Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

«Tani një familje e zakonshme amerikane ka më shumë televizorë se pjesëtarë»​—për çdo 2,55 veta ka 2,73 televizorë. «Gjysma e familjeve amerikane kanë tre a më shumë televizorë.»​—ASSOCIATED PRESS, SHBA.

▪ Çdo ditë në gjykatat anembanë Afrikës së Jugut, 82 fëmijë akuzohen për «përdhunim ose sulme të turpshme kundrejt fëmijëve të tjerë». Sipas një këshilltari në fushën e abuzimit të fëmijëve, një pjesë e madhe e të akuzuarve thonë se për abuzimin «ishin frymëzuar nga aktet që shihnin në televizor».​—THE STAR, AFRIKA E JUGUT.

Mungesa e gjumit ul rendimentin

Zakonet e gjumit që kanë disa spanjollë po ua çojnë në zero rendimentin në punë. Dr. Eduard Estivili, që drejton një klinikë për gjumin në Barcelonë, vëren se në krahasim me evropianë të tjerë, spanjollët zgjohen më herët, punojnë me orar më të zgjatur, hanë darkë më vonë dhe flenë mesatarisht 40 minuta më pak. Por, mungesa e gjumit mund të çojë në probleme të tilla, siç janë: acarimi, dobësimi i kujtesës, ankthi dhe depresioni. Prandaj, dr. Estevili paralajmëron: «Çdokush që bën punë mendore ose ndonjë aktivitet tjetër që kërkon përqendrim, duhet të flejë shtatë deri në tetë orë në ditë.»

Grurë për ngrohje?

A është etike që gruri të përdoret për ngrohje? Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung shpjegon se meqë çmimi i grurit po bie, kurse çmimi i naftës po rritet, një bujku i leverdis më shumë ta djegë për ngrohje grurin që prodhon vetë, sesa ta shesë për të blerë naftë. Kostoja për të prodhuar 2,5 kilogramë grurë, bujkut i shkon 20 cent, por nëse kjo sasi gruri do të digjej për ngrohje, do të prodhonte thuajse po aq nxehtësi sa do të përftohej nga një litër naftë, që kushton 60 cent. Ja pse gazeta përmendte dilemën: a mund ta «djegësh drithin kur njerëz të tjerë vdesin urie»?

Nxirren fitime nga vizita e papës

Kur papa vizitoi Gjermaninë më 2006, prodhuesit, tregtarët dhe industria e turizmit i kishte marrë mirë masat që më përpara për të përfituar nga vizita e tij. Edhe kisha zgjodhi një partner biznesi për shitjen ekskluzive të suvenirëve për atë rast. Ndër këta suvenirë kishte rruzare, qirinj, shishe me ujë të bekuar, filxhanë kafeje, kapela, bluza, mbajtëse çelësash dhe flamurë të Vatikanit. Revista informative Der Spiegel thoshte: «Kisha Katolike ka gisht në aktivitetet fitimprurëse, sikur Jezu Krishti . . . të mos i ketë dëbuar kurrë tregtarët nga tempulli.»

Videolojërat i bëjnë të pandjeshëm ndaj dhunës

«Videolojërat me dhunë mund t’i bëjnë njerëzit të pandjeshëm ndaj dhunës në jetën reale»,—thonë studiuesit psikologë pranë Universitetit Shtetëror të Ajouas, SHBA. Studimet e mëparshme treguan se këto lojëra «shtonin mendimet agresive, zemërimin, rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen, si dhe sjelljen agresive». Gjatë këtij studimi u vrojtuan rrahjet e zemrës dhe reagimi emocional i atyre që shihnin episode dhune të filmuara nga jeta reale, menjëherë pasi kishin luajtur me videolojëra me dhunë ose me videolojëra pa dhunë. Rezultatet treguan se ata «që luajnë me videolojëra me dhunë, ‘mësohen’ me dhunën në përgjithësi dhe si përfundim, bëhen psikologjikisht të pandjeshëm ndaj saj».