Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Solisti i «qytetit të përjetshëm»

Solisti i «qytetit të përjetshëm»

Solisti i «qytetit të përjetshëm»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

Pamja dhe zhurma e shatërvanëve të shumtë në Romë e frymëzuan kompozitorin italian Otorino Respigi të kompozonte poemën simfonike me titull «Shatërvanët e Romës». Le të shkojmë në një nga shatërvanët më madhështorë: Shatërvani i Trevit.

Teksa ecim në një rrugicë që çon te shatërvani, kthehemi në një qoshe dhe ja, ajo që shohim na lë pa fjalë. Është Shatërvani i stërmadh i Trevit me gjerësi 20 metra dhe lartësi 26 metra, i cili mbizotëron në një shesh të vogël. Ç’ndërtim madhështor fsheh kjo hapësirë kaq e vogël!

Shatërvani i Trevit u ndërtua me autorizimin e Papa Klementit XII dhe u projektua nga arkitekti italian Nikolo Salvi. Ndërtimi filloi në vitin 1732 dhe përfundoi më 1762. Shatërvani furnizohet nga ujësjellësi «Akua Virgo», i ndërtuar në shekullin e parë p.e.s., që fillon rreth 13 kilometra larg qytetit.

Motivi i këtij shatërvani të ndërtuar në fasadën e një pallati, është deti. Personazhi mitologjik, Neptuni (ose disa thonë Oqeani) qëndron hijerëndë në karrocën e tij në formë guaske duke kontrolluar ujin që vërshon poshtë tij. Teksa uji derdhet vrullshëm rreth statujave të tjera dhe rrjedh në shkëmbinjtë poshtë, nga zhurma që krijohet, të duket sikur dallgët po përplasen në breg. Shatërvani zë një pjesë të madhe të sheshit dhe të krijon përshtypjen se i gjithë sheshi është pjesë e tij.

Çdo ditë qindra turistë dynden në sheshin e vogël dhe hedhin monedha në një nga objektet që tërheq më shumë vizitorë në Romë. Një herë në javë, shatërvani zbrazet. Paratë e mbledhura nga turistët, që arrijnë rreth 11.000 dollarë në javë, grumbullohen dhe i dhurohen ndonjë organizate fetare bamirëse.

Nëse shatërvanët do të këndonin me zërin e qytetit, siç mendonte Respigi, atëherë Shatërvani i Trevit do të ishte solisti dhe do të spikaste mes gjithë atyre shatërvanëve që admirohen nga vizitorët në Romë, i ashtuquajturi qytet i përjetshëm.