Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mjafton vetëm «të jesh i mirë»?

A mjafton vetëm «të jesh i mirë»?

Pikëpamja e Biblës

A mjafton vetëm «të jesh i mirë»?

«ME SA kam mundësi, mundohem të bëj një jetë sa më të ndershme dhe të jem njeri i mirë»,—thotë një e re që quhet Alison. Ashtu si ajo, edhe shumë të tjerë besojnë se gjithçka që Perëndia kërkon është që të bësh një jetë të tillë.

Të tjerë janë të sigurt se edhe po të mëkatojnë rëndë, janë në rregull me Perëndinë, mjafton që në përgjithësi të bëjnë një jetë të ndershme. Ata besojnë se Perëndia është më i prirur të falë sesa të dënojë.

Sigurisht, shprehjen «të jesh i mirë» ndryshe e përkufizon njëri e ndryshe tjetri. Por çfarë thotë Bibla? Çfarë duhet të bëjmë për të pasur miratimin e Perëndisë? Çfarë do të thotë të jesh njeri i mirë në sytë e Perëndisë?

Të pranojmë drejtimin e Krijuesit tonë

Meqë është Krijuesi ynë, Perëndia Jehova ka të drejtën të na japë një drejtim moral. (Zbulesa 4:11) Në Bibël, Perëndia na jep ligje dhe parime, për të na drejtuar si të sillemi dhe si ta adhurojmë atë. Perëndia i tha popullit të tij: «Bindjuni zërit tim dhe bëjini gjërat pikërisht siç ju urdhëroj unë. Kështu do të jeni populli im, dhe unë do të jem Perëndia juaj.»​—Jeremia 11:4.

Pra, që «të jesh i mirë» në sytë e Perëndisë, duhet të mësosh cilat janë normat e tij dhe të bësh ndryshime që të jetosh në përputhje me këto norma. Ta zëmë se dëshironi të zini miqësi me dikë. Sigurisht që do të donit të dinit se si i pëlqen të trajtohet dhe pastaj do të vepronit siç i pëlqen atij ose asaj. Bibla tregon se ashtu si patriarku Abraham, edhe ne mund të bëhemi miq të Jehovait, pra të kemi miratimin e tij. (Jakovi 2:23) Për më tepër, meqë Perëndia ka norma shumë më të larta se ne, nuk mund të presim që ai të bëjë ndryshime për t’u përshtatur me normat tona.​—Isaia 55:8, 9.

Rëndësia e bindjes

Vërtet nuk do të na miratojë Perëndia po të shpërfillim disa urdhërime «të vogla»? Disa mund të mendojnë se bindja ndaj disa urdhërimeve «të vogla» nuk është e rëndësishme. Megjithatë, asnjë ligj që ka vënë Perëndia nuk mund të shpërfillet si i parëndësishëm. Vini re se te 1 Gjonit 5:3, Bibla nuk bën ndonjë dallim kur thotë: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» Kur bëjmë çmos për të zbatuar të gjitha ligjet e Perëndisë, tregojmë dashurinë e sinqertë që kemi për të.​—Mateu 22:37.

Jehovai nuk kërkon përsosmëri. Nëse vërtet na vjen keq për fajet tona dhe përpiqemi me të gjitha forcat të mos i përsëritim, ai është i gatshëm të na falë. (Psalmi 103:12-14; Veprat 3:19) Por, a mund t’i shpërfillim me dashje disa ligje, duke menduar se do ta kompensojmë këtë duke u bindur në gjëra të tjera? Një shembull biblik na tregon se kjo nuk është e pranueshme.

Mbreti i Izraelit, Sauli, vendosi që disa ligjeve të Perëndisë t’u bindej, kurse disave jo. Kur luftoi me amalekitët, ai mori urdhrin që të mos linte gjallë asgjë nga bagëtia e tyre. Ai duhej ‘t’i vriste’. Ndonëse disa urdhrave të tjera iu bind, Sauli nuk iu bind këtij urdhri dhe nuk vrau ‘pjesën më të mirë të dhenve dhe të gjedhëve’. Pse? Sepse ai dhe populli i donin për vete këto.​—1 Samuelit 15:2-9.

Kur profeti Samuel e pyeti Saulin përse nuk i ishte bindur urdhrit të Perëndisë, Sauli kundërshtoi dhe pretendoi se i ishte bindur. Ai renditi gjërat e mira që ai dhe populli kishin bërë, duke përfshirë flijimet që i kishin ofruar Perëndisë. Samueli pyeti: «A kënaqet Jehovai me blatimet e djegura dhe flijimet, aq sa kur i bindesh zërit të Jehovait? Të bindesh është më mirë se flijimi dhe të kushtosh vëmendje është më mirë se dhjami i deshve.» (1 Samuelit 15:17-22) Pra, ne nuk mund ta kompensojmë mosbindjen ndaj Perëndisë për disa çështje, duke ofruar flijime ose duke bërë gjëra të tjera të mira.

Normat e Perëndisë​—Provë e dashurisë së tij

Me dashuri, Jehovai nuk na lë të hamendemi se çfarë duhet të bëjmë për t’i pëlqyer atij. Në Bibël, ai na jep një drejtim të qartë moral; është sikur na thotë: «Kjo është udha. Ecni në të!» (Isaia 30:21) Kur ndjekim drejtimin e tij, shmangim zhgënjimin dhe pasigurinë që vjen kur endemi nëpër opinionet kontradiktore të njerëzve rreth moralit. Dhe mund të jemi të sigurt se drejtimi i Perëndisë është gjithmonë për të mirën tonë, pasi ‘na mëson se si të nxjerrim dobi për vete’.​—Isaia 48:17, 18.

Cili është rreziku kur e vendosim vetë se çfarë do të thotë «të jesh i mirë»? Të gjithë kemi trashëguar prirjen për të vepruar me egoizëm. Vetë zemra jonë mund të na mashtrojë. (Jeremia 17:9) E kemi të lehtë të zvogëlojmë rëndësinë e atyre kërkesave të Perëndisë që ne na duken të vështira ose kufizuese.

Për shembull, dy të pamartuar mund të vendosin të kryejnë marrëdhënie seksuale, duke menduar se meqë nuk përfshihet dikush tjetër, është thjesht një çështje personale. Ndoshta e kuptojnë se kjo gjë nuk pajtohet me normat e Biblës, por nxjerrin përfundimin se meqë «nuk po i bëjnë keq njeriu», Perëndia s’ka pse e dënon. Dëshirat mund t’i verbojnë, e kështu ata nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht seriozitetin dhe pasojat e veprimeve të tyre. Bibla paralajmëron: «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.»​—Proverbat 14:12.

Të gjitha ligjet e Jehovait pasqyrojnë dashurinë e tij për njerëzit dhe dëshirën që ne t’i kursejmë vetes vuajtje. Moszbatimi i normave të Perëndisë lidhur me moralin seksual ose sjellje të tjera nuk i ka çuar njerëzit drejt një jete më të lumtur ose më të mirë. Shumë vetave, kjo gjë ua ka vështirësuar së tepërmi jetën. Nga ana tjetër, ndjekja e ligjeve të Perëndisë na ndihmon të bëjmë një jetë të mirë dhe të mos dëmtojmë as veten, as të tjerët.​—Psalmi 19:7-11.

Nëse dëshironi sinqerisht të jeni njeri i mirë në sytë e Perëndisë, atëherë bëni çmos që të ndiqni drejtimin e tij. Do të provoni vetë që «urdhërimet e [Jehovait] nuk janë të rënda».​—1 Gjonit 5:3.

A DONI TË DINI?

▪ Përse duhet të pranojmë drejtimin e Krijuesit tonë?​—Zbulesa 4:11.

▪ A duhet t’u bindemi të gjitha urdhërimeve të Perëndisë?​—1 Gjonit 5:3.

▪ Përse nuk është e mençur t’i zgjedhim vetë normat morale?​—Proverbat 14:12; Jeremia 17:9.

[Figura në faqen 21]

A keni pikëpamjen e Perëndisë për moralin?