«Jehova, të lutem, më lër të të shërbej»
«Jehova, të lutem, më lër të të shërbej»
Treguar nga Daniela Holl
Kur isha e vogël, vdisja të shkoja te gjyshja që jetonte në derën ngjitur. Çdo ditë ajo merrte një sy gjumë pas drekës. Kur rastisja në atë orar, rrinim të dyja në krevat dhe ajo më lexonte tregime nga Bibla. Shpesh më thoshte: «Kurrë mos harro se Jehovai të do. Dhe nëse ti e do, ai gjithmonë do të kujdeset për ty.» Fjalët e saj m’u ngulitën thellë në mendje dhe në zemër.
GJYSHJA vdiq në vitin 1977, kur isha katër vjeçe. Ajo ishte Dëshmitare e Jehovait, siç ishin të gjithë njerëzit nga fisi i babit, që jetonin në qytetin tonë, në Moi të Australisë. Prindërit e mi nuk ishin Dëshmitarë, por babi i vlerësonte ata. Më vonë familja ime u transferua në Tintenbar, një qytet i vogël afër bregut të Uellsit të Ri Jugor. Atje, bashkë me vëllanë e madh, Xhemin dhe me babin shkonim me raste në mbledhje.
Kur isha tetë vjeçe, prindërit e mi u ndanë. Babi u kthye në Moi, kurse unë dhe Xhemi ndenjëm me mamin. Ajo nuk kishte interes për Biblën dhe nuk donte që ne të shkonim në mbledhjet e Dëshmitarëve. Kjo më trishtonte shumë. Fjalët e gjyshes më ishin rrënjosur thellë në zemër.
E dija që e doja vërtet Jehovain dhe dëshiroja t’i shërbeja. Kështu i lutesha atij dhe i thosha se edhe unë isha një Dëshmitare e tij. Edhe Xhemi ndihej njësoj.Sprova në shkollë
S’kaloi shumë dhe një mësues u kërkoi nxënësve të klasës të thoshin një nga një me zë të lartë se çfarë feje kishin, që ta shënonte në regjistër. Kur i erdhi radha Xhemit, ai tha qartë dhe me zë të lartë: «Dëshmitar i Jehovait.» Mësuesi mbeti për një çast dhe kërkoi t’ia përsëriste, kështu Xhemi ia tha prapë. «Nuk ma merr mendja, por do të flasim prapë bashkë»,—tha mësuesi. Kur erdhi radha ime, edhe unë thashë me zë të lartë: «Dëshmitare e Jehovait.» Mësuesi, që dukej qartë që ishte mërzitur, thirri drejtorin.
«I kam para syve dokumentet tuaja të regjistrimit dhe prindërit nuk ju kanë regjistruar si Dëshmitarë të Jehovait»,—tha i sigurt drejtori. «Po ne këtë fe ndjekim»,—iu përgjigjëm me respekt. As ai dhe as mësuesi nuk e zunë më në gojë këtë çështje.
Në shkollë përpiqesha t’u flitja shokëve të klasës me atë njohuri të kufizuar biblike që kisha. Ngaqë merrja me vete Librin tim të tregimeve biblike, herë pas here i lexoja ndonjë tregim një vajze që besonte te Perëndia. * Por ngaqë përpiqesha të jetoja sipas normave të krishtere, nuk më shihnin dhe aq me sy të mirë, e nganjëherë, ndihesha shumë e vetmuar.
I lutesha Jehovait kaq shpesh e me kaq zjarr, saqë ai u bë miku im më i ngushtë. Sa herë vija nga shkolla, ulesha mbi krevat dhe i tregoja fije për pe Jehovait ngjarjet e ditës. Shpesh qaja. Me lotët që më binin faqeve, i përgjërohesha: «Jehova, të lutem, më lër të të shërbej bashkë me popullin tënd.» Pas lutjes, gjithnjë ndihesha shumë më mirë.
Një letër që më dha forcë
Kur isha dhjetë vjeçe, Xhemi u kthye në Moi te babi. Tani isha edhe më e izoluar frymësisht. Një herë kur shkova në shtëpinë e një fqinje, gjeta disa revista të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait. E lumturuar fiksova adresën e zyrës së degës dhe shkova vrap në shtëpi që ta shkruaja. I shkrova degës një letër nga zemra dhe u tregova situatën time, duke u kërkuar ndihmë frymore. Në përgjigje më shkruan një letër me dy faqe. M’u mbushën sytë me lot nga ajo letër prekëse, e shkruar enkas për mua. Ja tek e kisha provën që unë isha vërtet e çmuar për Jehovain.
Në letër më inkurajonin të imitoja besimin e vajzës së vogël izraelite, që u bë shërbëtore e Naamanit, një komandanti të ushtrisë siriane në kohët biblike. Edhe pse ishte robinjë dhe shumë larg vendlindjes, ajo qëndroi e lidhur ngushtë me Perëndinë e saj, Jehovain. Dhe duke folur me guxim për besimin e saj, e tregoi se ishte vërtet një dëshmitare e tij.—2 Mbretërve 5:1-4.
Në letrën që vinte nga zyra e degës thuhej edhe: «Si vajzë e vogël që je, duhet t’i shërbesh Jehovait duke iu bindur prindërve dhe duke mësuar mirë në shkollë. Gjithashtu, duhet t’i qëndrosh afër Jehovait, duke u lutur e studiuar.» Në përfundim thuhej: «Daniela, mos harro se kudo që të jemi, Jehovain e kemi gjithnjë pranë. E dimë që ti e beson këtë.» (Romakëve 8:35-39) Ajo letër, tashmë e vjetër dhe e konsumuar, është ende në faqen e parë të Biblës sime. E kam lexuar shpesh gjatë viteve dhe gjithnjë me lot në sy.
S’kaloi shumë dhe mora një letër tjetër ku thuhej se babi kishte porositur të m’i dërgonin me postë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Fluturova nga gëzimi. Tani merrja rregullisht ushqim frymor. Sa herë që vinte numri i ri, e lexoja nga faqja e parë tek e fundit. Ende i ruaj kopjet e para të këtyre revistave të bukura që më vinin. Rreth asaj kohe, një mbikëqyrës i
krishterë nga kongregacioni vendës vinte të më takonte. Vizitat e tij, ndonëse të shkurtra, ishin shumë inkurajuese.Ndryshime që sollën përparim
Pavarësisht se nga ana frymore situata ime ishte përmirësuar, ende dëshiroja me gjithë shpirt ta adhuroja lirshëm Jehovain. Prandaj, kur mbusha 13 vjeç, e pyeta mamin nëse mund të jetoja me babin. E doja shumë mamin, sikurse edhe ajo mua, por isha e vendosur t’i shërbeja Perëndisë. Kur ajo ra dakord, u ktheva në Moi dhe nisa të studioja Biblën me kongregacionin vendës. Me lejen e babit, bashkë me Xhemin i ndiqnim të gjitha mbledhjet. Dëshmitarët vendës bënin çmos të na ndihmonin. Unë dhe Xhemi bëmë përparim të shpejtë frymor dhe më vonë u pagëzuam njëri pak muaj pas tjetrit. Po, lutja ime e fëmijërisë mori përgjigje. Tani i shërbeja Jehovait bashkë me popullin e tij.
Ndërkohë u lidha shumë me hallën time Lorenën dhe të shoqin, Filip Tejlorin; edhe ata në kongregacionin e Moit. Më kishin si vajzën e vet. Kur ata shkuan në ishullin e Buganvilit, në Papua-Guinenë e Re, për të shërbyer ku kishte më shumë nevojë për predikues të Mbretërisë, e pranova menjëherë ftesën e tyre për t’i shoqëruar. Isha vetëm 15 vjeçe, por babi me mamin më lanë të shkoja.
Në Buganvil e vazhdova shkollën me korrespondencë. Përveç shkollës, shumicën e kohës e kaloja në predikim. Sa e gëzuar ndihesha që predikoja me misionarë dhe pionierë! Vendësit ishin pa diskutim njerëzit më të përulur që kam takuar dhe shumë prej tyre ishin të etur të studionin Biblën.
Po atë vit shpërtheu një konflikt politik dhe ishte e rrezikshme që të qëndroja. M’u copëtua zemra kur lashë atë ishull të vogël dhe njerëzit e tij të mrekullueshëm. Teksa avioni i vogël ku kisha hipur po ngrihej, shihja xhaxhi Filipin që qëndronte në pistë duke ma bërë me dorë. Qaja me dënesë dhe në heshtje iu përgjërova Jehovait që një ditë të më lejonte t’i shërbeja si misionare në një vend të huaj.
Lutje të tjera marrin përgjigje
Kur u ktheva në Australi, pasi mbarova shkollën e mesme, nisa një stazh në një kompani ligjore. Ndërkohë babi ishte martuar dhe kujdesej për një familje të madhe. Xhemi jetonte me mamin. Për njëfarë kohe, shkoja sa te mami, te babi. Jeta dukej e ndërlikuar. Kisha nevojë ta thjeshtoja dhe të përqendrohesha te synimet frymore. Kështu, në vitin 1994, fillova shërbimin e plotkohor si pioniere në Moi.
Isha sërish e lumtur. Shokët e mi ishin ata të rinj në kongregacion që kishin synime frymore. Ata u bënë një mbështetje e madhe për mua. Në vitin 1996 u martova me një prej tyre, Uillin—njeri gojëmbël, i dashur, i përulur, që ishte vërtet një bekim nga Jehovai.
Nisëm një jetë të qetë martesore dhe lumturia jonë dukej e plotë. Një ditë, Uilli erdhi në shtëpi pasi kishte predikuar me mbikëqyrësin udhëtues që po vizitonte kongregacionet e zonës sonë. Pasi më tha të uleshim, më pyeti: «A do të të pëlqente të transferoheshim për të ndihmuar një kongregacion tjetër?» Me vete thashë menjëherë po. Megjithatë, e pyeta me shaka: «Ku? Në Vanuatu? Në Fixhi?» Uilli m’u përgjigj: «Në Moruel.» S’e mbajta dot dhe thashë: «Po ai është dy hapa larg!» Qeshëm dhe menjëherë ramë dakord të transferoheshim me kënaqësi në kongregacionin fqinjë ku do të shërbenim si pionierë.
Tri vitet vijuese në Moruel ishin të lumtura dhe të frytshme. Pastaj patëm një surprizë tjetër. Morëm një ftesë nga zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Australi për të shërbyer si pionierë specialë. Cili ishte caktimi ynë? Timori Lindor, një vend i vogël në skajin lindor të arkipelagut të Indonezisë. M’u mbushën sytë me lot. E falënderova Jehovain që u ishte përgjigjur të gjitha lutjeve të mia. Jo vetëm që më kishte mirëpritur si një shërbëtore të tij, por tani, bashkë me tim shoq mund të shërbenim në një vend të huaj.
Shërbejmë në vend të huaj
Mbërritëm në Dili, në kryeqytet, në korrik të vitit 2003. Kongregacioni i Dilit, i vetmi në atë vend, përbëhej nga 13 pionierë specialë nga Australia dhe disa Dëshmitarë vendës. Vëllezërit dhe motrat timorezë ishin shumë të varfër; shumë prej tyre kishin humbur zotërimet dhe familjarët në luftën civile që zgjati 24 vjet e që përfundoi në vitin 1999. Gjithashtu, shumë prej tyre kishin duruar kundërshtim të fortë nga familjet për besimin e tyre të ri. Pavarësisht nga shtrëngimi dhe varfëria, ata ishin të pasur frymësisht dhe të lumtur.—Zbulesa 2:8, 9.
Pamë se shumë timorezë ishin besimtarë dhe e respektonin Biblën. Shpejt patëm më shumë studime biblike sesa mund të mbanim. Me kalimin e kohës, disa nga studentët tanë të parë shërbyen përkrah nesh si vëllezërit dhe motrat tona të pagëzuara. Na bëhej zemra mal kur shihnim rritjen e tyre frymore.
Në vitin 2006, në Dili filloi sërish kaosi. Tensioni ndërmjet grupeve të ndryshme etnike u kthye në një konflikt të përgjithshëm. Shumë shtëpi u plaçkitën ose u bënë shkrumb e hi, dhe Dëshmitarët vendës kërkonin strehë në shtëpitë e pionierëve specialë. Shtëpia dhe oborri ynë u kthyen në një kamp refugjatësh dhe një herë, u bëmë gati njëqind veta. Garazhi ynë i madh u bë kuzhinë, mensë dhe Sallë Mbretërie e përkohshme.
Ndonëse afër krisnin armët dhe shpërthenin granatat, shtëpia jonë e pionierëve ishte një liman paqeje. Të gjithë e ndienim dorën mbrojtëse të Jehovait. Çdo ditë e nisnim duke shqyrtuar si grup një shkrim nga Bibla. Mbledhjet i mbanim si zakonisht. Gjithashtu drejtonim studime biblike me të interesuarit.
Teksa javët kalonin, u bë e qartë se ishte e rrezikshme që vëllezërit nga lindja e vendit të qëndronin në Dili. Kështu vëllezërit që merrnin drejtimin vendosën të krijonin një grup të ri në Baukau, qyteti i dytë për nga madhësia, që gjendet tri orë larg në lindje të Dilit. Ja përse unë dhe Uilli morëm një caktim të ri.
Mbërritëm në Baukau në korrik të vitit 2006, pothuajse tri vjet fiks pasi kishim mbërritur në Timorin Lindor. Grupi ynë i ri përbëhej nga katër pionierë specialë dhe gjashtë Dëshmitarë timorezë. Vëllezërit dhe motrat vendës kishin lënë të gjitha zotërimet e tyre në Dili, por jo buzëqeshjen me gjithë shpirt. E admironim vërtet besnikërinë dhe vetëmohimin e tyre.
Uilli dhe unë ende shërbejmë në Baukau. E kemi për zemër caktimin tonë dhe e shohim si një bekim tjetër nga Jehovai. Kur kthej kokën nga e kaluara, e kuptoj se gjyshja kishte të drejtë. Jehovai kurrë nuk ka reshtur së kujdesuri për mua gjatë viteve. E falënderoj vazhdimisht që më dha privilegjin t’i shërbej atij bashkë me popullin e tij. Mezi pres ta takoj prapë gjyshen kur të ringjallet. Do ta falënderoj se më dha çelësin që më hapi derën drejt një jete vërtet të lumtur dhe shpërblyese.
[Shënimi]
^ par. 9 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 26]
Me gjyshen
[Figura në faqet 28, 29]
Me tim shoq, Uillin