Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjiri i Peshkaqenëve​—Botë çudirash në ujë

Gjiri i Peshkaqenëve​—Botë çudirash në ujë

Gjiri i Peshkaqenëve​—Botë çudirash në ujë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

GJIRI I PESHKAQENËVE është një gji relativisht i cekët dhe i madh në skajin më perëndimor të Australisë, rreth 650 kilometra në veri të qytetit të Perthit. Në vitin 1629, eksploruesi holandez Fransua Pelsart e damkosi këtë zonë të shkretë si «një vend shterpë dhe të mallkuar, pa gjelbërim e bimësi». Vizitorë të mëvonshëm i shprehën mbresat e tyre, duke u vënë këtyre viseve emra të tillë, si: Skaji i pashpresë, Gjiri i pavlerë dhe Bërryli i zhgënjimit.

Megjithatë, sot më shumë se 120.000 veta vërshojnë çdo vit në Gjirin e Peshkaqenëve. Kaq mbresëlënëse janë mrekullitë e këtij rajoni të largët, saqë në vitin 1991, ai u rendit në Listën e Trashëgimisë Botërore. *

Livadhe plot jetë

Pelsarti do t’i kishte gjetur livadhet me bar po të kishte parë nën ujë, pasi Gjiri i Peshkaqenëve ka livadhet më të mëdha e më të larmishme në botë me barishte deti, që kanë një sipërfaqe mbi 4.000 kilometra katrorë. Vetëm Cekëtina e Barishteve të Vuramelit, shtrihet 130 kilometra përgjatë krahut lindor të Gjirit të Peshkaqenëve.

Barishtet e detit, që në të vërtetë janë bimë me lule, sigurojnë kushtet për një larmi marramendëse llojesh detare. Të vegjlit e karkalecave të detit, peshqit e veckël dhe krijesa të tjera të panumërta detare jetojnë në këtë strehëz barishtesh. Gjithashtu, këto livadhe sigurojnë ushqim me bollëk për rreth 10.000 dugongë ose lopë deti të këtyre anëve. Këta gjitarë të butë dhe kureshtarë, që peshojnë deri në 400 kilogramë, ushqehen të qetë në kullotat e bollshme nënujore, ndonjëherë në kope me më shumë se 100 kokë. Sot në Australinë Veriore, që nga Gjiri i Peshkaqenëve në perëndim e deri te Gjiri i Mortonit në lindje, mbase strehohen shumica e dugongëve që gjenden në tokë. *

Siç kuptohet edhe nga emri, Gjiri i Peshkaqenëve është habitati i një numri të madh peshkaqenësh që u përkasin më shumë se dymbëdhjetë llojeve. Këtu përfshihet i frikshmi peshkaqeni-tigër dhe peshkaqeni-balenë që është gjigant, por i parrezikshëm. Ai është peshku më i madh në botë. Peshkaqenët jetojnë në këto ujëra bashkë me delfinët, duke hedhur poshtë konceptin sipas së cilit ku ka delfinë, s’ka peshkaqenë. Ç’është e vërteta, studiuesit kanë zbuluar se rreth 70 për qind e delfinëve të zonës kanë vraga nga sulmet e peshkaqenëve. Ndër gjallesat e larmishme të gjirit janë edhe mijëra balena me gungë që ndalojnë për të pushuar gjatë shtegtimit të tyre të përvitshëm drejt jugut dhe shumë breshka uji që vijnë çdo vit për të shtruar vezët në plazhe.

A janë vërtet shkëmbinj?

Ndryshe nga pjesët e tjera të Gjirit të Peshkaqenëve, Pellgu i Hamelinit, që gjendet në skajin më jugor të gjirit, duket i zhveshur dhe pa jetë. Për shkak të avullimit të madh, këto cekëtina të ngrohta janë dy herë më të kripura se uji i zakonshëm i detit. Buzë ujit janë ca si shkëmbinj ngjyrë hiri. Por po t’i shohësh nga afër, zbulon se këta «shkëmbinj» në të vërtetë janë stromatolite, produkt i kolonive të disa mikroorganizmave njëqelizorë të quajtur cianobaktere ose algat blu-të gjelbra. Mendoni pak, në çdo metër katror jetojnë rreth tre miliardë prej tyre.

Këto mikrobe rezistente përziejnë mukusin veshtullor me lëndë që i marrin nga deti dhe formojnë një shtresë të fortë. Kështu shtresë pas shtrese formojnë shtëpinë e tyre shkëmbore. Ky proces është jashtëzakonisht i ngadaltë. Imagjinoni, kur arrin lartësinë 30 centimetra, stromatoliti mund të jetë gati 1.000-vjeçar!

Pellgu i Hamelinit ka stromatolitet detare më të shumta e më të larmishme në botë. Për më tepër, ai është ndër ato pak vende me stromatolite që kanë mbetur në botë.

«Superyjet» e Gjirit të Peshkaqenëve

Mrekullitë më të mëdha të Gjirit të Peshkaqenëve janë delfinët-hundëshishe të Manki-Mias, një plazh në cep të gadishullit të Denamit. Manki-Mia është një nga vendet e pakta në botë ku delfinët i afrohen rregullisht bregut që të takojnë njerëzit. Askush nuk e di me siguri se kur filloi ky zakon.

Thuhet se aty nga vitet 50, delfinët i çonin peshqit në cekëtina për t’i ngrënë, diçka që mund të vërehet ende sot. Njerëzit mund të kenë përfituar nga kjo gjë për t’u ushqyer dhe për të zënë miqësi me delfinët. Në vitin 1964, një peshkatare vendëse i hodhi një peshk një delfini që po pllaquritej i vetëm rrotull barkës së saj në Manki-Mia. Të nesërmen mbrëma, delfini, të cilin njerëzit e quajtën Çarli, u kthye dhe mori një peshk direkt te dora e saj. Shpejt bashkë me Çarlin u bashkuan edhe miqtë e tij.

Që prej asaj kohe, tri breza delfinësh kanë kënaqur miliona vizitorë e po kështu edhe mjaft biologë. Më shumë se 100 prej këtyre biologëve kanë ardhur nga vende të ndryshme dhe kanë bërë studime për këto kafshë, duke i bërë delfinët e kësaj zone, më të studiuarit në botë.

Sot, në të shumtën e mëngjeseve, delfinët vizitojnë Manki-Mian. Shpesh ata sjellin me vete të vegjlit e tyre. Turma vizitorësh të emocionuar presin mbërritjen e tyre, por vetëm pak kanë shansin t’i ushqejnë. Pse? Sepse rojat e parkut duan të sigurohen që kafshët të mos bëhen të varura nga «lëmoshat» e vizitorëve. Megjithatë, të gjithë turistët arrijnë të shohin qartë shfaqjen e delfinëve. «Ah, sikur njerëzit ta kishin këtë miqësi me të gjitha krijesat e tokës!»,​—tha e emocionuar një grua.

Bibla tregon se një dëshirë e tillë pasqyron qëllimin që kishte Perëndia në fillim, pra që të gjitha kafshët t’u nënshtroheshin paqësisht njerëzve. (Zanafilla 1:28) Nëse i doni kafshët, do të kënaqeni nga fakti që qëllimi i Perëndisë, ndonëse është penguar përkohësisht nga mëkati, do të realizohet plotësisht kur Mbretëria e Perëndisë, një qeveri qiellore në duart e Jezu Krishtit, të sundojë mbi tokën.​—Mateu 6:9, 10; Zbulesa 11:15.

Nën Mbretërinë e Perëndisë, e gjithë toka do të jetë një vend me bukuri natyrore, ku krijesat do të jenë plot shëndet dhe jetë. Së shpejti, vende si Gjiri i Peshkaqenëve ndoshta do t’u servirin edhe më shumë mrekulli se tani turistëve.​—Psalmi 145:16; Isaia 11:6-9.

[Shënimet]

^ par. 4 Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë përfshin në Listën e Trashëgimisë Botërore, vende me rëndësi të veçantë kulturore dhe natyrore.

^ par. 7 Edhe pse janë të ngjashme me lopët e zakonshme të detit, dugongët janë lloj tjetër. Lopët e detit kanë bisht të rrumbullakët, kurse këta e kanë me maja, si delfinët.

[Hartat në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

AUSTRALI

GJIRI I PESHKAQENËVE

[Figura në faqet 1617]

Pamje nga sipër e plazhit të Manki-Mias

[Figura në faqen 16, 17]

Dugong i butë ose një lloj lope deti

[Burimi]

© GBRMPA

[Figura në faqet 16, 17]

Stromatolitet i ndërtojnë miliarda organizma të veckël

[Figura në faqen 17]

Delfinët vizitojnë rregullisht plazhin e Manki-Mias

[Burimet e figurave në faqen 15]

© GBRMPA; hartë satelitore Jeff Schmaltz, MODIS Rapid Response Team, NASA/​GSFC

[Burimi i figurës në faqen 17]

Të gjitha pamjet, përveç dugongut, me mirësjellje nga Tourism Western Australia