Tregojuni fëmijëve se i kuptoni
Hapi 6
Tregojuni fëmijëve se i kuptoni
Pse ta bëni këtë hap? Fëmijët dëshirojnë dhe kanë nevojë që njerëzit më të rëndësishëm të jetës së tyre, pra prindërit, të dinë se si ndihen ata. Nëse prindërit e kanë zakon t’u kundërvihen fëmijëve kur ata u shprehin ndjenjat, ka të ngjarë që fëmijët të mos u hapen më e madje mund të dyshojnë nëse ndjenjat dhe mendimet e tyre janë normale.
Vështirësia: Fëmijët kanë prirjen ta ekzagjerojnë kur shprehin mendimet dhe ndjenjat. Vërtet, disa nga gjërat që thonë fëmijët mund t’i shqetësojnë prindërit. Për shembull, një fëmijë i mërzitur mund të thotë: «Ma shpif jeta ime.» * Përgjigjja që mund t’i vijë instinktivisht prindit mund të jetë: «Mos ia këput kot!» Prindërit ndoshta kanë merak se po t’u thonë fëmijëve se i kuptojnë ndjenjat dhe mendimet e tyre pesimiste, është njësoj si të jenë dakord me to.
Zgjidhja: Zbatoni këshillën e Biblës që të jeni ‘të shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitoheni në të folur e të mos zemëroheni shpejt’. (Jakobi 1:19) Vini re se Perëndia Jehova i kuptonte ndjenjat pesimiste të shumë prej shërbëtorëve të tij besnikë, siç tregon fakti që i dokumentoi në Bibël. (Zanafilla 27:46; Psalmi 73:12, 13) Për shembull, kur po kalonte sprova nga më të rëndat, Jobi tha se donte të vdiste.—Jobi 14:13.
Kuptohet, disa nga mendimet dhe ndjenjat e Jobit duheshin korrigjuar. Por, në vend që t’i mohonte ndjenjat e Jobit ose të mos e linte të shprehej, Jehovai i dha dinjitet Jobit dhe me durim e la që t’i zbrazte zemrën. Vetëm pas kësaj, Jehovai e ndreqi me butësi. Një baba i krishterë tha për këtë çështje: «Meqë Jehovai më lë mua që t’ia zbraz zemrën në lutje, mendoj se është e drejtë që edhe unë t’i lë fëmijët e mi të më zbrazin ndjenjat e tyre, optimiste apo pesimiste qofshin.»
Herën tjetër kur t’ju vijë që t’i thoni fëmijës ‘s’ka pse ndihesh kështu’ ose ‘nuk e ke me gjithë mend’, mbani mend rregullën e famshme të Jezuit: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.» (Luka 6:31) Për shembull, ta zëmë se ju kanë trajtuar ashpër në punë ose jeni mërzitur për ndonjë gjë e ndoshta e kishit vetë fajin. Ia shprehni mërzitjen një shoku të ngushtë duke i thënë se nuk e shtyni dot më në punë. Çfarë do të donit që të bënte ky shok? T’ju thoshte që s’ke pse ndihesh kështu dhe menjëherë t’ju nxirrte në pah se gjithsesi, problemi ka ardhur për fajin tënd? Apo do t’ju pëlqente t’ju thoshte: «Duhet të ketë qenë e vështirë. Paske kaluar një ditë stresuese.»
Fëmijët, ashtu si edhe të rriturit, i pranojnë shumë më lehtë këshillat kur e ndiejnë se këshilluesi i kupton vërtet ata dhe vështirësitë që hasin. Në Fjalën e Perëndisë thuhet: «Zemra e njeriut të mençur e bën gojën e tij të tregojë gjykim të thellë dhe u shton forcë bindëse buzëve të tij.»—Proverbat 16:23.
Si mund të siguroheni që çdo këshillë që jepni do të merret seriozisht?
[Shënimi]
^ par. 4 Merreni seriozisht nëse fëmija thotë diçka që nënkupton se do që t’i japë fund jetës.
[Diçitura në faqen 8]
«Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, kjo është për të marrëzi.»—Proverbat 18:13