Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A bën mirë optimizmi për shëndetin?

A bën mirë optimizmi për shëndetin?

A bën mirë optimizmi për shëndetin?

«Një zemër e gëzuar të bën mirë porsi ilaç»,—shkroi një mbret i mençur izraelit rreth 3.000 vjet më parë. (Proverbat 17:22) Sot mjekët po e pranojnë mençurinë e këtyre fjalëve të frymëzuara. Por shumë prej nesh mbase nuk kemi vetvetiu një ‘zemër të gëzuar’.

Pak nga ne arrijnë t’u shpëtojnë streseve të jetës së përditshme që mund të çojnë në mërzitje e pesimizëm. Sidoqoftë studimet e fundit tregojnë se pavarësisht nga vështirësitë, ia vlen ta ushqejmë optimizmin.

Optimizmi përshkruhet si «një pikëpamje ose qëndrim plot shpresë; një prirje për të shpresuar se përfundimi do të jetë i mirë». Si ndihet një optimist kur nuk ia del për diçka? Ai nuk e sheh këtë dështim si diçka të pandreqshme. Kjo nuk do të thotë se i mbyll sytë përballë realitetit. Përkundrazi, e pranon situatën dhe e shqyrton mirë. Pastaj, në varësi të rrethanave, vepron për ta ndryshuar ose për ta përmirësuar gjendjen.

Nga ana tjetër, një njeri pesimist shpesh fajëson veten kur ka telashe. Ai mendon se këto janë të pandreqshme ngaqë është njeri i trashë, i paaftë ose i shëmtuar. Si pasojë, s’bën asnjë përçapje.

A ndikon optimizmi te shëndeti dhe te mirëqenia jonë? Po. Gjatë një studimi 30-vjeçar që bëri klinika «Mejo», në Roçester të Minesotës, SHBA, shkencëtarët panë se nga më shumë se 800 pacientët që vëzhguan, optimistët kishin shëndet më të mirë dhe jetonin goxha më gjatë se të tjerët. Gjithashtu studiuesit vërejtën se optimistët i përballonin më mirë streset dhe rrezikonin më pak të binin në depresion.

Megjithatë, nuk është aspak e lehtë të jesh optimist në një botë ku me sa duket hallet po shtohen. E s’është për t’u habitur që shumë njerëz e kanë të vështirë të mendojnë me optimizëm. Ç’mund të bëhet për këtë? Në kutinë shoqëruese do të gjesh disa sugjerime që mund të të ndihmojnë.

Ndonëse optimizmi nuk kuron çdo gjë, mund të ndihmojë për një shëndet më të mirë dhe jetë më të lumtur. Bibla thotë: «Gjithë ditt’ e të-helmuarit janë të-këqia; po kush ka zëmërë të-gëzuarë ka gjithnjë gosti.»—Proverbat 15:15, Kristoforidhi.

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Disa sugjerime për të qenë më optimistë *

▪ Kur mendon se nuk do të kënaqesh me diçka ose nuk do t’ia dalësh mbanë në ndonjë punë, hiqe nga mendja këtë mendim. Përqendrohu te gjërat e mira.

▪ Përpiqu ta shijosh punën tënde. Pavarësisht nga puna që bën, ndalu tek ato aspekte që të sjellin kënaqësi.

▪ Zgjidh shokë që e shohin jetën me optimizëm.

▪ Vepro në ato rrethana që varen nga ty; përpiqu t’i pranosh rrethanat që nuk i ke në dorë.

▪ Çdo ditë shkruaj tri gjëra të bukura që të kanë ndodhur gjatë asaj dite.

[Shënimi]

^ par. 10 Lista e mësipërme bazohet pjesërisht në një botim të përgatitur nga klinika «Mejo».