 të plagosur.

Shumë individë nga 22 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Bombei dhe në rrethinat e tij udhëtojnë rregullisht me tren, e kështu u ndodhën në trenat që u sulmuan. Lumturisht asnjë prej tyre nuk humbi jetën, por disa u plagosën. Anita po kthehej në shtëpi nga puna. Treni ishte plot njerëz, kështu që ajo po rrinte afër derës së vagonit të klasit të parë që të dilte më kollaj. Ndërsa treni ecte me shpejtësi, papritur ndodhi një shpërthim i jashtëzakonshëm dhe vagoni i saj u mbush me tym të zi. Kur u përkul nga dera dhe pa jashtë djathtas, vuri re se faqja anësore metalike e vagonit fqinj ishte shqyer dhe varej duke formuar një kënd 45 gradë me trenin. U tmerrua teksa shihte trupa njerëzish dhe pjesë trupash që fluturonin nga e çara e krijuar dhe përfundonin mbi shina. Pas atyre pak sekondave, që iu dukën një përjetësi, treni ndaloi. Bashkë me pasagjerët e tjerë u hodh mbi shina dhe ia mbathën që të iknin sa më larg nga treni. Anita i telefonoi me celular të shoqit, Xhonit, dhe fatmirësisht arriti të fliste; brenda pak minutash, mbarë rrjeti telefonik i qytetit u ngarkua me telefonues që ishin tërë ankth. Ajo e kishte ruajtur disi qetësinë para se të fliste me të shoqin. Pastaj nuk duroi dot më dhe ia plasi të qarit. I tregoi ç’kishte ndodhur dhe i tha të shkonte ta merrte. Ndërkohë që priste, filloi një rrebesh dhe një pjesë e mirë e provave që do të kishin ndihmuar hetuesit humbën.

Klaudi, një tjetër Dëshmitar i Jehovait, u largua më shpejt se zakonisht nga zyra. I hipi trenit të orës 5.18 pasdite në stacionin e Çërçgeitit, stacioni i fundit i hekurudhës perëndimore, dhe hyri në një vagon të klasit të parë. Duke kërkuar një vend për t’u ulur gjatë udhëtimit që do të zgjaste një orë deri në Bjandar, pa Jozefin, nga një kongregacion fqinj i Dëshmitarëve të Jehovait. Koha kaloi shpejt teksa i tregonin njëri-tjetrit të rejat e fundit. I lodhur nga puna, Jozefi dremiti pak. Meqë treni ishte plot, Klaudi u ngrit një stacion para që të çante rrugën deri te dera. Ndërkohë që Klaudi po qëndronte aty, Jozefi u zgjua dhe u përkul nga ana e prapme e sedilies për ta përshëndetur. Duke u kapur te mbajtësja e sedilies, Klaudi u përkul që t’i fliste. Ndoshta pikërisht kjo i shpëtoi jetën. Befas u dëgjua një zhurmë e fortë. Vagoni u tund fort, u mbush me tym dhe u bë errësirë e plotë. Klaudi u përplas në dysheme midis radhëve të sediljeve dhe iu duk sikur kishte humbur dëgjimin, ngaqë nuk dëgjonte asgjë përveç një tingulli të fortë që i kumbonte në vesh. Aty ku kishte qëndruar më parë, ishte krijuar një gropë. Pasagjerët pranë tij ose kishin përfunduar në shina, ose dergjeshin të vdekur në dysheme. Ai i mbijetoi të pestit, nga shtatë shpërthimet që shkundën sistemin hekurudhor atë të martë të kobshme.

Klaudin e çuan në spital me rrobat tërë gjak. Megjithatë, rrobat e tij ishin përgjakur kryesisht nga pasagjerë të tjerë më të pafat. Ai pati vetëm disa dëmtime jo shumë të rënda: iu ça daullja e njërit vesh, pati djegie në njërën dorë dhe flokë të përzhitura. Në spital takoi Jozefin dhe gruan e tij Anxhelën, e cila kishte qenë në vagonin fqinj të rezervuar për gratë dhe nuk ishte dëmtuar. Jozefit i ishte nxirë syri i djathtë dhe kishte humbur dëgjimin. Këta tre Dëshmitarë falënderuan Jehovain që shpëtuan gjallë. Klaudi tha se gjëja e parë që i shkoi ndër mend kur erdhi në vete ishte: ‘Sa e kotë është të rendësh pas parasë dhe pasurisë në këtë botë kur jeta mund të të fiket sa hap e mbyll sytë.’ Ishte i lumtur që e kishte bërë marrëdhënien me Perëndinë e tij, Jehovain, gjënë më të rëndësishme në jetë.

Brenda një kohe të shkurtër, qyteti i Bombeit pësoi përmbytje të mëdha, trazira dhe shpërthime bombash. Megjithatë, më shumë se 1.700 Dëshmitarët që janë atje, kanë një frymë të shkëlqyer e të zellshme. Ata flasin vazhdimisht me njerëzit për shpresën e mrekullueshme për një botë të re, ku dhuna do t’i përkasë së kaluarës.—Zbulesa 21:1-4.

[Diçitura në faqen 23]

Aty ku kishte qëndruar më parë, ishte krijuar një gropë

[Figura në faqen 23]

Anita

[Figura në faqen 23]

Klaudi

[Figura në faqen 23]

Jozefi dhe Anxhela

[Burimi i figurës në faqen 22]

Sebastian D’Souza/​AFP/​Getty Images