Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësoni me anë të shembullit

Mësoni me anë të shembullit

Hapi 7

Mësoni me anë të shembullit

Pse ta bëni këtë hap? Veprimet mësojnë. Shpesh fjalët japin vetëm informacion. Për shembull, prindërit mund t’u thonë fëmijëve t’i respektojnë të tjerët dhe të thonë të vërtetën. Por, nëse vetë prindërit i bërtasin njëri-tjetrit ose fëmijëve dhe thonë gënjeshtra për të shkarkuar veten nga përgjegjësi që nuk u vijnë për shtat, po u mësojnë fëmijëve se kështu duhet të sillen të rriturit. Dr. Sal Seviri thotë se «një nga mënyrat më të fuqishme se si mësojnë fëmijët» është duke imituar prindërit.

Vështirësia: Prindërit janë të papërsosur. Apostulli Pavël shkroi: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Në lidhje me vetëkontrollin në të folur, dishepulli Jakov shkroi: «Gjuhën, askush nuk mund ta zbutë.» (Jakovi 3:8) Veç kësaj, nuk është e pazakontë që fëmijët ta sprovojnë durimin e prindërve deri aty ku nuk mban më. «Habitesha se sa kollaj fëmijët e mi arrinin të m’i ngrinin nervat»,—thotë Lari, që ka dy fëmijë e që në përgjithësi është tip i qetë dhe i përmbajtur.

Zgjidhja: Mundohuni të jeni shembuj të mirë, jo të përsosur. Kur ndodh që gaboni, shfrytëzojeni rastin për t’u mësuar fëmijëve diçka të mirë. «Kur nxehesha me fëmijët ose merrja ndonjë vendim të gabuar që nuk ndikonte për mirë tek ata,—thotë Krisi, që ka dy vajza,—e pranoja gabimin dhe kërkoja falje. Kjo u mësoi fëmijëve se edhe prindërit bëjnë gabime dhe se të gjithë kemi nevojë të përpiqemi që të sillemi më mirë.» Kostasi, i përmendur më parë, thotë: «Kam parë se ngaqë kërkoj falje kur nevrikosem, edhe vajzat kanë mësuar të kërkojnë falje kur ato vetë gabojnë.»

Perëndia Jehova thotë: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efesianëve 6:4) Kur dikush me autoritet, tjetër thotë e tjetër bën, kjo i acaron fëmijët po aq sa edhe të rriturit, në mos më shumë. Prandaj, në fund të ditës, përse të mos i bëni vetes këto pyetje: po të mos kisha thënë asnjë fjalë gjithë ditën, çfarë do të mësonin fëmijët e mi nga veprimet e mia? A do të mësonin po ato gjëra që përpiqem t’u them me fjalë?

[Diçitura në faqen 9]

«Ti . . . që mëson një tjetër, nuk mëson veten ?»​—Romakëve 2:21

[Figurat në faqen 9]

Kur një prind kërkon falje, edhe fëmija mëson të kërkojë falje