Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ishulli Kristmas: Ja pse shkuam atje

Ishulli Kristmas: Ja pse shkuam atje

Ishulli Kristmas: Ja pse shkuam atje

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FIXHI

ISHULLI i Kiritimatit (që shqiptohet Kirismas ose Kristmas) është më i madhi ndër 33 ishujt që formojnë shtetin e Kiribatit në oqeanin Paqësor. * Ishulli ka një sipërfaqe rreth 388 km katrorë, që është sa 32 ishujt e tjerë të marrë së bashku. Në Ishullin Kristmas jetojnë afro 5.000 veta, kurse popullsia e përgjithshme e të gjithë ishujve të Kiribatit është gati 92.000 banorë.

Përveç njërit prej ishujve të Kiribatit, të gjithë të tjerët janë atole koralore. Ishulli Kristmas jo vetëm që është atoli më i madh i këtij shteti, por për sa i përket sipërfaqes së steresë, është edhe atoli koralor më i madh në botë.

Veç kësaj, Ishulli Kristmas dallohet se është afër vijës së ndërrimit të datës. Banorët e tij janë ndër të parët që kalojnë në një ditë tjetër të kalendarit, në vitin e ri dhe ndër të parët që kremtojnë ndonjë datë të përvitshme, siç është vdekja e Jezu Krishtit. *

Për më tepër, ky atol i largët koralor është një nga vendet më të rëndësishme tropikale ku shumohen zogjtë detarë. Thuhet se jo shumë kohë më parë, këtu ngrinin çerdhen rregullisht rreth 25 milionë dallëndyshe bardhë e zi të detit.

Merret vesh sekreti i zogjve

Kur eksploruesi dhe kapiteni Xhejms Kuk zbriti në këtë ishull një ditë para krishtlindjeve në vitin 1777, aty nuk kishte këmbë njeriu. Por kishte plot zogj. Kuku e quajti vendin Ishulli Kristmas ose i Krishtlindjeve. * Me sa duket, për shumë vjet vendndodhja e ishullit kishte mbetur një sekret që e dinin vetëm zogjtë.

Kur shkuam një herë në këtë ishull, një rojtar nga Enti për Mbrojtjen e Natyrës na bëri një vizitë interesante. Kur na çoi në plazh, disa dallëndyshe të bardha deti, të hijshme dhe kureshtare fluturuan për të na përshëndetur. Sikur të na sfidonin, ato rrinin pezull pak më lart nga ç’mund t’i arrinim ne dhe vrojtonin çdo lëvizje tonën.

Përtej plazhit ishte ulur një koloni dallëndyshesh bardhë e zi të detit. Qindra mijë zogj të tillë vijnë për t’u shumuar në Ishullin Kristmas. Kur mbërrijnë këtu, fluturojnë në formë rrethi ditë e natë, për javë të tëra, teksa cicërojnë tufa-tufa mbi vendet ku kanë vezët dhe presin sa të çelin të gjithë zogjtë e pastaj të ngrenë çerdhe në tokën djerrë.

Dallëndyshet e sapodala nga veza i fillojnë xhirot nëpër oqean kur mbushin pak a shumë tre muaj. Ato kthehen në tokë vetëm pas pesë a shtatë vjetësh, kur janë gati të shumohen. Gjatë këtyre viteve që janë larg, shumicën e kohës e kalojnë në ajër. Në pendët e tyre nuk kanë mjaft vaj që të kenë mundësi të pluskojnë mbi ujë.

Na zuri syri disa dallëndyshe të zeza deti që ishin në çerdhet e veta bashkë me të vegjlit dhe me vezët që ende nuk kishin çelur. Këta zogj ngrenë çerdhe për të vegjlit e tyre, kurse dallëndyshet e bardha të detit, jo. Ato i shtrojnë vezët në degët e zhveshura të pemëve. E bukura është se sapo dalin nga veza, të vegjlit kanë këmbë dhe kthetra të zhvilluara që janë mjaft të forta sa të mbahen nëpër pemë. Këto dallëndyshe të vogla pushatake të kapura nëpër degë na e fituan shpejt zemrën. Edhe prindërit janë zogj të vegjël e të bukur. Ata janë të bardhë borë dhe kanë një sqep të zi që bën kontrast.

Teksa shëtitnim nëpër ishull, në një vend të mbrojtur afër nesh, pamë një zgalem që nuk na i ndante sytë, ndërsa ishte ulur dhe nuk shqitej nga veza që po ngrohte. Ishulli Kristmas ka koloninë më të madhe të njohur në botë për zgalemat bishtpykë. Gjithashtu, me sa dihet, është një nga vendet e pakta që kanë mbetur ku shumohen zgalemi polinezian i stuhisë dhe ai i Ishujve Feniks. Midis shumë shpendëve të tjerë që shumohen këtu është zogu bishtkuq i tropikut, sula me maskë, sula ngjyrë kafe, sula këmbëkuqe, dallëndyshja kafe e detit dhe fregata.

Pa kurrfarë vështirësie, fregatat çanin vetëtimthi drejt qiellit, duke bërë akrobacira mahnitëse. Ato ua vidhnin në ajër peshqit zogjve të tjerë dhe bënin gara kush t’i rrëmbente më parë kafshatat që hidhnin peshkatarët. Nevoja e ka detyruar këtë shpend të bëhet kaq i shkathët në ajër, pasi në përgjithësi fregatat nuk ulen mbi ujë. Ngjashëm dallëndysheve bardhë e zi të detit, edhe pendët e tyre nuk janë edhe aq të papërshkueshme sa duhet ndaj ujit dhe veç kësaj, hapja e madhe e krahëve që mund të shkojë gati dy metra ua vështirëson ngritjen në fluturim.

Morëm vesh se një zog i vogël ngjyrë kafe që kishim parë përpara, ishte një kllinzë e artë e Paqësorit. Ajo është një nga zogjtë e shumtë shtegtarë që e kanë Ishullin Kristmas një vend jetik ku ushqehen e dimërojnë pas një fluturimi prej mijëra kilometrash nga vendi ku shumohen mbi Rrethin Polar të Veriut. Aftësitë e shkëlqyera për t’u orientuar i drejtojnë këta fluturues të largësive të mëdha në këtë bazë të largët zogjsh rreth 2.100 km në jug të Honolulusë, Havai.

Arsyeja e veçantë e vizitës tonë

E vizitojmë rregullisht Ishullin Kristmas, jo për të parë zogjtë, por për të ndenjur me bashkëbesimtarët tanë Dëshmitarë të Jehovait dhe për të marrë pjesë bashkë me ta në mbledhje dhe në predikim. Largësia u krijon vërtet vështirësi këtyre bashkëbesimtarëve të dashur. Për shembull, vite më parë, kur një Dëshmitar vdiq papritur, gruaja e të ndjerit me kurajë e mbajti vetë fjalimin e funeralit sepse nuk kishte kush ta mbante tjetër. Ajo donte që të pranishmit e shumtë të dëgjonin shpresën që jep Bibla për të vdekurit.—Gjoni 11:25; Veprat 24:15.

Përveç tri përkthimeve të shkëlqyera të Biblës, ka edhe disa botime biblike në gjuhën vendëse. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait botojnë çdo muaj një revistë Kulla e Rojës me ilustrime me ngjyra në gjuhën gilbërteze dhe literaturë tjetër biblike. Shumë veta habiten nga kjo, pasi në botë këtë gjuhë e flasin më pak se 100.000 veta. Këto botime të bazuara në Bibël bëjnë të mundur që ky grup i izoluar Dëshmitarësh të mblidhet rregullisht për të adhuruar Perëndinë dhe të përmbushë detyrën që dha Jezui për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 24:14; Hebrenjve 10:24, 25.

Transporti është i vështirë për vizitorët. Megjithatë, në Ishullin Kristmas mund të shkosh vetëm për tri orë në rrugë tokësore nga Londra në Poloni, duke kaluar nëpër Tenesi. Si ka mundësi? Banane, Londër, Paris, Poloni, Tapakea dhe Tenesi janë emra të lezetshëm fshatrash që hedhin idenë për origjinat e disa prej vizitorëve të hershëm të këtij ishulli.

Gjatë njërës prej vizitave tona, një mjek miqësor na ftoi të shkonim me të në Poloni duke na dhënë mundësi të predikonim atje për herë të parë. Ngaqë kishim vetëm dy orë kohë për të qëndruar në Poloni, vrapuam, në kuptimin e plotë të fjalës, nga shtëpia në shtëpi që të shkonim te të gjithë. Të gjithë sa takuam, e dëgjuan me vlerësim mesazhin tonë nga Bibla, pranuan botime dhe nuk u zinin besë syve se ishin në gjuhën e tyre.

I kemi për zemër njerëzit e dashur të Ishullit të largët Kristmas. Gjithashtu e kemi pikë të dobët këtë ishull për zogjtë e tij të mrekullueshëm. Shumë kohë më parë, kapiteni Kuk mund të ketë menduar se ishulli bënte vetëm për zogjtë, por sot shumë njerëz që jetojnë atje nuk janë dakord me këtë mendim. Ashtu si zogjtë, edhe ata e quajnë këtë ishull shtëpinë e tyre.

[Shënimet]

^ par. 3 Më parë Kiribati quhej Ishujt e Gillbertit. Sot Kiribati përfshin jo vetëm 16 Ishujt e Gillbertit, por edhe Ishujt Feniks, Ishujt e Ekuatorit dhe të ashtuquajturin Banaba (Ishulli i Oqeanit).

^ par. 5 Në bindje të urdhrit të Jezuit, Dëshmitarët e Jehovait e përkujtojnë një herë në vit ditën që përkon me vdekjen e tij.—Luka 22:19.

^ par. 8 Edhe në Oqeanin Indian gjendet një ishull i quajtur Kristmas.

[Hartat në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Ishulli Kristmas

Banane

Tapakea

Londër

Paris

Poloni

Vija e ndërrimit të datës

[Figura në faqen 16]

Fregata

[Burimi]

GaryKramer.net

[Figura në faqen 17]

Dallëndyshe e bardhë deti

[Burimi]

© Doug Perrine/​SeaPics.com

[Figura në faqen 17]

Sula ngjyrë kafe

[Burimi]

Valerie & Ron Taylor/​ardea.com

[Figura në faqen 18]

Në predikim me Dëshmitarët vendës

[Burimi i figurës në faqen 18]

GaryKramer.net