Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ «Të ngasësh makinën kur je i pirë është një nga krimet më vdekjeprurëse në Amerikë»,—tha ministrja e përkohshme e transportit Maria Sino. 39 për qind e vdekjeve në trafik që ndodhën në SHBA gjatë vitit 2005, erdhën nga alkooli.—MINISTRIA E TRANSPORTIT SHBA.
▪ «Më shumë se 46.000 copë mbeturinash plastike pluskojnë në çdo milje katror [më se 18.000 copë për kilometër katrorë] nëpër oqeane sot.»—PROGRAMI I KOMBEVE TË BASHKUARA PËR MJEDISIN.
▪ «Punonjësit në SHBA harxhojnë gjysmë miliardë orë në vit duke luajtur [në kompjuter] gjatë punës, dhe kjo ka një kosto prej 10 miliardë dollarësh si pasojë e rënies së rendimentit.» Këtu nuk përfshihet koha «që harxhojnë duke u endur në Internet për punë personale».—FAQJA NË INTERNET MANAGEMENT-ISSUES.
Dhuna ndaj fëmijëve
«Për shumë fëmijë dhuna është bërë pjesë e jetës, e realitetit të përditshëm»,—thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas një raporti të kohëve të fundit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, «në vitin 2002 pothuajse 53.000 fëmijë vdiqën në botë si pasojë e vrasjeve». Veç kësaj, miliona fëmijë shfrytëzohen për punë të detyruar, prostitucion ose pornografi. A mund të parandalohen mizori të tilla? Në raportin e sekretarit të përgjithshëm thuhet: «Ndër faktorët që ka mundësi t’i mbrojnë në shtëpi si edhe gjetkë, janë edukimi dhe kujdesi i duhur nga ana e prindërve, krijimi i lidhjeve të ngushta midis prindërve dhe fëmijëve dhe disiplina dobiprurëse pa dhunë.»
Miq të mirë, jetë e gjatë
Sipas «Buletinit të epidemiologjisë dhe shëndetit publik» (anglisht), një rreth miqsh të mirë mund t’ia zgjatë jetën njeriut. Në një studim me afro 1.500 australianë në moshën 70 vjeç e sipër, u shqyrtua për një periudhe dhjetëvjeçare se si ndikojnë miqësitë te jetëgjatësia. Vdekshmëria tek individët që kishin një rreth miqsh të mirë, ishte 22 për qind më e ulët se tek ata që kishin pak miq. Në artikull thuhet se te të moshuarit, miqtë e përkushtuar ndikojnë për mirë edhe kur bëhet fjalë për «depresionin, besimin në vetvete, respektin për veten, përballimin e problemeve, gjendjen shpirtërore dhe ndjenjën se e ke nën kontroll jetën tënde».
Britanikët në borxh
«Më shumë se një e treta e të rriturve që kanë një llogari bankare, marrin kredi nga banka shuma më të mëdha se depozitat e tyre, për të plotësuar nevojat që lindin aty për aty»,—thotë gazeta The Daily Telegraph e Londrës. Këto tërheqje, në vend që t’i shohin si kredi për raste urgjente, janë bërë një «nevojë absolute» për 3,5 milionë britanikët që futen gjithnjë e më shumë në borxh me bankën. Kit Tanderi, presidenti i shoqatës bamirëse Credit Action, ia vë fajin «mentalitetit për t’i plotësuar në çast dëshirat, i cili ka pushtuar shoqërinë tonë». Tanderi paralajmëron: «Miliona nga ne harxhojnë vazhdimisht përtej mundësive të tyre dhe mungesa e njohurisë më elementare për administrimin e parave, nënkupton që shumica prej nesh nuk e kanë fare idenë se sa shumë u kushton kjo.»
Fluturimet natën dhe ngrohja globale
Në revistën Scientific American thuhet se gjurmët e kondensimit që lënë në qiell aeroplanët reaktivë, ndikojnë në temperaturën atmosferike. Gjatë ditës këto gjurmë e kthejnë mbrapsht dritën e diellit, dhe kjo çon në një freskim të përgjithshëm të atmosferës. Por, gjatë natës, ato nuk e lënë të ngrihet lart nxehtësinë që është poshtë. Artikulli thotë se disa studiues anglezë zbuluan se «fluturimet nga ora 6 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit sollën 60 deri në 80 për qind të ngrohjes së klimës që vjen nga gjurmët e kondensimit, ndonëse këto fluturime janë vetëm çereku i trafikut të përgjithshëm ajror».