Vendosni rregulla në familje dhe zbatojini menjëherë
Hapi 4
Vendosni rregulla në familje dhe zbatojini menjëherë
Pse ta bëni këtë hap? Ronald Simonsi, sociolog në Universitetin e Xhorxhias, thotë: «E vërteta është se fëmijët rriten më mirë me rregulla të qarta dhe masa disiplinore që zbatohen gjithmonë. Pa një strukturë të tillë, fëmijët bëhen të përqendruar te vetja, egoistë e të palumtur dhe bëjnë të palumtur këdo që kanë pranë.» Fjala e Perëndisë thotë me fjalë të thjeshta: «Kush e do [birin e tij], i rri mbi kokë duke e disiplinuar.»—Proverbat 13:24.
Vështirësia: Për t’u vënë kufij të arsyeshëm fëmijëve dhe për t’i zbatuar këto kufizime duhet kohë, përpjekje dhe këmbëngulje. Duket sikur fëmijët kanë prirjen t’u kundërvihen këtyre kufizimeve. Majku dhe Sonja, që po rritin dy fëmijë, thonë dy fjalë me vend për këtë problem: «Fëmijët janë njerëz të vegjël që kanë mendjen dhe dëshirat e veta, si edhe një prirje të lindur për të mëkatuar.» Këta prindër i duan shumë vajzat e tyre, por pohojnë: «Nganjëherë fëmijët mund të jenë kokëfortë dhe egoistë.»
Zgjidhja: Imitoni mënyrën se si e trajtoi Jehovai kombin e Izraelit. Një mënyrë si e shprehu dashurinë për popullin e tij, ishte duke ia bërë të qarta ligjet që ai priste t’i respektonin. (Dalja 20:2-17) Tregoi pasojat që do të kishin nëse nuk do t’u bindeshin këtyre ligjeve.—Dalja 22:1-9.
Prandaj, pse të mos bëni një listë të shkruar të ligjeve ose rregullave të familjes që mendoni se fëmijët duhet t’u binden. Disa prindër sugjerojnë që kjo listë të ketë vetëm disa rregulla, pak a shumë pesë. Një listë e shkurtër e rregullave familjare të menduara mirë zbatohet disi më lehtë dhe mbahet mend më kollaj. Përbri rregullave shkruani pasojat në rast se do të shkelen. Sigurohuni që ndëshkimet të jenë të arsyeshme dhe që jeni gati t’i zbatoni. Rishikojini rregullat vazhdimisht, kështu që të gjithë në familje—përfshirë edhe ju si prindër—ta dinë saktësisht se çfarë pritet nga secili.
Nëse rregullat shkelen, zbatojeni dënimin menjëherë dhe me qetësi, vendosmëri e duke iu përmbajtur gjithnjë asaj që keni përcaktuar. Mbani parasysh: në qoftë se jeni të nevrikosur, pritni derisa të qetësoheni, pastaj disiplinojeni fëmijën. (Proverbat 29:22) Megjithatë, mos e zvarritni. Mos lëshoni pe. Në të kundërt, fëmija do të mendojë se rregullat nuk duhen marrë seriozisht. Kjo është ngjashëm asaj që thotë Bibla: «Ngaqë dënimi kundër një vepre të keqe nuk është ekzekutuar me shpejtësi, zemra e bijve të njerëzve është plotësisht e vendosur për të bërë keq.»—Eklisiastiu 8:11.
Në ç’mënyrë tjetër mund ta përdorni autoritetin për të mirën e fëmijëve tuaj?
[Diçitura në faqen 6]
«Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’.»—Mateu 5:37