Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pendët​—Projektim i mrekullueshëm

Pendët​—Projektim i mrekullueshëm

Pendët​—Projektim i mrekullueshëm

NJË përplasje krahësh, dhe ja, pulëbardha çan drejt qiellit. Me t’u ngritur, bën një rrotullim dhe pa më të voglin sforcim, ngrihet më lart me rrymën e ajrit. Vetëm duke e rregulluar pak këndin e krahëve dhe të bishtit, ky shpend qëndron thuajse pa lëvizur në ajër. Si arrin t’i bëjë të gjitha këto me kaq hijeshi e përsosmëri? Sekreti është te pendët.

Sot shpendët janë të vetmet krijesa me pendë në mbretërinë e kafshëve. Shumica e shpendëve kanë lloje të ndryshme pendësh. Më të dukshmet janë pendët e konturit që mbulojnë trupin. Ato u japin shpendëve një formë të njëtrajtshme aerodinamike. Te pendët e konturit përfshihen edhe pendët e krahëve dhe të bishtit, që janë jetike për fluturimin. Kolibri mund të ketë më pak se 1.000 pendë të tilla, kurse mjellma më shumë se 25.000.

Pendët kanë një projektim të mrekullueshëm. Boshti qendror është i përkulshëm dhe jashtë mase i fortë. Nga boshti dalin rreshta fijesh që ndërthuren me njëra-tjetrën dhe krijojnë dy anët e lëmuara të pendës. Fijet lidhen me anë të qindra fijezave të vockla, që kapen si me grremç te njëra-tjetra dhe krijojnë një lloj zinxhiri. Kur fijezat ndahen, zogu thjesht i puthit prapë duke lëmuar pendët. Të njëjtën gjë mund të bëni edhe ju po ta tërhiqni lehtë midis gishtërinjve një pendë të shpupurishur.

Në veçanti pendët fluturuese të krahëve nuk janë simetrike, pasi ana e pendës që rreh ajrin është më e ngushtë se ana tjetër. Kjo formë tipike aerodinamike bën të mundur që çdo pendë fluturimi të funksionojë më vete si një krah i vogël. Gjithashtu, po të shihni me kujdes një pendë të madhe fluturimi, do të dalloni një brazdë që kalon në pjesën e poshtme të boshtit. Ky element i thjeshtë e forcon boshtin dhe e lejon të përkulet e të kthehet pa u shtrembëruar.

Pendët kanë shumë funksione

Shumë zogj, midis pendëve të konturit kanë disa pendë të holla e të gjata, si edhe disa pupla që prodhojnë pluhur. Mendohet se receptorët në rrënjë të pendëve të holla e sinjalizojnë zogun për çdo problem të pendëve të sipërme e madje mund ta ndihmojnë të përcaktojë shpejtësinë e tij në ajër. Fijet e puplave që prodhojnë pluhur—të vetmet pupla që rriten vazhdimisht dhe nuk bien kurrë—shpërbëhen dhe krijojnë një pluhur të imët që mendohet se i ndihmon pendët e zogjve të bëhen të papërshkueshme nga uji.

Përveç funksioneve të tjera, pendët i mbrojnë shpendët nga të nxehtët, të ftohtët dhe drita ultravjollcë. Për shembull, rosat e detit, me sa duket jetojnë më së miri pavarësisht nga i ftohti i hidhur i erërave oqeanike. Si ia bëjnë? Nën mbulesën gati të padepërtueshme të pendëve të konturit, kanë një shtresë të dendur me pupla të buta. Kjo shtresë mund të jenë 1,7 centimetra e trashë dhe mbulon pjesën më të madhe të trupit të rosës. Puplat janë një izolues kaq i mirë, saqë asnjë material sintetik i krijuar gjer më sot nuk barazohet me të.

Me kalimin e kohës pendët konsumohen, prandaj zogjtë i zëvendësojnë: atyre u bien pendët e vjetra dhe u dalin të reja. Shumica e zogjve i zëvendësojnë pendët e krahëve dhe të bishtit sipas një radhe të caktuar e duke ruajtur simetrinë, dhe kështu e ruajnë gjithnjë aftësinë për të fluturuar.

«Tepër të përsosura»

Avionët e sigurt janë fryt i një pune të zellshme ku përfshihet projektimi, inxhinieria dhe mjeshtëria. Po zogjtë dhe pendët e tyre? Në mungesë të dëshmive fosile, është ndezur një debat i ashpër midis evolucionistëve për origjinën e pendëve. Revista Science News thotë se në këtë debat mbizotërojnë «pasioni fondamentalist», «sharjet gjithë vrer» dhe «ethet e paleontologëve». Një biolog evolucionist, që organizoi një simpozium për evolucionin e pendëve, pohoi: «Kurrë nuk e kisha menduar se një çështje shkencore mund të shkaktonte një sjellje kaq të keqe dhe kaq zemërim.» Nëse s’ka dyshime që pendët kanë evoluar, përse do të ishin plot vrer diskutimet rreth këtij procesi?

«Pendët janë tepër të përsosura, dhe pikërisht ky është problemi»,—thuhet te Manuali i ornitologjisë: Ndërtimi dhe funksionimi i trupit të zogjve (anglisht) nga Universiteti i Jeilit. Pendët nuk japin ndonjë shenjë që tregon se kanë pasur ndonjëherë nevojë për t’u përmirësuar. Në të vërtetë, «penda fosile më e hershme që njihet, duket kaq e kohës, saqë nuk dallohet dot nga pendët e zogjve që fluturojnë sot». * Megjithatë, sipas teorisë evolucioniste, pendët duhet të kenë ardhur nga disa zgjatime të hershme të lëkurës, të cilat ndryshuan gradualisht me kalimin e kohës. Për më tepër te Manuali thuhet se «pendët nuk mund të kenë evoluar, nëse në të gjithë hapat e ndërmjetëm nuk janë shfaqur tipare që i bënin vërtet më të përshtatshme» për mjedisin.

E thënë shkurt, edhe në teori, evolucioni nuk mund të prodhonte një pendë nëse në çdo hap në vargun e gjatë të ndryshimeve të rastësishme e të trashëgueshme në strukturën e pendëve, nuk do të shtonte ndjeshëm mundësinë për të mbijetuar. Mirëpo edhe shumë evolucionistëve u duket imagjinatë e tepruar që diçka kaq e ndërlikuar dhe e përsosur nga ana funksionale siç është penda, të vinte në këtë mënyrë.

Për më tepër, nëse pendët u zhvilluan gradualisht gjatë një periudhe të gjatë kohe, dëshmitë fosile duhet të kenë edhe forma të ndërmjetme. Por asnjëherë nuk kanë gjetur diçka të tillë, përveç mbetjeve të pendëve të zhvilluara plotësisht. «Mjerisht për teorinë evolucioniste, pendët janë shumë të ndërlikuara»,—thotë Manuali.

Fluturimi nuk kërkon vetëm pendë

Përsosmëria e pendëve është vetëm një nga problemet për evolucionistët, sepse pothuajse çdo pjesë e zogut është projektuar për të fluturuar. Për shembull, eshtrat e zogjve janë të lehta dhe bosh. Gjithashtu ata kanë një aparat frymëmarrjeje jashtëzakonisht të efektshëm dhe muskuj të posaçëm për të rrahur krahët dhe për t’i drejtuar. Madje zogjtë kanë shumë muskuj që drejtojnë pozicionin e çdo pende. Veç këtyre nervat e lidhin çdo muskul me trurin që është fare i vockël, por mahnitës dhe i programuar të kontrollojë të gjitha këto sisteme njëkohësisht, automatikisht dhe me saktësi. Po, për të fluturuar nuk mjaftojnë vetëm pendët, por duhen të gjitha këto elemente jashtëzakonisht komplekse.

Gjithashtu mbani parasysh se çdo zog zhvillohet nga një qelizë mikroskopike që ka të gjitha udhëzimet për rritjen dhe instinktet e tij, në mënyrë që ai një ditë të fluturojë drejt qiellit. A ka mundësi që të gjitha këto të vijnë nga një varg i gjatë rastësish të favorshme? Apo shpjegimi më i thjeshtë, por edhe më i logjikshmi e më shkencori është që zogjtë dhe pendët e tyre mbajnë vulën e një Krijuesi jashtëzakonisht inteligjent? Dëshmitë flasin vetë.​—Romakëve 1:20.

[Shënimi]

^ par. 12 Penda fosile është nga arkeopteriksi, një krijesë e zhdukur që ndonjëherë e paraqesin si një «hallkë» në linjën e prejardhjes së shpendëve të sotëm. Megjithatë, shumica e paleontologëve nuk e konsiderojnë më si paraardhës të zogjve të sotëm.

[Kutia dhe figura në faqen 24]

«DËSHMI» TË SAJUARA

Disa «dëshmi» fosile që dikur trumbetoheshin me entuziazëm si prova që zogjtë evoluan nga krijesa të tjera, kanë dalë të sajuara. Për shembull, në vitin 1999, revista National Geographic kishte një artikull për fosilin e një krijese me pendë dhe me bisht si të dinosaurit. Revista e quante krijesën «vërtet një hallkë në zinxhirin e ndërlikuar që lidh dinosaurët me shpendët». Megjithatë, u zbulua se ky fosil ishte një mashtrim, pasi ishte ndërtuar me fosile të dy kafshëve të ndryshme. E vërteta është se këtë «hallkë» nuk e kanë gjetur kurrë.

[Burimi]

O. Louis Mazzatenta/​National Geographic Image Collection

[Kutia në faqen 25]

SHIKIMI I ZOGJVE

Ngjyrat e gjalla e shpesh me reflekse të pendëve të zogjve, i mahnitin njerëzit. Por pendët mund t’u duken edhe më interesante zogjve të tjerë. Disa zogj kanë në sy katër lloje konesh të ndjeshme ndaj dritës dhe ngjyrave, kurse njerëzit kanë tri. Ky mjet pamor shtesë bën të mundur që zogjtë të dallojnë dritën ultravjollcë që është e padukshme për njerëzit. Njerëzve u duken njësoj zogjtë meshkuj dhe femra të disa llojeve, por pendët e meshkujve e pasqyrojnë dritën ultravjollcë ndryshe nga pendët e femrave. Zogjtë e dallojnë ndryshimin, dhe kjo i ndihmon të gjejnë partnerët e mundshëm.

[Diagrami në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Fije

Fijez

Boshti

[Figura në faqen 24]

Pendë konturi

[Figura në faqen 24]

Pendë e hollë

[Figura në faqen 25]

Pupël që bëhet pluhur

[Figura në faqen 25]

Pupël

[Figura në faqet 24, 25]

Sulë deti