Krijoni një ambient të ngrohtë familjar
Hapi 2
Krijoni një ambient të ngrohtë familjar
Pse ta bëni këtë hap? Fëmijët kanë nevojë për dashuri dhe pa të sikur vyshken. Në vitet 50 antropologu M. F. Ashli Montag shkroi: «Ajo që i duhet më shumë organizmit të njeriut për t’u zhvilluar, është të ushqehet me dashuri. Shëndeti, pothuajse në çdo aspekt, buron nga dashuria që merr, sidomos në gjashtë vitet e para të jetës.» Studiuesit e kohëve moderne janë dakord me përfundimin e Montagut se «fëmijët vuajnë pasoja shumë të rënda kur nuk marrin dashuri sa duhet».
Vështirësia: Kjo botë egoiste dhe pa dashuri i tensionon marrëdhëniet familjare. (2 Timoteut 3:1-5) Ndoshta çiftet e martuara vënë re se kërkesat ekonomike dhe emocionale që sjell rritja e fëmijëve, bëjnë që problemet martesore të rëndohen. Për shembull mund të ndodhë që burri dhe gruaja të kenë mendime të ndryshme se si t’i disiplinojnë fëmijët ose si t’i shpërblejnë kur sillen mirë. Por kjo mund ta shtojë tensionin midis dy njerëzve që tashmë e kanë të vështirë komunikimin.
Zgjidhja: Planifikoni që rregullisht të rrini bashkë si familje. Veç kësaj, çiftet kanë nevojë të planifikojnë kohë që të rrinë vetëm me njëri-tjetrin. (Amosi 3:3) Përdoreni me mençuri kohën kur fëmijët shkojnë në shtrat. Mos lejoni që televizori t’ju vjedhë këto çaste të çmuara. Mbajeni gjallë dashurinë romantike në martesë, duke i shprehur vazhdimisht përzemërsi njëri-tjetrit. (Proverbat 25:11; Kënga e Solomonit 4:7-10) Në vend që gjithnjë ‘të gjeni të meta’ te bashkëshorti, kërkoni çdo ditë mënyra për ta lavdëruar.—Psalmi 103:9, 10; Proverbat 31:28.
Thuajuni fëmijëve që i doni. Perëndia Jehova la shembullin për prindërit, kur ia shprehu hapur përzemërsinë Birit të tij, Jezuit. (Mateu 3:17; 17:5) Fleku, një baba që jeton në Australi, thotë: «Kam parë se fëmijët janë si lulet. Ashtu si bimët e vogla që kthehen nga dielli për dritë dhe ngrohtësi, edhe fëmijët i kanë sytë te prindërit që të marrin dashuri dhe të sigurohen se janë pjesëtarë të çmuar të familjes.»
Edhe po të jeni i martuar, edhe po të jeni prind i vetëm, nëse ndihmoni që në familje të ushqehet dashuria për njëri-tjetrin dhe për Perëndinë, jeta juaj familjare do të bëhet më e lumtur.
Por, çfarë thotë Fjala e Perëndisë për ushtrimin e autoritetit prindëror?
[Diçitura në faqen 4]
‘Dashuria është një lidhje e përsosur bashkimi.’—Kolosianëve 3:14