Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’u jap fund thashethemeve?

Si t’u jap fund thashethemeve?

Të rinjtë pyesin . . .

Si t’u jap fund thashethemeve?

«Një herë shkova në një festë dhe të nesërmen u hapën fjalë se atje bëra seks me një djalë. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë!»​—Linda. *

«Ndonjëherë dëgjoj thashetheme sikur po shoqërohem me një vajzë, me një që nuk e njoh fare! Shumë njerëz që merren me thashetheme as nuk e marrin mundimin të sigurohen për ato që thonë.»​—Majku.

THASHETHEMET mund të ta mbushin jetën me më shumë intriga nga ç’mund të ketë një film. Mjafton të pyesim Ambrën 19-vjeçare. Ajo thotë: «Vazhdimisht kam qenë viktimë e thashethemeve. Kishin hapur fjalë që isha shtatzënë, që kisha bërë aborte, që shitja drogë, që blija e merrja drogë. Përse i thoshin njerëzit këto gjëra? Sinqerisht, as që e kam idenë!»

Thashetheme me anë të teknologjisë

Kur prindërit e tu ishin adoleshentë, thashethemet e fundit më shpesh përhapeshin goja-gojës. Kurse sot ka hyrë në lojë teknologjia. Me anë të postës në Internet dhe mesazheve në celular, një djalë ose një vajzë me qëllime të këqija, mund të ta prishë reputacionin pa nxjerrë nga goja as edhe një fjalë. Mjafton vetëm të shtypë ca taste që t’u dërgojë thashetheme keqdashëse dhjetëra njerëzve të tjerë që mezi presin.

Disa thonë se Interneti e celulari po ia zënë shpejt vendin telefonit, si mjeti i preferuar për thashetheme. Ka raste që hapet një sit Interneti vetëm e vetëm për të poshtëruar dikë. Më shpesh ndodh që në disa site Interneti ku pjesëmarrësit mund të lexojnë ditarin e njëri-tjetrit, thuhen kaq shumë thashetheme, sa nuk do të thuheshin kurrë gojë më gojë. Gjatë një ankete, 58 për qind e të rinjve thanë se ishin bërë shënjestër e fjalëve lënduese të shkruara për ta në Internet.

Por a është gjithmonë e gabuar të flasësh për të tjerët? A ka raste kur . . .

Është mirë të flitet për të tjerët?

A është i vërtetë apo i gabuar pohimi që përmendet në vijim?

Të flasësh për të tjerët është gjithmonë e gabuar. E vërtetë E rreme

Cila është përgjigjja e saktë? Nëse ndodh që gjatë bisedës thjesht bie fjala te dikush, ndonjëherë mund të jetë me vend të flitet për të tjerët. Në fund të fundit, Bibla na thotë ‘të shohim me interes edhe çështjet e të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Kjo nuk do të thotë që duhet të futim hundët ku s’na takon. (1 Pjetrit 4:15) Por këto biseda të rastit shpesh na japin informacione të vlefshme, për shembull kush do të martohet, kush është bërë me fëmijë ose kush ka nevojë për ndihmë. Ç’është e vërteta, s’mund të themi se interesohemi për të tjerët po të mos flasim kurrë për ta.

Gjithsesi, këto biseda të rastit mund të kthehen kollaj në thashetheme të dëmshme. Edhe një koment i thënë pa të keq, si për shembull: «Fredi dhe Ada do të ishin një çift i bukur», mund të përcillet si: «Fredi dhe Ada janë çift i bukur», ndonëse Fredi dhe Ada s’dinë gjë fare se paskan një «histori dashurie». Ndoshta thua: ‘Epo s’u bë nami.’ Por, po sikur të ishe ti Fredi ose Ada?

Xhuli 18-vjeçare u bë viktimë e thashethemeve, dhe kjo e lëndoi. Ajo thotë: «U zemërova dhe nuk dija, t’u besoja apo të mos u zija më besë njerëzve.» Edhe Xhejnit 19-vjeçare i ndodhi e njëjta gjë. «Fillova t’i shmangem një djali me të cilin gjoja po shoqërohesha.» Më tej shton: «Për mua kjo nuk ishte e drejtë, sepse ne ishim shokë dhe nëse flitnim me njëri-tjetrin, s’kishin pse bënin thashetheme për ne.»

Është e qartë se thashethemet përhapen shpejt dhe kanë pasoja. Gjithsesi, shumë nga ata që kanë vuajtur nga thashethemet, do ta pranonin menjëherë se edhe vetë janë marrë ndonjëherë me thashetheme. Mbase është mjaft tunduese që të përfshihesh edhe ti në bisedë kur për dikë nuk flitet mirë. Përse? «Është një mënyrë për të humbur pak mendjen,—thotë Filipi 18-vjeçar.—Njerëzve u pëlqen më shumë të merren me problemet e të tjerëve se me të vetat.» Pra, ç’të bësh kur një bisedë e nisur pa të keq kthehet në thashetheme?

Ndryshoja drejtimin bisedës me kujdes

Mendo sa zotësi duhet që të ngasësh makinën në një rrugë plot trafik. Befas mund të dalë diçka që të detyron të ndërrosh korsi, t’u hapësh rrugë makinave të tjera ose të ndalosh fare. Po të jesh syçelë dhe të merakosesh për sigurinë, do ta kuptosh se çfarë po ndodh dhe do të veprosh siç duhet.

Njësoj është edhe me bisedat. Zakonisht e kupton kur drejtimi që merr biseda do të çonte në thashetheme. Kur ndodh kjo, a mund të tregohesh i zoti e, në mënyrë të figurshme, të ndryshosh korsi? Nëse nuk e bën këtë, mos harro: thashethemet mund të dëmtojnë. Majku tregon: «Thashë diçka të pasjellshme për një vajzë—se ajo vdiste për çunat—por asaj i ra në vesh kjo. Kurrë s’kam për ta harruar zërin e saj kur erdhi të sqarohej dhe sa ishte lënduar nga fjalët e mia të pamenduara. U pajtuam, por ndihesha keq kur mendoja se kisha lënduar dikë në atë mënyrë.»

Vërtet, duhet guxim të frenosh një bisedë që po kthehet në thashetheme. Megjithatë, siç thotë edhe Karolina 17-vjeçare: «Duhet të kesh kujdes për ato që thua. Nëse nuk e ke dëgjuar nga një burim i sigurt, mund të përhapësh gënjeshtra.»

Për të shmangur thashethemet, ndiq këshillën e këtyre shkrimeve nga Bibla:

«Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja, por kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.» (Proverbat 10:19) Sa më shumë të flasësh, aq më shumë rrezikon të thuash diçka për të cilën do të pendohesh më vonë. Në fund të fundit, më mirë të njihesh si dëgjues i heshtur, sesa si llafazan.

«Zemra e të drejtit mediton para se të përgjigjet, ndërsa goja e të ligjve dërdëllit gjëra të këqija.» (Proverbat 15:28) Mendohu para se të flasësh!

«Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të tij.» (Efesianëve 4:25) Para se të thuash diçka, sigurohu që është e vërtetë.

«Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.» (Luka 6:31) Para se të thuash diçka për ndonjë njeri, qoftë kjo edhe e vërtetë, pyet veten: ‘Si do të ndihesha po të isha në vendin e tij dhe dikush t’u zbulonte të tjerëve këto gjëra për mua?’

«Le të ndjekim ato gjëra që i hapin rrugë paqes dhe që ndërtojnë njëri-tjetrin.» (Romakëve 14:19) Edhe informacionet e vërteta mund të jenë të dëmshme nëse nuk ndërtojnë.

«Të keni si synim të jetoni në qetësi, të shikoni punët tuaja dhe të punoni me duart tuaja.» (1 Selanikasve 4:11) Mos u merr tepër me punët e të tjerëve. Ka mënyra më të mira për ta kaluar kohën.

Kur bëjnë thashetheme për ty

Mbase je dakord që njeriu duhet ta kontrollojë gjuhën dhe të mos bëjë thashetheme për të tjerët, por kur të tjerët bëjnë thashetheme për ty mund ta marrësh çështjen edhe më seriozisht. «Mendoja se kurrë nuk do të mbaja më shokë,—thotë Xhoana 16-vjeçare, që ra pre e thashethemeve dashakeqe.—Për net me radhë më zinte gjumi duke qarë. Më dukej sikur i gjithë reputacioni im mori fund.»

Çfarë të bësh nëse bëhesh viktimë e fjalëve të pabaza?

Shiko përtej fjalëve. Përpiqu të kuptosh se çfarë i shtyn njerëzit të merren me thashetheme. Disa e bëjnë që të duken para të tjerëve, të tregojnë se janë të mirinformuar. «Duan që të tjerët të mendojnë se ata janë njerëz të kohës, thjesht ngaqë flasin për të tjerët»,—thotë Kareni 14-vjeçare. Pasiguria i shtyn disa të rinj të ulin të tjerët për t’u ndier më mirë me veten. Reneja 17-vjeçare, përmend edhe një arsye tjetër. Ajo thotë: «Njerëzit mërziten. Duan të sajojnë ndonjë histori si nëpër filma dhe ta bëjnë jetën më interesante duke përhapur fjalë.»

Mbaji nën kontroll ndjenjat. Dikush që është lënduar nga thashethemet e nuk arrin t’i kontrollojë ndjenjat e turpit dhe të mërisë mund të reagojë në një mënyrë për të cilën më vonë do të pendohet. Te Proverbat 14:17 thuhet: «Kush zemërohet shpejt, kryen marrëzi.» Ndonëse është kollaj të thuhet, por jo edhe aq të bëhet, tamam në këto raste duhet të tregosh më shumë vetëpërmbajtje se zakonisht. Po të veprosh kështu, nuk do të biesh në të njëjtën grackë si personi që të përfoli.

Shqyrtoje situatën me realizëm. Bëji vetes pyetjet e mëposhtme: a jam i sigurt se ato që dëgjova i kanë thënë për mua? A janë thashetheme apo është një keqkuptim i madh? Mos jam tepër i ndjeshëm? Sigurisht nuk ka justifikim për thashethemet. Megjithatë, një reagim i tepruar mund të ta prishë reputacionin më shumë sesa vetë thashethemet. Pra, përse të mos kesh edhe ti pikëpamjen që e ndihmoi Renenë? Ajo thotë: «Zakonisht lëndohem kur dikush thotë ndonjë gjë të keqe për mua, por përpiqem të mos e marr tepër seriozisht. E pra, javën që vjen ka shumë mundësi të flasin për dikë tjetër ose për diçka tjetër.» *

Mbrojtja më e mirë

Bibla thotë se «të gjithë ne pengohemi shumë herë». Pastaj shton: «Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur, i zoti t’i vërë fre edhe gjithë trupit.» (Jakovi 3:2) Prandaj, nuk do të ishte e mençur të merrnim seriozisht çdo fjalë që thonë për ne. Tek Eklisiastiu 7:22 thuhet: «Zemra jote e di mirë se ti vetë i ke mallkuar shumë herë të tjerët.»

Kur je viktimë e thashethemeve, mbrojtja më e mirë është sjellja jote e mirë. Jezui tha: «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta.» (Mateu 11:19) Pra mundohu të mbetesh njeri miqësor dhe i dashur. Mbase do të habitesh se sa shpejt kjo mund t’u japë fund thashethemeve ose të paktën do të të forcojë ty që të përballosh ndikimin e tyre.

[Shënimet]

^ par. 3 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.

^ par. 33 Në disa raste mund të jetë mirë që me takt të ballafaqohesh me atë që ka folur. Gjithsesi, në shumë raste, nuk është e nevojshme, pasi «dashuria mbulon një shumicë mëkatesh».—1 Pjetrit 4:8.

PYETJE PËR TË MENDUAR

▪ Çfarë mund të të frenojë që të mos përhapësh thashetheme për të tjerët?

▪ Çfarë do të bësh nëse dikush përhap thashetheme për ty?