Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e ka fajin Perëndia?

A e ka fajin Perëndia?

A e ka fajin Perëndia?

«PERËNDIA është dashuri»,—thotë Bibla. (1 Gjonit 4:8) Veç kësaj, ai është i drejtë dhe i mëshirshëm. «Ai është Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi.»​—Ligji i përtërirë 32:4.

Meqë është Krijuesi, Perëndia Jehova ka aftësi të parashikojë çdo gjë që mund të sjellë dëme dhe ka fuqi për ta parandaluar. Duke pasur parasysh këtë dhe cilësitë që ka Perëndia sipas Biblës, shumë njerëz me të drejtë pyesin: «Pse i lejon Perëndia katastrofat natyrore?» * Miliona veta që e kanë bërë sinqerisht këtë pyetje, kanë mësuar se vetë Perëndia ka dhënë një përgjigje shumë të arsyeshme në Fjalën e tij të shkruar. (2 Timoteut 3:16) Ju lutemi të shqyrtoni sa vijon.

Hodhën poshtë dashurinë e Perëndisë

Bibla na tregon se Perëndia u dha prindërve tanë të parë gjithçka që u nevojitej për të pasur një jetë të lumtur e të sigurt. Për më tepër, ndërkohë që ata dhe pasardhësit e tyre do t’i bindeshin urdhrit të Perëndisë që ‘të ishin të frytshëm, të shumoheshin e të mbushnin tokën’, familja njerëzore, e cila do të rritej gjithnjë e më shumë, mund të mbështetej në kujdesin e vazhdueshëm të Perëndisë.​—Zanafilla 1:28.

Por mjerisht, Adami dhe Eva i kthyen shpinën me dashje Krijuesit të tyre dhe me vullnet të plotë nuk iu bindën, por zgjodhën të ishin të pavarur prej tij. (Zanafilla 1:28; 3:1-6) Shumica dërrmuese e pasardhësve të tyre kanë ecur në gjurmët e tyre. (Zanafilla 6:5, 6, 11, 12) Me pak fjalë, njerëzit në tërësi kanë zgjedhur të jenë zot të vetes, të familjes, të tokës, pa pasur drejtimin e Perëndisë. Meqë është Perëndi i dashur, që respekton parimin e vullnetit të lirë, Jehovai nuk i detyron me zor njerëzit t’i nënshtrohen sovranitetit të tij, ndonëse udha e tyre mund t’u sjellë dëme. *

Megjithatë, Jehovai nuk e braktisi familjen njerëzore. Edhe sot e kësaj dite «ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». (Mateu 5:45) Gjithashtu, Perëndia u dha njerëzve aftësinë për të mësuar për tokën dhe ciklet e saj e, deri diku, kjo njohuri u ka bërë të mundur të parashikojnë dukuritë ekstreme të motit dhe rreziqe të tjera të mundshme, siç mund të jenë shpërthimet vullkanike.

Veç kësaj, njerëzit kanë zbuluar se cilat pjesë të tokës preken më shumë nga tërmetet ose kushtet ekstreme të motit. Në disa vende kjo njohuri ka ndihmuar të shpëtohen jetë njerëzish nëpërmjet informimit dhe përmirësimit të metodave të ndërtimit dhe sistemeve të paralajmërimit. Gjithsesi, numri i katastrofave natyrore që njoftohen çdo vit, është rritur vazhdimisht. Arsyet për këtë janë të shumta dhe komplekse.

Jetojnë në zona të rrezikuara

Pasojat e një katastrofe nuk varen gjithnjë nga fuqia e forcave natyrore. Shpesh ato varen më tepër nga popullimi i madh i zonave të prekura. Sipas një raporti të botuar nga Banka Botërore, në më shumë se 160 vende, mbi një e katërta e popullsisë jeton në zona ku rreziku i vdekjes nga katastrofat natyrore është i madh. «Kur popullsia në zonat e rrezikuara sa vjen e shtohet, ajo që fare mirë mund të ishte thjesht një dukuri natyrore, kthehet në një katastrofë»,—thotë Klaus Jakobi, shkencëtar pranë Universitetit të Kolumbias në Shtetet e Bashkuara.

Faktorë të tjerë që e rëndojnë gjendjen janë urbanizimi i shpejtë dhe i paplanifikuar, shpyllëzimi dhe mbulimi i sipërfaqeve të tëra me beton, ku normalisht dheu do t’i thithte ujërat e reshjeve. Sidomos dy faktorët e fundit mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu shkatërrimtare dhe përmbytje të mëdha.

Edhe njerëzit vetë mund ta kthejnë një tërmet në një katastrofë të rëndë, sepse ajo që shkakton më shumë vdekje dhe dëmtime nuk është tronditja nga vala e energjisë që çlirohet, por ndërtesat që shemben. Për arsye të vlefshme sizmologët kanë nxjerrë shprehjen: «Tërmetet nuk vrasin njerëz. Ndërtesat vrasin njerëz.»

Paaftësia qeverisëse mund ta shtojë numrin e të vdekurve. Në një vend të Amerikës Jugore, tërmetet e kanë rrënuar tri herë kryeqytetin në 400 vitet e kaluara. E që nga tërmeti i fundit, që ndodhi më 1967, popullsia është dyfishuar dhe ka arritur në pesë milionë. «Por ligjet e ndërtimit që mund të mbrojnë popullsinë, ose mungojnë, ose njerëzit nuk detyrohen t’i zbatojnë»,—thotë revista New Scientist.

Ky pohim i fundit i përshtatet më së miri qytetit të Nju-Orleansit, Luizianë, SHBA, i cili u ndërtua në një zonë të ulët e të rrezikuar nga përmbytjet. Pavarësisht nga ledhet dhe pompat, gjëma së cilës i trembeshin shumë veta ndodhi në vitin 2005, kur goditi uragani Katrina. Në një artikull të gazetës USA Today thuhet se «paralajmërimet që bëheshin prej kohësh» ranë në vesh të shurdhër ose «morën një përgjigje sa për të thënë».

Një indiferentizëm i ngjashëm është treguar edhe ndaj ngrohjes globale, për të cilën shumë shkencëtarë mendojnë se mund t’i shtojë katastrofat që lidhen me motin dhe të rritë nivelin e deteve. Pra është e qartë se duhen marrë parasysh faktorët politikë, socialë dhe ekonomikë, të cilët nuk vijnë nga Perëndia. Këta faktorë njerëzorë të sjellin ndër mend të vërtetën biblike që njeriu nuk është në gjendje «as të drejtojë hapat e vet». (Jeremia 10:23) Një faktor tjetër është qëndrimi i njerëzve ndaj paralajmërimeve që u jepen, qofshin këto natyrore, qofshin zyrtare.

Mos i mbyllni sytë para shenjave paralajmëruese

Së pari, duhet pranuar se katastrofat natyrore mund të godasin pa paralajmërim. Tek Eklisiastiu 9:11 thuhet: ‘Të gjithëve na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara.’ Megjithatë, shpesh, ka disa tregues, të cilët mund të jenë natyrorë ose zyrtarë, që paralajmërojnë se po kanoset rreziku. Prandaj, kur njerëzit i njohin shenjat, mund t’i shtojnë gjasat për të mbijetuar.

Kur tsunami goditi ishullin indonezian të Simalurit në vitin 2004, nga një popullsi me mijëra e mijëra veta vdiqën vetëm shtatë. Duke ditur se zbaticat e mëdha jonormale mund t’i paraprijnë tsunamit, shumë njerëz ikën kur deti u tërhoq. Po kështu, ka pasur njerëz që u kanë shpëtuar stuhive të fuqishme dhe shpërthimeve vullkanike ngaqë ia kanë vënë veshin paralajmërimit. Meqë paralajmërimi natyror ndonjëherë vjen përpara atij zyrtar, është e mençur të jeni në dijeni të të dyve, sidomos, nëse jetoni në një zonë të rrezikuar nga katastrofat.

Megjithatë, siç tha një vullkanolog, mjerisht ekziston një «prirje që njerëzit ta shpërfillin rrezikun edhe kur ky shihet qartë». Kjo sidomos është e vërtetë kur alarmet e rreme janë të zakonshme ose kur ka kaluar shumë kohë që nga katastrofa e fundit. Veç kësaj, nganjëherë njerëzit nuk duan t’i braktisin zotërimet e tyre, edhe atëherë kur katastrofën e kanë para syve.

Në shumë rajone, njerëzit janë tepër të varfër për t’u shpërngulur në një zonë më të sigurt. Por, ky realitet i hidhur i varfërisë, në vend që të provojë se Krijuesi ka dështuar, tregon se njerëzit kanë dështuar. Për shembull, qeveritë shpesh i derdhin paratë lumë për armatime, por bëjnë pak për të ndihmuar nevojtarët.

Megjithatë, shumica e njerëzve mund të marrin ndihmë, pavarësisht nga rrethanat ku ndodhen. Si bëhet kjo? Falë ndihmës që jep Perëndia me anë të Fjalës së tij të shkruar, Biblës së Shenjtë. Në të ka shumë parime të shkëlqyera që, kur zbatohen, mund të shpëtojnë jetë.

Parime që shpëtojnë jetë

Mos e vini Perëndinë në provë. «Mos e vini në provë Jehovain, Perëndinë tuaj»,—thuhet te Ligji i përtërirë 6:16. Të krishterët e vërtetë nuk kanë një pikëpamje supersticioze për jetën, duke menduar se Perëndia do t’i mbrojë gjithnjë nga dëmtimet fizike. Prandaj, kur kërcënon rreziku, ata ia vënë veshin këshillës së frymëzuar: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»​—Proverbat 22:3.

Çmojeni jetën më shumë se pasurinë. «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Po, gjërat materiale kanë vlerën e tyre, por të vdekurve nuk u hyjnë në punë. Prandaj, ata që e duan jetën dhe e çmojnë privilegjin që t’i shërbejnë Perëndisë, nuk e rrezikojnë veten më kot për të mbrojtur pronën e tyre.​—Psalmi 115:17.

Tadashi që jeton në Japoni, iku menjëherë nga shtëpia kur ra një tërmet në vitin 2004, madje kur ende nuk ishte dhënë zyrtarisht ndonjë drejtim. Për të, jeta kishte më shumë rëndësi se shtëpia dhe zotërimet. Akira që jeton në të njëjtën zonë, shkroi se «shkalla e vërtetë e dëmit nuk varet nga humbja materiale, por nga pikëpamja që ke. Këtë katastrofë e pashë si një rast të mirë për të thjeshtuar jetën».

Dëgjoni paralajmërimet qeveritare. ‘Jini të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.’ (Romakëve 13:1) Kur jepet një urdhër zyrtar për të boshatisur zonën ose për të ndjekur procedura të tjera sigurie, është e mençur t’ia vini veshin. Tadashi u largua nga zona e rrezikut, duke iu bindur urdhrit për boshatisjen e vendit, e kështu i shpëtoi plagosjes ose vdekjes nga lëkundjet pas goditjes kryesore të tërmetit.

Kur nuk ka paralajmërime zyrtare për afrimin e ndonjë katastrofe, njerëzit duhet të vendosin vetë kur dhe si të veprojnë, duke marrë parasysh të gjitha të dhënat. Në disa zona, autoritetet vendore mund të japin udhëzime të dobishme si të shpëtoni nga katastrofa. Nëse në vendin tuaj keni një informacion të tillë, a jeni njohur me të? Dhe, a e keni diskutuar atë me familjen? (Shih kutinë shoqëruese.) Në shumë pjesë të botës, nën drejtimin e zyrave të degëve të Dëshmitarëve të Jehovait, kongregacionet e Dëshmitarëve kanë përcaktuar procedura për raste urgjente, të cilat duhen ndjekur kur kërcënon ose ndodh ndonjë katastrofë. Këto procedura kanë qenë jashtëzakonisht të dobishme.

Tregoni dashuri të krishterë. Jezui tha: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë.» (Gjoni 13:34) Njerëzit që tregojnë dashuri vetësakrifikuese si Krishti, bëjnë gjithçka që munden për të ndihmuar njëri-tjetrin që të përgatiten ose të mbijetojnë në raste katastrofash. Midis Dëshmitarëve të Jehovait, mbikëqyrësit e kongregacioneve bëjnë çmos të lidhen me të gjithë pjesëtarët e kongregacionit për t’u siguruar se janë jashtë rrezikut ose që mund të shpërngulen në një vend të sigurt. Gjithashtu mbikëqyrësit kujdesen që gjithkush të ketë gjërat jetike, si ujë të pijshëm, ushqime, veshje dhe ilaçet e domosdoshme. Ndërkohë, familjet e Dëshmitarëve në zonat jashtë rrezikut, i hapin shtëpitë e tyre për bashkëbesimtarët Dëshmitarë që kanë ikur nga shtëpitë e veta. Një dashuri e tillë është vërtet «një lidhje e përsosur bashkimi».​—Kolosianëve 3:14.

A do të bëhen më të rënda katastrofat natyrore siç parashikojnë disa? Ndoshta, por jo edhe për shumë kohë. Pse? Sepse epokës tragjike të pavarësisë së njeriut nga Perëndia po i afrohet fundi. Më pas mbarë toka dhe banorët e saj do të jenë plotësisht nën sundimin e dashur të Jehovait. Kjo do të sjellë rezultate të mrekullueshme, siç do ta shohim në vijim.

[Shënimet]

^ par. 3 Tërmetet, dukuritë ekstreme të motit, shpërthimet vullkanike etj, në vetvete nuk janë katastrofa. Ato bëhen të tilla kur marrin jetë njerëzish dhe shkaktojnë dëme.

^ par. 6 Për një shqyrtim më të hollësishëm përse Perëndia i ka lejuar përkohësisht vuajtjet dhe ligësinë, ju lutemi të lexoni serinë e artikujve të titulluar «Pse—T’i përgjigjemi pyetjes më të vështirë» në revistën Zgjohuni! të nëntorit 2006 dhe kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

A JENI TË PËRGATITUR PËR TË IKUR?

Zyra e Nju-Jorkut për Trajtimin e Situatave Urgjente këshillon që familjet të organizohen për të ikur nga zona e rrezikut duke bërë një çantë gati—një çantë të fortë, që mund të transportohet lehtë dhe që ta mbajnë në një vend ku ta marrin kollaj. Në çantë mund të futin: *

▪ Kopje të dokumenteve të rëndësishme të futura në mbajtëse rezistente ndaj ujit

▪ Kopje rezervë të çelësave të makinës dhe të shtëpisë

▪ Karta krediti ose debiti dhe para

▪ Shishe me ujë dhe ushqime që nuk prishen

▪ Elektrik(ë), radio AM/FM, celular (nëse keni), bateri rezervë

▪ Ilaçe për të paktën një javë, një listë të dozës së ilaçeve, recetat, emrat e mjekëve dhe numrat e telefonit. (Sigurohuni që ilaçet t’i zëvendësoni para datës së skadimit.)

▪ Kuti të ndihmës së shpejtë

▪ Këpucë të forta e të rehatshme dhe rroba që të mbrojnë nga shiu

▪ Të dhëna që familjarët të dinë si të lidhen, ku të takohen dhe një hartë të zonës

▪ Gjëra që nevojiten për fëmijët

[Shënimi]

^ par. 35 Ndonëse informacioni i mësipërm bazohet në listën zyrtare, ka disa ndryshime të vogla. Jo çdo gjë që përmendet më sipër mund të jetë e përshtatshme në rastin tuaj a vendin ku jetoni ose ndoshta ju duhet të shtoni artikuj të tjerë. Për shembull, të moshuarit dhe invalidët mund të kenë nevoja të veçanta.

[Burimi i figurës në faqen 4]

USGS, David A. Johnston, Cascades Volcano Observatory