Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse më mënjanojnë gjithnjë?

Pse më mënjanojnë gjithnjë?

Të rinjtë pyesin . . .

Pse më mënjanojnë gjithnjë?

«Në fundjavë duket sikur s’ka njeri në botë që të mos bëjë qejf, përveç meje.»​—Reneja.

«Shokët mblidhen bashkë, kurse mua nuk më thonë.»​—Xheremia.

KOHA është fantastike dhe ti s’ke asnjë plan. Por, gjithë të tjerët kanë ndonjë gjë në program. Të gjithë shokët e tu kanë dalë të argëtohen ca. Edhe kësaj here ty nuk të përfshinë në shoqëri.

Të vjen keq kur nuk të ftojnë, por ajo që nënkupton kjo gjë, të lëndon edhe më shumë. ‘Ndoshta kam diçka që nuk shkon,​—thua me vete.​—Përse asnjëri nuk do që të shoqërohet me mua?’

Përse lëndohesh?

Dëshira për të qenë pjesë e një shoqërie dhe për t’u pranuar prej saj është normale. Po, si krijesa shoqërore, ndihemi mirë kur japim e marrim me të tjerët. Para se të krijonte Evën, Jehovai tha për Adamin: «Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm.» (Zanafilla 2:18) Është e qartë se njerëzit kanë nevojë për njerëz; kështu u krijuam. E pikërisht kjo është arsyeja përse lëndohesh kaq shumë kur të mënjanojnë.

Sidomos trishtohesh kur vazhdimisht nuk të përfshijnë në shoqëri ose kur kjo të bën të mendosh se nuk je në lartësinë e atyre me të cilët dëshiron të kesh shoqëri. «Ka grupe të rinjsh që bëjnë gjëra goxha interesante,​—thotë një e re, me emrin Meri,​—por duket qartë që mendojnë se ti nuk je aq e mirë sa të rrish me ta.» Kur të tjerët nuk të përfshijnë në grupin e tyre, me kalimin e kohës ndihesh i mënjanuar dhe i vetmuar.

Ndonjëherë edhe kur je në mes të njerëzve mund të ndihesh i veçuar. Nikola thotë: «Mund të duket budallallëk, por më kujtohet që jam ndier tmerrësisht e vetmuar në një festë. Them se kjo erdhi ngaqë kisha shumë njerëz rreth e qark, por nuk kisha shoqëri me asnjë prej tyre.» Madje disa ndihen të vetmuar edhe kur janë në asambletë dhe kongreset e krishtere. «Duket sikur të gjithë e njohin njëri-tjetrin, por jo mua»,​—thotë Megani. Kështu ndihet edhe Maria, një e re tjetër. Ajo thotë: «Më duket sikur më rrethojnë miq, por nuk kam miq.»

Askush nuk është i imunizuar nga ndjenjat e vetmisë, madje edhe ata që duket se kanë shumë shoqëri ose që janë të lumtur. Një proverb biblik thotë: «Edhe në të qeshura zemra mund të ketë dhembje.» (Proverbat 14:13) Kur ndjenjat e vetmisë janë të forta dhe të vazhdueshme, mund të bëhen ligështuese. Bibla thotë: «Për shkak të dhembjes së zemrës, fryma dërrmohet.» Ose siç thotë një përkthim tjetër: «Në hidhërim të zemrës shpirti ligështohet.» (Proverbat 15:13, Simon Filipaj) Nëse je ligështuar ngaqë të kanë mënjanuar, çfarë mund të bësh?

Luftoji ndjenjat e vetmisë

Për të luftuar ndjenjat e vetmisë, bëj hapat e mëposhtëm:

Përqendrohu te cilësitë e mira që ke. (2 Korintasve 11:6) Pyet veten: ‘Çfarë cilësish të mira kam?’ Mendo disa nga aftësitë ose cilësitë e mira që ke dhe renditi më poshtë.

․․․․․

Kur të ndihesh i mënjanuar, kujtoji vetes cilësitë e mira, si ato që rendite më sipër. Vërtet, ke dobësi dhe duhet të punosh për t’u përmirësuar. Megjithatë, mos e mbaj mendjen vetëm te të metat. Përkundrazi, ashtu si një shtëpi e mirë që po riparohet, edhe ti shihe veten në përmirësim e sipër. Mbase jo çdo gjë është siç duhet, por disa gjëra po. Përqendrohu te këto.

Zgjerohu. (2 Korintasve 6:11-13) Merr iniciativën për të takuar të tjerët. Vërtet, kjo mund të jetë e vështirë. Liza 19-vjeçare thotë: «Në pamje të parë grupet duken frikësuese, por mjafton t’i afrohesh njërit nga grupi e t’i thuash: ‘Ç’kemi!’ dhe ja ku u bëre pjesë e grupit.» (Shih kutinë «Si të hapësh një bisedë».) Për sa i përket mënjanimit, përpiqu që ti vetë të mos mënjanosh njeri, si për shembull më të rriturit. Kori, një adoleshente, sjell ndër mend: «Kur isha 10 a 11 vjeçe, kisha një mike shumë më të madhe se veten. Kishim vërtet një shoqëri të ngushtë, pavarësisht nga diferenca e moshës.»

Mendo për dy persona të rritur në kongregacionin tënd që do të doje t’i njihje më mirë.

․․․․․

Në mbledhjen e ardhshme të kongregacionit, përse të mos i afrohesh njërit prej atyre që përmende më sipër? Nise ti bisedën. Pyete se si i lindi interesi për Biblën. Sa më shumë të zgjerohesh në «gjithë vëllazërinë», aq më pak mundësi ka të ndihesh i mënjanuar dhe vetëm.​—1 Pjetrit 2:17.

Hapu me një të rritur. (Proverbat 17:17) Kur hapesh me prindërit ose me ndonjë të rritur për shqetësimet e tua, ndjenja e vetmisë mund të të lehtësohet. Një vajzë 16-vjeçare e provoi vetë këtë. Në fillim, ajo merakosej shumë kur nuk e përfshinin në shoqëri. «Mendja më rrinte te gjërat që më bënin të ndihesha e mënjanuar,​—thotë ajo,​—duke i menduar e stërmenduar. Por pastaj flitja me mamin dhe ajo më këshillonte çfarë të bëja për ta kaluar. Vërtet ndihesh më mirë kur flet.»

Nëse ndonjëherë ke nevojë të flasësh me dikë për ndjenjat e vazhdueshme të vetmisë, me kë do të flitje?

․․․․․

Mendo për të tjerët. (1 Korintasve 10:24) Bibla thotë se duhet ‘të shohim me interes jo vetëm çështjet tona, por edhe ato të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Kur ndihesh i mënjanuar nga shoqëria, është e lehtë të mërzitesh ose të trishtohesh. Megjithatë, në vend që të zhytesh më thellë në dëshpërim, përse të mos bësh diçka për dikë që ka nevojë? Madje në këtë mënyrë mund të lidhësh miqësi të reja.

Mendo për ndonjë, ndoshta në familjen ose në kongregacionin tënd, që mund t’i vlejë shoqëria ose ndihma jote. Shkruaj emrin e tij ose të saj dhe mënyrën si mund ta ndihmosh.

․․․․․

Kur mendon për të tjerët e jo vetëm për veten, dhe bën për ta, nuk ke dhe aq kohë të ndihesh i vetmuar. Kjo mund të të bëjë më optimist, qoftë në pikëpamje, qoftë në sjellje, dhe kështu të tjerët do ta kërkojnë më shumë shoqërinë tënde. Te Proverbat 11:25 thuhet: «Kush ujit me bollëk, edhe ai vetë do të ujitet me bollëk.»

Ji përzgjedhës. (Proverbat 13:20) Më mirë të kesh pak miq të vërtetë, që interesohen për ty, sesa shumë nga ata që gjoja quhen miq, por që mund të të futin në telashe. (1 Korintasve 15:33) Mendo për djaloshin Samuel që përmendet në Bibël. Ka të ngjarë që ai të jetë ndier i vetmuar në tabernakull. Bashkë me të shërbenin edhe Hofni dhe Finehasi, të cilët silleshin keq, e prandaj nuk ishin një shoqëri e mirë, ndonëse ishin djemtë e kryepriftit. Nëse Samueli do të përpiqej t’u shkonte pas avazit, do të prishte miqësinë me Jehovain. Por patjetër që Samueli nuk e dëshironte aspak këtë. Bibla thotë: «Ndërkohë, djaloshi Samuel rritej dhe fitonte pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve.» (1 Samuelit 2:26) Pëlqimin e cilëve njerëz fitoi? Sigurisht, jo të Hofnit dhe Finehasit që edhe mund ta kenë shmangur Samuelin për shkak të veprave të tij të mira. Përkundrazi, cilësitë e admirueshme të Samuelit e bënë atë të dashur për ata që zbatonin normat e Perëndisë. Njerëzit që duan Jehovain janë miqtë që të duhen!

Ji optimist. (Proverbat 15:15) Çdokush ndihet i mënjanuar hera-herës, të paktën në njëfarë mase. Çfarë mund të të ndihmojë? Në vend që ta mbash mendjen te gjërat negative, mundohu ta shohësh jetën me sy optimist. Mos harro që edhe pse nuk i ke në dorë të gjitha rrethanat që të krijohen në jetë, ti mund të kesh në dorë mënyrën si reagon.

Kur ndihesh i mënjanuar, bëj hapa ose për të ndryshuar gjendjen, ose të paktën për ta parë me një sy tjetër. Gjithnjë mbaj mend se Jehovai e di si je krijuar, pra i di nevojat e tua dhe si mund të plotësohen më mirë këto nevoja. Lutju Jehovait nëse ke vazhdimisht ndjenja vetmie. Ji i sigurt se «ai vetë do të të mbështetë».​—Psalmi 55:22.

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Çfarë hapash mund të bëj nëse ndihem i mënjanuar nga shoqëria?

▪ Cilat shkrime do të më ndihmojnë ta shoh veten në mënyrë të ekuilibruar që të mos më mbysin mendimet pesimiste?

[Kutia dhe figura në faqen 12]

Si të hapësh një bisedë

Buzëqesh. Ngrohtësia jote do t’i ftojë të tjerët të bisedojnë me ty.

Prezantohu. Thuaj emrin dhe nga je.

Bëj pyetje. Pa futur hundët ku s’të takon, bëj pyetje të përshtatshme për të mësuar diçka për tjetrin.

Dëgjo. Mos mendo se çfarë do të thuash pastaj. Në fillim dëgjo. Pyetja ose ajo që do të thuash do të vijë natyrshëm.

Rri i çlirët. Bisedat mund të hapin rrugën për shoqëri të reja. Pra shijoji.