Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëni dhe ndiqni rregullisht një program

Bëni dhe ndiqni rregullisht një program

Hapi 5

Bëni dhe ndiqni rregullisht një program

Pse ta bëni këtë hap? Një program i rregullt është pjesë e rëndësishme e jetës së një të rrituri. Puna, adhurimi i Perëndisë, madje edhe zbavitja, zakonisht bëhen sipas një programi të përcaktuar. Prindërit nuk i ndihmojnë fëmijët e tyre nëse nuk u mësojnë të organizojnë kohën dhe të ecin sipas një programi. Gjithashtu, dr. Lorenc Shtajnbergu, profesor psikologjie, thotë se «studimet tregojnë që rregullat dhe organizimi i kohës bëjnë që një fëmijë të ndihet i qetë dhe i sigurt, si edhe i mësojnë fëmijës vetëkontrollin dhe t’ia dalë me forcat e veta».

Vështirësia: Jeta është e vrullshme. Shumë prindër punojnë me orar të zgjatur dhe u mbetet pak kohë për të kaluar rregullisht me fëmijët. Përcaktimi dhe ndjekja me rregullsi e një programi kërkon vetëdisiplinë dhe vendosmëri për ta kapërcyer prirjen që ka në fillim fëmija për të mos iu nënshtruar këtij programi.

Zgjidhja: Zbatoni në parim këshillën biblike që «çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull». (1 Korintasve 14:40) Për shembull, ndërsa fëmijët janë fare të vegjël, shumë prindër me mençuri vendosin që fëmijët të flenë gjithmonë në një orar fiks. Megjithatë, çastet para gjumit duhet të bëhen të këndshme. Tatjana që jeton në Greqi dhe ka dy vajza të vogla, thotë: «Kur fëmijët janë në shtrat, i përkëdhel dhe u tregoj çfarë bëri mami kur ato ishin në shkollë. Pastaj i pyes nëse kanë qejf të më tregojnë ndonjë gjë që kanë bërë atë ditë. Ato ndihen të çlirëta. Shpesh më hapen.»

Kostasi, i shoqi i Tatjanës, u lexon vajzave tregime. «Ato komentojnë për tregimin,—thotë ai,—dhe shpesh biseda çon në shqetësimet që kanë. Por nuk para flasin për to, po t’i pyes direkt se çfarë i mundon.» Sigurisht, ndërkohë që fëmijët rriten, është e përshtatshme ta ndryshoni edhe orarin e gjumit. Por, nëse respektoni një program, ka të ngjarë që fëmijët të vazhdojnë ta përdorin këtë kohë për të biseduar me ju.

Përveç kësaj, familjet tregojnë mençuri po ta bëjnë zakon që të hanë bashkë të paktën një vakt në ditë. Për ta bërë zakon këtë, mbase nevojitet të jenë pak elastikë me orarin e ngrënies. Çarli, që ka dy vajza, thotë: «Ndonjëherë vij vonë nga puna. Ime shoqe u jep të hanë vajzave diçka të lehtë për t’ua prerë disi oreksin, por gjithmonë përpiqet që të gjithë të presin derisa të mblidhemi që të hamë si familje. Flasim për aktivitetet e ditës, shqyrtojmë një shkrim nga Bibla, flasim për problemet dhe qeshim bashkë. S’gjej fjalë për ta përshkruar sa i rëndësishëm ka qenë ky zakon për lumturinë e familjes sonë.»

Për ta bërë këtë hap, mos lejoni që dhënia pas gjërave materiale t’ju pengojë për të ndjekur rregullisht një program si familje. Zbatoni këshillën e Biblës që thotë: «Të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.»​—Filipianëve 1:10.

Ç’mund të bëjnë tjetër prindërit për të përmirësuar komunikimin me fëmijët e tyre?

[Diçitura në faqen 7]

«Çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.»​—1 Korintasve 14:40