Lini Perëndinë t’ju drejtojë për te ‘jeta e vërtetë’
Lini Perëndinë t’ju drejtojë për te ‘jeta e vërtetë’
DIÇKA thelbësore për çdo drejtim është besueshmëria. Ata që e njohin Jehovain, autorin e Biblës, janë të bindur se ai është personi më i besueshëm. Ai «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2; 2 Timoteut 3:16) Josiu, shërbëtor i Perëndisë që e udhëhoqi Izraelin drejt Tokës së Premtuar, dëshmoi personalisht për besueshmërinë e Jehovait. Duke iu drejtuar popullit, ai tha: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.»—Josiu 23:14.
Që nga koha e Josiut, kanë dalë të vërteta edhe shumë profeci të tjera biblike. Këto profeci të plotësuara na japin një bazë të qëndrueshme për të pasur besim të fortë te profecitë që pritet të plotësohen. Shumë prej tyre lidhen me qëllimin e Perëndisë për tokën dhe për njerëzit e bindur.
A do të nxirrni dobi nga drejtimi i Perëndisë?
Jehovai, personifikimi i dashurisë, dëshiron që ne të jemi të lumtur tani dhe përgjithmonë. (Gjoni 17:3; 1 Gjonit 4:8) Po, Perëndia dëshiron që ne të kemi «jetën e vërtetë», jetën e përhershme. (1 Timoteut 6:12, 19) Për këtë arsye, më shumë se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait, duke iu bindur urdhrit të Perëndisë, flasin tërë gëzim me të tjerët për ‘lajmin e mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14) Sot ata po e bëjnë këtë vepër në 235 vende, pra pothuajse në çdo shtet të botës.
Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore në duart e Jezu Krishtit. (Danieli 7:13, 14; Zbulesa 11:15) Nën sundimin e tij, të gjithë të ligjtë, ata që nuk pranojnë t’u binden normave të drejta të Jehovait, do të shkatërrohen. (Psalmi 37:10; 92:7) Pastaj, e tërë toka «do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin».—Isaia 11:9.
Mendoni për paqen dhe harmoninë që do të mbizotërojë kur çdo njeri në planet të adhurojë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë» dhe me gatishmëri t’i nënshtrohet drejtimit të tij të dashur dhe normave të tij të përsosura. (Gjoni 4:24) Më në fund njerëzit do të kenë «jetën e vërtetë» që premton Perëndia!
Megjithatë, siç është parathënë, janë relativisht pak ata që do të pranojnë drejtimin e Perëndisë dhe do të fitojnë jetën. (Mateu 7:13, 14) A dëshironi të jeni ndër ta? Nëse po, Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë me sinqeritet të shqyrtoni Shkrimet dhe të lini që këshillat e Perëndisë t’ju drejtojnë. Në këtë mënyrë do ta «shijoni» vetë sa i mirë është Jehovai. (Psalmi 34:8) Ashtu si instinkti i drejton në mënyrë të pagabueshme zogjtë për në vendin e shtegtimit, ashtu edhe Jehovai do t’i udhëheqë besnikët e tij drejt jetës në Parajsë.—Luka 23:43.
[Figura në faqet 8, 9]
«Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!»—MATEU 5:5
«Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—PSALMI 37:11
«Tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje.»—ZBULESA 21:3, 4
«Të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»—PROVERBAT 2:21, 22