Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mrekullia e mençurisë instinktive

Mrekullia e mençurisë instinktive

Mrekullia e mençurisë instinktive

«Shtegtimi është ndoshta dukuria natyrore më mahnitëse.»​—ATLASI ‘COLLINS’ PËR SHTEGTIMIN E ZOGJVE.

MË DATËN 9 dhjetor 1967, piloti i një aeroplani pikasi një tufë me afro 30 mjellma të egra, që në një lartësi të pabesueshme prej 8.200 metrash, fluturonin drejt Irlandës. Pse po fluturonin kaq lart, ku temperatura ishte afërsisht minus 40 gradë Celsius? Përveçse u largoheshin breshërisë së stuhive të borës në lartësi më të vogla, ato po shfrytëzonin një rrymë ajri që i merrte me vete dhe u jepte një shpejtësi rreth 200 km në orë. Sipas llogaritjeve, këta shpendë e përfunduan fluturimin e tyre prej 1.300 kilometrash nga Islanda në Irlandë vetëm për shtatë orë.

Kampionia e botës në shtegtim, dallëndyshja polare e detit, shumohet në veri të Rrethit Polar Verior, por kur atje është dimër, shkon në Antarktidë. Gjatë vitit, ky shpend i vogël detar bën 40.000 deri në 50.000 kilometra, që do të ishte sikur t’i binte globit rreth e qark.

Lejlekët e bardhë shumohen në Evropën Veriore, kurse dimrin e kalojnë në Afrikën e Jugut, duke bërë një udhëtim vajtje-ardhje 24.000 kilometra të gjatë. Mijëra shpendë të tillë kalojnë përmes Izraelit në vjeshtë dhe në pranverë, dhe kjo dihej qysh në kohët biblike.​—Jeremia 8:7.

Kush ua dha zogjve instinktin? Rreth 3.500 vjet më parë, Perëndia i bëri këtë pyetje Jobit, një njeriu të drejtë: «A thua falë kuptueshmërisë sate fajkoi ngrihet lart, dhe i shtrin krahët drejt jugës? Mos vallë ti e urdhëron shqiponjën të ngrihet lart fluturim, dhe ta bëjë folenë në vende të larta?» Në përgjigje, Jobi me të drejtë e lavdëroi Perëndinë për aftësitë mahnitëse që kanë zogjtë dhe kafshët e tjera.​—Jobi 39:26, 27; 42:2.

Më lart se instinkti

Njerëzit, kurorëzimi i veprave krijuese të Perëndisë, nuk drejtohen kryesisht nga instinkti. Përkundrazi, jemi me vullnet të lirë dhe të pajisur me ndërgjegje e me aftësinë për të dashur. (Zanafilla 1:27; 1 Gjonit 4:8) Me këto dhunti, mund të marrim vendime të drejta e të moralshme që ndonjëherë pasqyrojnë dashuri të jashtëzakonshme dhe vetëmohim.

Sigurisht, qëndrimi dhe sjellja e njeriut në radhë të parë janë rrjedhojë e parimeve morale dhe fetare që ia kanë mësuar ose që nuk ia kanë mësuar që në fëmijëri. Si pasojë, ajo që është e drejtë ose e pranueshme për një njeri, mund të jetë e gabuar ose e papranueshme për dikë tjetër. Këto ndryshime në pikëpamje mund të çojnë në keqkuptime, intolerancë e deri në urrejtje, sidomos kur faktorë të tillë, si kultura, nacionalizmi dhe feja kanë një ndikim të fuqishëm.

Sa më mirë do të ishte bota sikur e gjithë familja njerëzore të ndiqte të njëjtin kod normash që pasqyron atë çka është e moralshme dhe në përputhje me të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, ashtu siç u bindemi të njëjtave ligje themelore fizike që drejtojnë universin! Por, a ka ndonjëri aftësinë dhe njohurinë për të vendosur norma universale? Nëse po, a do ta bëjë ose a e ka bërë tashmë? Këto pyetje do të trajtohen në artikujt vijues.