Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Drejtim më i mirë se instinkti

Drejtim më i mirë se instinkti

Drejtim më i mirë se instinkti

«Nëse për të vendosur ç’është e moralshme, njeriu përdor vetëm lirinë e zgjedhjes, pa pasur asnjë parim për të gjykuar nëse zgjedhjet e tij janë të drejta, atëherë, për të mbushur këtë boshllëk moral, do të përdoret pa dyshim ligji.»​—DR. DANIEL KALAHANI.

MJERISHT, shqetësimi i Kalahanit është bërë realitet, pasi boshllëku moral, që sa vjen e përhapet në shumë pjesë të botës, i ka detyruar qeveritë të nxjerrin ligje pafund për të frenuar krimin. Në Samitin e Parë të Nënave Nigeriane, presidenti i Nigerisë shprehu shqetësimin e thellë për të ardhmen e vendit. Ai nuk kishte në mendje politikën apo varfërinë, por «një problem edhe më serioz»​—«rënien e përgjithshme të . . . vlerave themelore në familje, punë, komunitet dhe në shtet».

Në Britani, nga një anketë që iu bë 1.736 nënave u zbulua se «familja tradicionale po shpërbëhet për shkak se vlerat morale kanë marrë të tatëpjetën dhe janë shtuar familjet me një prind». Edhe në Kinë, morali po bie ndjeshëm. Revista Time thoshte se në këtë vend, më shumë se kurrë më parë, njerëzit po kryejnë marrëdhënie seksuale në një moshë më të re dhe me më shumë partnerë. «Është jeta ime, dhe bëj ç’të më dojë qejfi»,​—tha një e re kineze që krenohej se kishte kryer marrëdhënie me më shumë se 100 veta.

Degradimi moral ka ndikuar edhe tek ata me autoritet. «Udhëheqësit nuk admirohen më si shembuj të shkëlqyer morali»,​—tha Xhaved Akbar në gazetën Toronto Star të Kanadasë. Ai tha se politikanët, drejtuesit e korporatave e madje edhe udhëheqësit fetarë «duket se nuk kanë parime të forta morale».

Pse ka marrë të tatëpjetën?

Ka një sërë faktorësh që po e çojnë moralin tatëpjetë. Ndër ta është edhe prirja e përgjithshme për t’u rebeluar ndaj vlerave morale tradicionale. Për shembull, sipas një ankete në jug të Shteteve të Bashkuara, shumica e studentëve të anketuar mendonin se «e drejta dhe e gabuara është çështje pikëpamjesh».

Zbignjev Brezhinski, politikan dhe shkrimtar, përmendi një faktor tjetër. Ai shkroi se shoqëria e sotme «përqendrohet shumë te plotësimi i menjëhershëm i dëshirave personale, në një ambient ku motivi kryesor i sjelljes bëhet hedonizmi individual dhe kolektiv». * Pavarësia, lakmia dhe plotësimi i dëshirave mund të jenë tunduese, por a të çojnë drejt lumturisë e kënaqësisë së vërtetë dhe marrëdhënieve të mira me të tjerët?

«Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta»,​—tha Jezui. (Mateu 11:19) A janë njerëzit më të lumtur e më të sigurt ngaqë normat morale po bien? Mendoni për disa nga pasojat: rritje e mosbesimit, pasiguri, marrëdhënie të prishura, fëmijë që rriten pa baba ose pa nënë, epidemi e sëmundjeve të transmetuara seksualisht, shtatzëni të padëshiruara, varësi nga droga dhe dhunë. Është e qartë që këto gjëra nuk nënkuptojnë kënaqësi dhe arritje, përkundrazi, nënkuptojnë dhembje e dështim.​—Galatasve 6:7, 8.

Pasi kishte parë probleme të ngjashme në kohën e tij, Jeremia, një profet i Perëndisë, tha këto fjalë të frymëzuara: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Po, Perëndia nuk na krijoi të ishim të pavarur nga ai, ta zgjidhnim vetë se çfarë është e drejtë ose e gabuar. Ajo që ne na duket e mirë, në të vërtetë mund të jetë shumë e dëmshme. Në Bibël, te Proverbat 14:12 thuhet: «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.»

Armiku brenda nesh!

Cila është një arsye përse kemi nevojë për drejtim në çështjet morale? Sepse zemra mund të na mashtrojë. Në Bibël, te Jeremia 17:9 thuhet: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?» Nëse do të njihnit dikë që është i pabesë dhe i rrezikshëm, a do t’i zinit besë? Sigurisht që jo. E pra, secili prej nesh ka një zemër që mund të shfaqë pikërisht këto tipare. Prandaj, Perëndia na paralajmëron hapur, por me dashuri: «Kush i zë besë zemrës së vet, është budalla, por kush ecën me mençuri, do të shpëtojë.»​—Proverbat 28:26.

Çelësi është ky: në vend që të kemi besim tek aftësitë tona të papërsosura, kemi nevojë të ecim sipas mençurisë së Perëndisë, duke e mbrojtur kështu veten nga shumë gracka. Për më tepër, këtë mençuri të vyer mund ta gjejnë të gjithë ata që e dëshirojnë sinqerisht. «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar.»​—Jakovi 1:5.

Besoni te Perëndia «me gjithë zemër»

Duke përshkruar Krijuesin tonë, Bibla thotë: «Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.» (Ligji i përtërirë 32:4) Po, Jehovai është si një shkëmb i madh. Mund të mbështetemi plotësisht tek ai për të marrë drejtim të besueshëm moral dhe shpirtëror, pavarësisht nga ndryshimet përreth nesh. Te Proverbat 3:5, 6 thuhet: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»

Vërtet, kush mund të na japë një drejtim më të mirë sesa Krijuesi ynë, ai që numëron «edhe fijet e flokëve [tanë]»? (Mateu 10:30) Për më tepër, ai ka dhënë prova që është një mik i vërtetë e që na do aq shumë, sa tregohet gjithnjë i ndershëm me ne, edhe atëherë kur mund ta kemi të vështirë ta gëlltitim të vërtetën.​—Psalmi 141:5; Proverbat 27:6.

Gjithashtu vini re se Jehovai nuk na detyron t’i nënshtrohemi drejtimit të tij. Përkundrazi, ai na tërheq me anë të dashurisë. «Unë Jehovai, jam . . . Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh. Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:17, 18) A nuk ju bën për vete një Perëndi si ky? Ç’është më e rëndësishme, ai na e ka vënë përpara mençurinë e tij me anë të Fjalës së tij të frymëzuar, Biblës së Shenjtë, libri më i shpërndarë në botë.​—2 Timoteut 3:16.

Le të na ndriçojë udhën Fjala e Perëndisë

Psalmisti tha për Shkrimet e Shenjta: «Fjala jote është një llambë për këmbën time dhe një dritë për shtegun tim.» (Psalmi 119:105) Një llambë në këmbë na zbulon rreziqet që kemi afër, kurse një dritë për shtegun na ndriçon udhën që kemi përpara. Pra, Fjala e Perëndisë mund të na drejtojë të sigurt në jetë, duke na ndihmuar që për çdo çështje të marrim vendime të mençura e të drejta, qoftë për të tashmen, qoftë për të ardhmen.

Për shembull, shqyrtoni Predikimin në Mal. Në atë fjalim të shkurtër, që gjendet te kapitujt 5 deri në 7 të Mateut, Jezu Krishti foli për lumturinë, dashurinë, urrejtjen, mëshirën, moralin, lutjen, rendjen pas pasurisë dhe për shumë tema të tjera që sot janë po aq aktuale sa edhe atëherë. Kaq të mençura ishin fjalët e tij, saqë «turma mbeti e mahnitur nga mënyra se si mësonte» ai. (Mateu 7:28) Pse nuk gjeni pak minuta për ta lexuar vetë këtë fjalim? Ka shumë mundësi që edhe juve t’ju lërë mbresa.

«Vazhdoni të kërkoni» ndihmën e Perëndisë

Pa dyshim, nuk është gjithnjë e lehtë të bësh atë që është e drejtë në sytë e Perëndisë. Bibla i krahason me një luftë përpjekjet tona për të mposhtur veten që të mos mëkatojmë. (Romakëve 7:21-24) Megjithatë, me ndihmën e Perëndisë mund ta fitojmë këtë luftë. Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni . . . . Sepse kush kërkon, merr; kush kërkon, gjen.» (Luka 11:9, 10) Po, Jehovai nuk do t’i kthejë krahët askujt që me sinqeritet përpiqet të ecë në shtegun e ngushtë që të çon në jetën e përhershme.​—Mateu 7:13, 14.

Të marrim rastin e Frankut që pinte duhan kur nisi studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Pasi lexoi 2 Korintasve 7:1 dhe me të drejtë nxori përfundimin se për Perëndinë ky ves ishte «ndotje e mishit», Franku vendosi ta linte duhanin. Por nuk ishte kaq e lehtë. Një herë arriti deri aty sa të kërkonte këmbadoras ndonjë bisht cigareje të vjetër që ta ndizte.

Ky veprim aspak dinjitoz e bëri të kuptonte se sa e kishte skllavëruar duhani. (Romakëve 6:16) Prandaj, u lut me zjarr për ndihmë, nxori plotësisht dobi nga shoqëria e mirë në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë dhe e mposhti këtë ves.​—Hebrenjve 10:24, 25.

Plotësoni nevojën për të njohur Perëndinë

Përvoja e Frankut është vetëm një nga përvojat e shumta që tregojnë se Bibla siguron drejtimin më të mirë moral dhe shpirtëror, si dhe nxitjen për të vepruar sipas këtij drejtimi. Prandaj nuk është për t’u habitur që Jezui tha: «Njeriu s’jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Jehovait.»​—Mateu 4:4.

Kur i marrim për zemër të vërtetat e çmuara të Perëndisë, kemi dobi në çdo drejtim: nga ana mendore, emocionale, fetare dhe fizike. Në Psalmin 19:7, 8 thuhet: «Ligji i Jehovait është i përsosur, ai ta gjallëron shpirtin. . . . Urdhrat e Jehovait janë të drejtë dhe ta gëzojnë zemrën. Urdhërimet e Jehovait janë të pastra dhe i bëjnë sytë të ndrijnë [nga shpresa dhe nga një ide e qartë për qëllimin e Perëndisë].»

Me anë të Fjalës së tij, Jehovai jo vetëm që na ndihmon të kemi një busull morale të saktë e të jetojmë sa më mirë sot, por edhe hedh dritë mbi të ardhmen tonë. (Isaia 42:9) Siç tregohet në artikullin vijues, kjo e ardhme do të jetë e shkëlqyer për të gjithë ata që pranojnë drejtimin e Perëndisë.

[Shënimi]

^ par. 8 Hedonizëm quhet pikëpamja se kënaqësia është qëllimi kryesor në jetë.

[Kutia dhe figura në faqet 4, 5]

«Busulla» jote morale

Njerëzit kanë një dhuratë të çmuar: ndërgjegjen. Si rrjedhojë, njerëzit e çdo kombi dhe fisi, si edhe të çdo epoke, kanë pasur kode me norma shumë të ngjashme. (Romakëve 2:14, 15) Megjithatë, ndërgjegjja nuk është një udhërrëfyese e pagabueshme; ajo mund të ndikohet nga bindjet e rreme fetare, filozofitë e njerëzve, paragjykimet dhe dëshirat e gabuara. (Jeremia 17:9; Kolosianëve 2:8) Prandaj, ashtu si një piloti mund t’i duhet të gradojë aparatet e udhëtimit, edhe ne kemi nevojë të kontrollojmë dhe, nëse nevojitet, të rregullojmë busullën tonë morale e shpirtërore sipas normave të drejta të ‘Ligjdhënësit tonë’, Perëndisë Jehova. (Isaia 33:22) Ndryshe nga normat e sjelljes që nxjerrin njerëzit, e që mund të ndryshojnë nga brezi në brez, normat e përsosura të Perëndisë qëndrojnë përgjithmonë. Ai thotë: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.»​—Malakia 3:6.

[Kutia në faqen 7]

Drejtim për marrëdhënie të mira dhe një jetë të lumtur

SI TË GJEJMË LUMTURI

«Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë!»​—MATEU 5:3.

«Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​—VEPRAT 20:35.

«Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»​—LUKA 11:28.

SI TË FITOJMË BESIMIN E TË TJERËVE

«Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.»​—EFESIANËVE 4:25.

«Vjedhësi të mos vjedhë më.»​—EFESIANËVE 4:28.

«Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi.»​—HEBRENJVE 13:4.

SI TË NDËRTOJMË MARRËDHËNIE TË MIRA

«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»​—MATEU 7:12.

«[Burri] ta dojë gruan si veten, . . . gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»​—EFESIANËVE 5:33.

«Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.»​—KOLOSIANËVE 3:13.

SI TË SHMANGIM DHE SI TË ZGJIDHIM MOSMARRËVESHJET

«Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.»​—ROMAKËVE 12:17.

«Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. . . . Ajo nuk e mban llogari të keqen.»​—1 KORINTASVE 13:4, 5.

«Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar.»​—EFESIANËVE 4:26.