Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ushtrojeni autoritetin

Ushtrojeni autoritetin

Hapi 3

Ushtrojeni autoritetin

Pse ta bëni këtë hap? Sipas revistës Prindërit (anglisht), studimet tregojnë se «fëmijët që rriten nga prindër të dashur, por me autoritet—që u qëndrojnë afër fëmijëve, por edhe u vënë kufij të qartë—shkëlqejnë në mësime, janë më të aftë në marrëdhëniet shoqërore, ndihen mirë me veten dhe në tërësi janë më të gëzuar se fëmijët e prindërve që janë ose tepër tolerantë, ose tepër striktë».

Vështirësia: Që nga foshnjëria e deri në adoleshencë fëmijët do ta kundërshtojnë të drejtën tuaj për të ushtruar autoritet mbi ta. «Fëmijët e dallojnë lehtë kur prindërit ngurrojnë t’ua bëjnë të qartë se kanë autoritet mbi ta ose kur prindërit janë gati të dorëzohen»,—shkruan Xhon Rozmondi, autor i librit Pushteti i prindit! (anglisht). «Kur vjen puna se ‘kush është i pari’, nëse nuk komandojnë prindërit, me siguri do ta bëjnë fëmijët»,—thotë ai.

Zgjidhja: Mos kini frikë se fëmijët do t’ju largohen ose do të vriten shpirtërisht po ta ushtroni autoritetin si prind. Perëndia Jehova, Nismëtari i jetës familjare nuk ka vendosur që fëmijët të jenë të barabartë me prindërit në drejtimin e familjes. Përkundrazi, ai u jep prindërve autoritet dhe i urdhëron fëmijët: «Bindjuni prindërve tuaj.»​—Efesianëve 3:14, 15; 6:1-4.

Mund ta ushtroni autoritetin pa u kthyer në një tiran. Si? Duke ndjekur shembullin e Jehovait. Ai ka fuqi t’i detyrojë fëmijët e vet njerëzorë të bëjnë vullnetin e tij, e megjithatë na nxit të nxjerrim të mirën që kemi brenda vetes. Në Fjalën e tij thuhet: «Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:18) Jehovai dëshiron që ne të mos i bindemi nga frika e sëmurë, por ngaqë e duam. (1 Gjonit 5:3) Ai tregohet i arsyeshëm në kërkesat që na bën dhe e di që do të na dalë për mirë, po të jetojmë sipas normave të tij morale.​—Psalmi 19:7-11.

Si mund të jeni të sigurt se duhet ta ushtroni autoritetin prindëror me ekuilibër? Së pari, është e nevojshme të jeni të bindur se Perëndia e kërkon këtë gjë prej jush. Së dyti, duhet të jeni të sigurt se zbatimi i normave të Perëndisë është gjëja më e mirë për ju dhe për fëmijët tuaj.​—Romakëve 12:2.

Çfarë duhet të bëni konkretisht për të ushtruar autoritetin tuaj?

[Diçitura në faqen 5]

«Disiplinoji fëmijët e tu dhe . . . ata do të ta kënaqin shpirtin.»​—Proverbat 29:17, New Revised Standard Version