Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

▪ Sipas një studimi, operacioni cezarian e shton më shumë se trefish rrezikun që nëna të vdesë, në krahasim me lindjen normale.​—OBSTETRICS AND GYNECOLOGY, SHBA.

▪ Shkencëtari Stiven Hoking ngriti këtë pyetje në Internet: «Si mund të vazhdojë raca njerëzore edhe për 100 vjet në një botë që është në kaos nga ana politike, shoqërore dhe për sa i përket mjedisit?» Pas një muaji ai pohoi: «Përgjigjen nuk e di. Ja pse e ngrita këtë pyetje, që t’i bëj njerëzit të mendojnë rreth saj dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që na rrethojnë.»​—THE GUARDIAN, BRITANI.

▪ Nga 37 milionë banorë që ka Tanzania, 14 deri në 19 milionë vuajnë çdo vit nga malarja. «Sëmundja merr rreth 100.000 jetë çdo vit në këtë vend.»​—THE GUARDIAN, TANZANI.

Peshqit mbrojnë rezervat e ujit

Disa qytete të Amerikës së Veriut po përdorin një lloj peshku të ujërave të ëmbla, Lepomis macrochirus, për të kontrolluar cilësinë e ujit të pijshëm. Ky peshk është shumë i ndjeshëm ndaj lëndëve kimike të mjedisit ku jeton. Një raport i Associated Press shpjegon: «Peshqit mbahen në rezervuarë që furnizohen vazhdimisht me ujë nga rezervat e qytetit, dhe pajisjet sinjalizuese punojnë ditë-natë pa pushim për të regjistruar ndryshimet në frymëmarrje, në rrahjet e zemrës dhe në mënyrën si notojnë, ndryshime që ndodhin kur ka lëndë helmuese.» Në raport thuhet se në një rast në qytetin e Nju-Jorkut, «peshqit e diktuan që në ujë ishte derdhur naftë dy orë para . . . pajisjeve të tjera zbuluese», dhe kjo nuk lejoi që lëndët helmuese të arrinin te rezervat e ujit të pijshëm.

Ngrihen nivelet e nikotinës

Gazeta The New York Times thotë se ndërkohë që gjatë fushatave të shëndetit publik duhanpirësve u është bërë thirrje ta lënë cigaren, firmat e cigareve i kanë «bërë tinëzisht cigaret me efekt më të fuqishëm për të rënë në varësinë e tyre», duke ngritur nivelin e nikotinës «10 për qind gjatë gjashtë viteve të kaluara». Nga një test i ri, që konsiderohet më realist në imitimin e zakoneve të duhanpirësve, është zbuluar se firmat e duhanit po përpiqen «që të rinjtë të bien në varësinë e duhanit dhe të vjetrit të mos heqin dorë». Në këto teste, «u vërejt se pothuajse të gjitha markat [e cigareve] lëshojnë një dozë nikotine të mjaftueshme për të shkaktuar një varësi të rëndë».

Krah artificial i kontrolluar nga truri

Një burrë në Shtetet e Bashkuara, të cilit ia prenë të dyja krahët gjer në sup pas një aksidenti, po përdor një krah artificial që kontrollohet nga truri. Ai mund të hipë në shkallë, të përdorë rulin për të lyer e madje të përqafojë nipërit. «Krahu i tij i majtë është një pajisje elektromekanike që kontrollohet nga truri,—shpjegon agjencia e lajmeve CNN (Cable News Network).—Ai mendon: ‘Mbylle dorën’, dhe sinjalet elektrike që dërgohen nëpërmjet nervave të devijuar në mënyrë kirurgjike, bëjnë të mundur që kjo të realizohet.» Elektrodat diktojnë aktivitetin muskulor i cili nxitet nga impulset që dërgon truri dhe i dërgojnë ato te një kompjuter që ndodhet në krah. Kompjuteri vë në lëvizje mekanizma të vegjël në krahun artificial, dhe kështu pjesët e tij imitojnë disa lëvizje që kryen bërryli dhe dora normale.

Mijëra lloje të reja!

Rreth 17.000 lloje të reja zbulohen çdo vit sipas gazetës Fenua Info të Tahitit. Gati tri të katërtat e tyre janë insekte, por ndër llojet e zbuluara janë rreth 450 vertebrorë, duke përfshirë 250 lloje peshqish dhe 20 deri në 30 lloje gjitarësh. Dy të tretat e gjitarëve të rinj janë brejtës dhe lloje të ngjashme me lakuriqët e natës dhe gazeta thotë se «mesatarisht, zbulohet një primat i ri çdo vit», gjë që sipas shkencëtarëve është e habitshme. Në listën e zbulimeve ka edhe pemë, edhe bimë.