A është i gabuar përdorimi i metodave kontraceptive?
Pikëpamja e Biblës
A është i gabuar përdorimi i metodave kontraceptive?
SI MENDONI? A është gabim që të martuarit të përdorin metoda kontraceptive? Ka mundësi që përgjigjja juaj të ndikohet nga bindjet fetare që keni. Sipas Kishës Katolike, çdo veprim që ka si qëllim të pengojë shumimin, «në thelb është i lig». Dogma katolike mbështet idenë se çdo marrëdhënie seksuale midis të martuarve duhet të lejojë mundësinë për ndonjë shtatzëni. Kështu, për Kishën Katolike, përdorimi i metodave kontraceptive është «i papranueshëm nga ana morale».
Shumë njerëz e kanë të vështirë ta pranojnë këtë pikëpamje. Në një artikull që fliste rreth kësaj teme në Pittsburgh Post-Gazette shkruhej se «më shumë se tre të katërtat e katolikëve në Shtetet e Bashkuara thonë se kisha duhet ta lejojë kontrollin e lindjeve. . . . Dhe miliona veta e shpërfillin çdo ditë ndalimin [që ka vënë ajo]». Një prej tyre, Linda, nënë me tre fëmijë, e pranon hapur se përdor kontraceptivë, por gjithashtu thotë: «Ndërgjegjja nuk më thotë aspak se po mëkatoj.»
Çfarë thotë Fjala e Perëndisë për këtë çështje?
Jeta është e çmuar
Për Perëndinë, jeta e një fëmije është e çmuar, madje edhe në fazat e para të zhvillimit. Davidi, mbret i Izraelit, shkroi i frymëzuar nga Perëndia: «Ti më mbështolle në barkun e nënës. Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij.» (Psalmi 139:13, 16) Një jetë e re fillon me ngjizjen, dhe Ligji i Moisiut tregon se një njeri mund të mbante përgjegjësi po të dëmtonte një fëmijë të palindur. Te Dalja 21:22, 23 tregohet me hollësi se në qoftë se dy burra ziheshin dhe si pasojë një grua shtatzënë ose fëmija i palindur vdiste, çështja do të çohej te gjykatësit e caktuar. Ata duhej të peshonin rrethanat dhe nëse ishte kryer me dashje; por dënimi mund të ishte «shpirt për shpirt», pra jetë për jetë.
Këto parime kanë lidhje me përdorimin e metodave kontraceptive, pasi disa metoda për kontrollin e lindjeve me sa duket shkaktojnë abort. Këto metoda shkojnë kundër parimit hyjnor për të respektuar jetën. Megjithatë shumica e metodave kontraceptive nuk janë të tilla. Ç’mund të thuhet për përdorimin e këtyre metodave?
Bibla nuk i urdhëron në asnjë vend të krishterët që të kenë fëmijë. Perëndia i tha çiftit të parë dhe familjes së Noesë: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.» Por ky urdhër nuk iu përsërit të krishterëve. (Zanafilla 1:28; 9:1) Prandaj çiftet e martuara mund të vendosin vetë nëse duan të kenë fëmijë, sa fëmijë të bëjnë dhe kur t’i bëjnë. Po kështu, Shkrimet nuk e dënojnë kontrollin e lindjeve. Prandaj, nga pikëpamja biblike është vërtet një vendim personal nëse burri dhe gruaja zgjedhin të përdorin ndonjë metodë kontraceptive joabortive. Po atëherë, përse disa fe e dënojnë përdorimin e metodave kontraceptive?
Mençuria e njeriut përballë mençurisë së Perëndisë
Burime katolike shpjegojnë se ishte shekulli i dytë i e.s., kur ata që e quanin veten të krishterë përvetësuan normën stoike, sipas së cilës i vetmi qëllim i ligjshëm për marrëdhëniet seksuale martesore ishte lindja e fëmijëve. Pra arsyetimi që qëndronte pas kësaj pikëpamjeje ishte filozofik, dhe jo biblik. Nuk bazohej në mençurinë e Perëndisë, por në mençurinë e njeriut. Kjo filozofi vazhdoi përgjatë shekujve dhe u përpunua nga teologë të ndryshëm katolikë. * Rrjedhojë logjike e kësaj doktrine ishte ideja se, në vetvete, kënaqësia seksuale është mëkat dhe për pasojë, marrëdhëniet seksuale që nuk lënë mundësi për shumim janë të pamoralshme. Por Shkrimet nuk na mësojnë këtë gjë.
Libri biblik i Proverbave përshkruan me një gjuhë poetike kënaqësinë që mund të sjellin marrëdhëniet e përshtatshme intime midis bashkëshortëve: «Pi ujë nga sterna jote, prej ujit që rrjedh nga pusi yt. I bekuar qoftë burimi yt i ujërave dhe gëzo me gruan e rinisë sate, drenushë e dashur, sorkadhe magjepsëse! Gjinjtë e saj të të dehin gjithë kohës. Nga dashuria e saj qofsh vazhdimisht i dalldisur!»—Proverbat 5:15, 18, 19.
Marrëdhëniet seksuale midis bashkëshortëve janë dhuratë nga Perëndia. Por arsyeja e tyre e vetme nuk është lindja e fëmijëve. Marrëdhëniet seksuale bëjnë të mundur edhe që të martuarit t’i shprehin përzemërsi dhe dashuri njëri-tjetrit. Pra, nëse një çift vendos të përdorë ndonjë metodë kontraceptive për të parandaluar shtatzëninë, kjo është zgjedhja e tyre dhe askush nuk duhet t’i gjykojë.—Romakëve 14:4, 10-13.
[Shënimi]
^ par. 11 Vetëm në shekullin e 13-të, papa Gregori IX dekretoi atë që New Catholic Encyclopedia e quan «ligjin e parë universal të një pape kundër metodave kontraceptive».
A DONI TË DINI?
▪ A ka diçka të pamoralshme në marrëdhëniet seksuale midis bashkëshortëve?—Proverbat 5:15, 18, 19.
▪ Çfarë duhet të mbajnë parasysh të krishterët nëse përdorin metoda kontraceptive?—Dalja 21:22, 23.
▪ Si duhet t’i shohin të tjerët çiftet e martuara që përdorin metoda kontraceptive?—Romakëve 14:4, 10-13.
[Diçitura në faqen 11]
Perëndia i tha çiftit të parë dhe familjes së Noesë: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën.» Por ky urdhër nuk iu përsërit të krishterëve.