Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrobalarësit e palodhur të Abixhanit

Rrobalarësit e palodhur të Abixhanit

Rrobalarësit e palodhur të Abixhanit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BREGUN E FILDISHTË

NGA Abixhani i Bregut të Fildishtë po udhëtonim drejt perëndimit. Teksa shijonim panoramat dhe dëgjonim tingujt e këtij qyteti të zhurmshëm afrikano-perëndimor, papritur na zunë sytë një skenë mbresëlënëse. Mbi një livadh të paanë ishin hapur mijëra rroba me ngjyra të ndezura. Ç’ishte kjo pamje ngjyra-ngjyra? Miqtë tanë vendës na e shpjeguan me kënaqësi arsyen. Aty punonin fanikot.

Fanikot janë një grup rrobalarësish të palodhur. Që kur zbardh e deri kur ngryset, qindra burra dhe disa gra të forta e fitojnë bukën e gojës duke larë rroba në lumin Banko. Emri i tyre është bashkim i fjalës fani, që në gjuhën djula ose jula do të thotë «copa» ose «rroba», me fjalën ko, e cila do të thotë «të lash». Pra në gjuhën djula, faniko do të thotë «dikush që lan rroba».

Puna e rrobalarësit

Një mëngjes herët shkuam t’i takonim fanikot në vendin e punës, për të mësuar më shumë rreth punës së tyre interesante. Ç’aktivitet i vrullshëm! Tashmë ishin në valën e punës. Lumi Banko, disi i turbullt, ishte mbuluar me kamerdare të stërmëdha brenda së cilave ishin vënë gurë të mëdhenj. Pranë secilës kamerdare, qëndronte një rrobalarës dhe uji i arrinte deri në kofshë ose deri në mes. Ai ishte i përqendruar në punën e tij, teksa shkumonte rrobat, i përplaste pas gurit dhe i fërkonte.

Që me natë, para se të lindë dielli, rrobalarësi faniko shkon derë më derë për të grumbulluar punë për ditën. Disa nga klientët e tij jetojnë nja 3 kilometra larg «lavanderisë». Ai i tërheq të gjitha rrobat me një karrocë dore ose bën një deng të madh dhe e mban mbi kokë. Pastaj faniko shkon në lumin Banko. Kur mbërrin atje e mirëpret një kor përshëndetjesh në shumë gjuhë, pasi fanikot që punojnë këtu vijnë nga shumë vende të Afrikës. Disa kanë qenë në këtë zonë për dekada me radhë, si zoti Brama, një rrobalarës muskuloz që tani është në të 60-at. Puna vazhdon pa pushim çdo ditë dhe ndërpritet vetëm tri ditë në vit.

Larja e rrobave është punë e rëndë. Pamë një burrë që uli dengun me rroba të palara. Një amvisë do të tmerrohej po të shihte gjithë atë deng. Ai e zgjidhi dengun dhe filloi të futë në ujë çdo rrobë. Pastaj, me një sapun të madh me vaj palme i shkumon rrobat një nga një dhe i rreh pas një guri. Ndonjëherë përdor një furçë për ndonjë njollë që mezi hiqet. Sa kushton larja e rrobave? Një këmishë kushton 0,05 euro, kurse një çarçaf mbase 0,1 euro. Ja përse fanikove u duhet të lajnë gjithë ato rroba që të sigurojnë jetesën.

Po ta shikonit pirgun e madh të rrobave që lajnë, ndoshta do ta pyetnit veten: ‘Si ia bëjnë që të mbajnë mend se të kujt janë rrobat?’ Mendja na shkoi se mos përdorin ndonjë metodë si ajo që përdor një grup rrobalarësish indianë, që kanë një kod sekret për t’i dalluar rrobat. Metoda që përdorin fanikot është krejt ndryshe nga ajo që përdorin rrobalarësit indianë, por gjithsesi, po aq e efektshme.

Udhërrëfyesi ynë i mirinformuar u përpoq të na shpjegonte teknikën që përdorin fanikot. Së pari, kur rrobalarësi mbledh rrobat e palara, vëren masën e çdo pjesëtari të familjes, që të mbajë mend se kujt i përket një rrobë. Ai nuk u vë rrobave as shenjë dhe as etiketë. Pastaj lidh një nyjë në çdo rrobë të së njëjtës familje, në të njëjtën pjesë rrobe, për shembull, në mëngën e majtë, në mëngën e djathtë, në jakë ose në rripin e mesit. Kur lan, gjithnjë ka kujdes që rrobat e së njëjtës familje t’i mbajë bashkë. Prapëseprapë, edhe kështu na u duk një provë e vështirë për kujtesën. Prandaj pyetëm një faniko nëse kishte humbur a kishte ngatërruar ndonjëherë rrobat e ndokujt. Në fytyrën e habitur i lexohej ky mendim: ‘Jo! Një faniko nuk humbet kurrë asnjë rrobë.’

A mund të vijë kushdo për të larë rroba në lumin Banko? Sigurisht që jo. Duhet ndjekur një procedurë e rreptë. Një faniko i ardhshëm kalon një periudhë prove trimujore, gjatë së cilës stërvitet nga një faniko i vjetër. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai mëson metodën e veçantë të mbajtjes mend të rrobave. Nëse nuk ia del, do t’i duhet të kërkojë punë diku gjetkë. Megjithatë, nëse fanikoja i ri është i zoti, paguan një kuotë të vogël dhe i caktojnë vendin e tij të punës ku ka një kamerdare dhe një gur të madh. Këtë vend nuk do ta përdorë njeri tjetër.

Sapuni me vaj palme

Sapuni luan një rol thelbësor në punën e rrobalarësit. Pra të sapoardhurit i mësohet edhe si ta përdorë siç duhet sapunin me vaj palme. Përdoren tri lloje të ndryshme sapuni që dallohen nga ngjyrat. Sapuni i bardhë dhe ai i verdhë përdoren për rrobat që janë pak të ndotura, kurse sapuni i errët për ato që janë shumë të ndotura. Ngjyra e errët është nga vaji i palmës, përbërësi kryesor. Meqë çdo faniko përdor të paktën dhjetë kallëpe sapuni çdo ditë, prodhuesit e sapunit që janë aty afër, i furnizojnë ata vazhdimisht.

Shkuam në një nga punishtet e thjeshta të sapunit, në faqen e kodrës përbri «lavanderisë». Puna e rëndë e bërjes së sapunëve fillon në gjashtë të mëngjesit. Tashmë punëtoret kanë blerë lëndën e parë në tregun vendës: vaj palme të mpiksur, hidroksid kaliumi, kripë, lëng nga pema e guanabanës, vaj nga palma e kokosit dhe gjalpë kakaoje—të gjitha këto janë lëndë të dekompozueshme. Ato i ziejnë bashkë këta përbërës në një fuçi të madhe çeliku që e vënë në zjarr. Pasi e ziejnë këtë përzierje për rreth gjashtë orë, e derdhin në tabaka dhe tasa metalikë dhe presin derisa të forcohet. Pas disa orësh e presin sapunin në kallëpe të mëdha.

Pastaj një nga gratë që ka përgatitur sapunin, mbush një enë plastike me kallëpe, e vë mbi kokë dhe shkon tatëpjetë kodrës deri te fanikot. Si ua shpërndan sapunët rrobalarësve, ndërkohë që ata merren me larjen e rrobave në lumë? Thjesht futet në ujë deri në mes me enën plot me sapunë, e lëshon enën të pluskojë në ujë, dhe kështu furnizon me sapunë këdo që ka nevojë.

Në fund të ditës

Kur një faniko ka mbaruar së lari të gjitha rrobat, shkon në faqen e kodrës përbri dhe i vë rrobat e sapolara në radhë mbi bar ose i nden në tela të sajuar. Si përfundim krijohet pamja shumëngjyrëshe që na tërhoqi vëmendjen në fillim. Gjithashtu, tani ka ardhur koha që rrobalarësi i palodhur të marrë pak frymë nga punët e shumta të ditës. Pasdite vonë, kur të gjitha rrobat janë tharë, i palos me kujdes një nga një dhe disa mund t’i hekurosë me një hekur me qymyr. Dalëngadalë po afrohet fundi i ditës, kështu që ai i bën deng rrobat e pastra e të hekurosura dhe ua çon të zotëve.

Kur pamë për herë të parë radhët pa fund të rrobave që ishin lënë për t’u tharë, nuk e dinim sa punë fshihej pas asaj pamjeje. Pra jemi mjaft të kënaqur që takuam fanikot e Abixhanit, pasi tani e kuptojmë më mirë dhe e vlerësojmë më shumë punën e rrobalarësve nëpër botë.

[Harta në faqen 10]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

BREGU I FILDISHTË

[Figura në faqen 12]

Kjo grua shet kallëpet e sapunit që ka bërë vetë

[Burimi i figurës në faqen 10]

PhotriMicroStock™/​C. Cecil