Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të sjellë kënaqësi adhurimi i Perëndisë?

A mund të sjellë kënaqësi adhurimi i Perëndisë?

Pikëpamja e Biblës

A mund të sjellë kënaqësi adhurimi i Perëndisë?

NJË grua që pohon se është e krishterë shkruan: «Besoj te Perëndia dhe e dua, por . . . në kishë mërzitem.» A ndiheni edhe ju kështu? E vërteta është se për shkak të mërzitjes, pakënaqësisë dhe zhgënjimit, disa kanë sajuar mënyrën e vet si ta adhurojnë Perëndinë.

Një gazetë e etiketoi dukurinë e krijimit të formave personale të adhurimit si «fe e sajuar». Por, ata që dëshirojnë të ndiejnë gëzim kur adhurojnë Perëndinë, një zgjidhje e tillë nuk i kënaq. Pse? Sepse ajo ndjenjë zhgënjimi që i largoi nga feja e mëparshme, i pushton sërish.

Kjo çon në pyetjen: a do të kemi një jetë të mërzitshme dhe pa gëzim po të ecim sipas mësimeve të Biblës? Absolutisht jo! Për shembull, vini re fjalët e një psalmisti të Biblës: «Ejani e të thërrasim me gëzim për Jehovain! . . . Ejani ta adhurojmë e të përkulemi para tij! Le të biem në gjunjë para Jehovait, Bërësit tonë!»​—Psalmi 95:1, 6.

Një psalmist tjetër i këndoi gjithë mirënjohje Jehovait: «Vetëm ti, . . . je Më i Larti në tërë dheun.» Në Shkrime, Jehovai quhet ‘Perëndi i lumtur’ dhe si në të kaluarën, ashtu edhe sot, shpesh adhuruesit e tij kanë shprehur gëzim.​—Psalmi 83:18; 1 Timoteut 1:11.

Arsyeja thelbësore për gëzim

Kur kuptojmë se çfarë ka bërë Jehovai për të na e treguar dashurinë e tij, kjo është arsyeja thelbësore për të ndier gëzim të vërtetë kur e adhurojmë. Si e ka treguar Jehovai dashurinë e tij? «Perëndia e deshi aq shumë botën [njerëzit], sa dha Birin e tij të vetëmlindur [Jezu Krishtin], që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16.

Siç thotë Bibla, vullneti i Perëndisë është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Timoteut 2:3, 4) Kjo nuk do të thotë që thjesht të dimë atë që thonë disa vargje të Biblës. Por duhet ‘të kapim kuptimin’ e asaj që lexojmë, gjë që kërkon studim të kujdesshëm, me dëshirën për të mësuar. (Mateu 15:10) Shpërblimi i kësaj është: «Do të gjesh njohurinë e Perëndisë.» E kjo gjë mund të sjellë vërtet kënaqësi.​—Proverbat 2:1-5.

Në shekullin e parë, banorët e qytetit maqedonas të Beresë e provuan vetë këtë gëzim. Kur apostulli Pavël u mësoi fjalën e Perëndisë, «e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu». Ata nuk do ta kishin këtë etje për të mësuar, nëse studimi i Shkrimeve do të ishte i mërzitshëm ose nuk do t’u sillte kënaqësi.​—Veprat 17:11.

Jezui tha: «Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësinë, sepse do të ngopen!» (Mateu 5:6) Ashtu si të uriturit kënaqen kur nisin të hanë rregullisht, shumë veta sot janë kënaqur jashtë mase kur uria e tyre frymore është plotësuar. Prandaj, ashtu si bereasit, «shumë prej tyre [janë bërë] besimtarë».​—Veprat 17:12.

Mënyrë jetese

Adhuruesit e vërtetë në shekullin e parë i hynë «Udhës», një term i përdorur te Veprat 9:2 për mënyrën e re të jetesës që ndoqën të krishterët e hershëm. Sot, ata që dëshirojnë të provojnë gëzim kur adhurojnë Perëndinë, duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Duhet të lënë që të vërtetat biblike të ndikojnë në mendimet e tyre dhe në sjelljen e përditshme.

Prandaj apostulli Pavël i nxiti banorët e Efesit: «Flakni tej personalitetin e vjetër, që ishte në përputhje me mënyrën e mëparshme të sjelljes suaj.» Megjithatë, duhej të bënin diçka më shumë, siç tha më tej Pavli: «Vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.»​—Efesianëve 4:22-24. *

Kur e zbatojmë këtë këshillë dhe bëjmë ndryshime në jetë në përputhje me vullnetin e Perëndisë, kemi mundësi të provojmë shumë kënaqësi dhe gëzim. Nga vjen kjo kënaqësi? Pavli u shkroi të krishterëve në Kolose se kishin nevojë të bënin ndryshime në jetën e tyre, e kështu ‘do të ecnin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqenin plotësisht atij’. (Kolosianëve 1:10) Sigurisht, dijenia se Perëndisë së vërtetë i pëlqen mënyra si jetojmë, është një arsye për gëzim. Për më tepër, Perëndia bën të mundur që t’i pëlqejmë atij «plotësisht». Si? Me anë të faljes.

Çdonjëri prej nesh mëkaton; çdonjëri prej nesh ka nevojë që Perëndia ta falë. Te 1 Timoteut 1:15, Pavli tha: «Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët.» Kur Jezui flijoi jetën për ne, bëri të mundur që të na falen mëkatet. Prandaj, një adhurues i vërtetë ndihet i lehtësuar, pasi zemra e tij është çliruar nga pesha e rëndë e fajit. Ai mund të ketë ndërgjegje të pastër dhe mund të gëzojë, ngaqë është i sigurt se për sa kohë të bëjë me gjithë shpirt vullnetin e Perëndisë, mëkatet i falen.

Arsye tjetër për gëzim

Kur dikush fillon të adhurojë Perëndinë e vërtetë, nuk është vetëm. Psalmisti David shkroi në Bibël: «U gëzova kur më thanë: ‘Shkojmë në shtëpinë e Jehovait.’» (Psalmi 122:1) Po, kur mblidheni rregullisht me adhurues të tjerë të vërtetë, provoni shumë më tepër gëzim.

Pasi ndoqi një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, një burrë shkroi: «Atje na mirëpritën me përzemërsi e me dëshirën për të na ndihmuar, dhe kjo tregonte ‘një lidhje të ngrohtë’ mes gjithë të pranishmëve. Dinjiteti dhe vetëpërmbajtja e gjithë atyre fëmijëve e të rinjve, duhet t’i bëjë krenarë ata dhe prindërit e tyre. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë që më ftuan të përjetoja një atmosferë kaq prekëse dhe entuziazmuese.»

Edhe ju mund të ndieni gëzim dhe kënaqësi kur adhuroni Jehovain, ashtu si Davidi shekuj më parë. Ai bëri thirrje: «Shërbejini Jehovait me gëzim! Ejani përpara tij me një britmë hareje!» (Psalmi 100:2) Të gjithë ata që i shërbejnë Perëndisë së vërtetë me motivin e drejtë mund të presin që adhurimi i Perëndisë t’u sjellë kënaqësi.

[Shënimi]

^ par. 14 Po të lexoni kapitullin 4 të Efesianëve dhe kapitullin 3 të Kolosianëve, do të krijoni një ide të qartë se çfarë përfshin ky ndryshim i personalitetit.

A DONI TË DINI?

▪ Cila është arsyeja thelbësore e adhurimit të vërtetë?​—1 Timoteut 2:3-6.

▪ Pse flijimi shpërblyes i Krishtit mund të na sjellë gëzim?​—1 Timoteut 1:15.

▪ Si mund të na e shtojnë kënaqësinë e adhurimit mbledhjet e krishtere?​—Psalmi 100:1-5.

[Figura në faqen 10]

Studimi i Biblës bashkë me të tjerët mund t’ju sjellë gëzim