Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhembja e dhëmbit: Histori vuajtjesh

Dhembja e dhëmbit: Histori vuajtjesh

Dhembja e dhëmbit: Histori vuajtjesh

Në sheshin e një qyteti mesjetar, aty ku bëhet pazari, një sharlatan i veshur tërë salltanet mburret se t’i shkul dhëmbët pa pikë dhembjeje. Ndihmësi i tij, që gjoja ka frikë, i afrohet dhe shkulësi i dhëmbëve bën sikur i heq dhëmballën. Pastaj e tregon dhëmballën e gjakosur që ta shohin gjithë sa janë rreth e rrotull. Sakaq, kujtdo që vuan nga dhëmbët i bëhet ftesa të japë paratë dhe të lërë dhëmbët. Daullet dhe boritë mbysin ulërimat e tyre që të mos u ndërrohet mendja të tjerëve. Ndonjëherë, brenda pak ditësh dëgjohet për raste infeksionesh të rrezikshme, por sharlatani ia ka mbathur qëkuri.

SOT janë të paktë ata që dhembja e dhëmbëve i detyron të bien në duart e mashtruesve të tillë. Dentistët e sotëm mund ta kurojnë dhembjen e dhëmbëve dhe shpesh arrijnë ta parandalojnë heqjen e tyre. Prapëseprapë, shumë veta kanë frikë të shkojnë te dentisti. Po të hedhim një vështrim në të kaluarën dhe të shohim si mësuan dentistët t’i shpëtonin pacientët nga dhembjet, kjo mund të na ndihmojë ta vlerësojmë stomatologjinë e ditëve tona.

Thuhet se pas gripit, prishja e dhëmbëve është sëmundja e dytë më e përhapur. Por ajo nuk u shfaq sot. Vargjet e mbretit Solomon zbulojnë se në Izraelin e lashtë, dihej se të moshuarit i priste sikleti që ndien kur të mbeten pak dhëmbë.—Eklisiastiu 12:3.

Edhe madhëria vuante

Ndonëse ishte mbretëreshë e Anglisë, edhe Elizabeta I nuk i shpëtoi dot dhembjes së dhëmbëve. Një vizitor gjerman që e pa me kujdes dhëmbin e saj të nxirë, tha se «ky problem haset shpesh tek anglezët, ngaqë e përdorin shumë sheqerin». Në dhjetor të vitit 1578, dhembja e dhëmbit e torturonte mbretëreshën natë e ditë. Mjekët e saj e këshilluan ta hiqte dhëmbin e sëmurë, por ajo nuk pranonte, ndoshta nga frika e dhembjes. Për t’i mbushur mendjen, Xhon Elmeri, peshkop i Londrës, hoqi në prezencë të saj një dhëmb, mbase një të prishur. Ky ishte një gjest fisnik, pasi këtij burri të moshuar i kishin mbetur pak dhëmbë.

Asokohe kush kishte nevojë të hiqte ndonjë dhëmb nga populli i thjeshtë, shkonte te berberi ose edhe te kovaçi. Por, kur u shtuan njerëzit që kishin mundësi ekonomike të blinin sheqer, u shtuan edhe problemet me dhëmbët e po kështu edhe nevoja për njerëz që dinin t’i shkulnin. Për rrjedhojë, disa mjekë dhe kirurgë filluan të interesoheshin për trajtimin e dhëmbëve të sëmurë. Por u duhej të mësonin vetë, sepse ekspertët, i ruanin me xhelozi sekretet e zanatit. Veç kësaj, ishin të paktë librat për këtë temë.

Një shekull pas Elizabetës I, Luigji XIV u bë mbret i Francës. Pjesën më të madhe të jetës vuajti nga dhëmbët dhe më 1685, tashmë i kishte hequr të gjithë dhëmbët e sipërm në të majtë. Disa thonë se infeksionet e dhëmbëve që pati mbreti shpjegojnë arsyen e vendimit shkatërrimtar që mori atë vit për heqjen e lirisë së fesë në Francë, akt që ngriti një dallgë përndjekjesh mizore kundër pakicave fetare.

Lindja e stomatologjisë moderne

Ndikimi që pati stili luksoz i jetës së Luigjit XIV në shoqërinë pariziane, çoi në lindjen e stomatologjisë. Suksesi në oborrin mbretëror e shoqëri varej nga paraqitja elegante. Kërkesat për dhëmbë fallso, që më shumë i vinin për bukuri sesa për të ngrënë, çuan në krijimin e një grupi të ri kirurgësh: dentistëve që kishin klientelë elitën e shoqërisë. Dentisti më i famshëm në Paris ishte Pier Fosheri, i cili e mësoi kirurgjinë në flotën ushtarake franceze. Ai i kritikoi kirurgët që e linin heqjen e dhëmbëve në dorë të berberëve e sharlatanëve, dhe ishte i pari që e quajti veten kirurg dentar.

Duke thyer zakonin e ruajtjes së sekreteve të zanatit, më 1728, Fosheri shkroi një libër ku zbuloi të gjitha teknikat që dinte. Falë kësaj, atë e quajtën «babai i stomatologjisë». Ishte i pari që i uli pacientët në poltronën e dentistit dhe jo në dysheme. Gjithashtu, Fosheri shpiku pesë mjete për shkuljen e dhëmbëve, por gjithsesi ai nuk ishte thjesht një shkulës dhëmbësh. Ai krijoi frezën e dentistit dhe metoda për mbushjen e zgavrave. Mësoi të mbushte kanalin e rrënjës dhe të ngjiste te rrënja e dhëmbit një dhëmb artificial. Protezat e tij, që i gdhendte nga fildishi, kishin një sustë që mbante të fiksuar pjesën e sipërme. Falë Fosherit, stomatologjia u bë profesion më vete. Madje ndikimi i tij u ndie edhe përtej Atlantikut.

Tortura e presidentit të parë amerikan

Një shekull pas Luigjit XIV, në Amerikë, Xhorxh Uashingtoni vuante nga dhëmbët. Që kur kishte mbushur 22 vjeç, ai kishte shkulur një dhëmb gati çdo vit. Imagjinoni dhembjet që duhet të ketë duruar ndërkohë që udhëhiqte Ushtrinë e tij Kontinentale! Në vitin 1789, kur u bë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, kishte mbetur thuajse pa dhëmbë.

Uashingtoni vuante emocionalisht edhe nga shfytyrimi që kishte pësuar ngaqë kishte mbetur pa dhëmbë dhe nga protezat që nuk i rrinin mirë. Ai ishte sqimatar për paraqitjen teksa bënte çmos të krijonte një imazh publik si presidenti i një shteti të ri. Në atë kohë, protezat nuk bëheshin me derdhje në bazë të kallëpit, por gdhendeshin nga fildishi, dhe ishte e vështirë të mbaheshin të fiksuara. Edhe aristokratët anglezë i provuan vuajtjet e Uashingtonit. Thuhet se humori i tyre i hollë lindi ngaqë mundoheshin të mos qeshnin me zë të lartë, e kështu nuk u zbuloheshin dhëmbët fallso.

Me sa duket, legjenda sipas së cilës Uashingtoni mbante proteza druri nuk është e vërtetë. Protezat e tij ishin bërë me dhëmbë njeriu, me fildish dhe plumb, por jo me dru. Ka mjaft gjasa që dentistët e tij t’i merrnin dhëmbët nga grabitësit e varreve. Tregtarët e dhëmbëve u shkonin pas edhe ushtrive dhe u shkulnin dhëmbët të vdekurve ose atyre që vdisnin në ndonjë betejë. Pra protezat ishin luks i të pasurve. Protezat u bënë të mundura për vegjëlinë vetëm në vitet 1850 kur u zbulua kauçuku i vullkanizuar që u përdor për të krijuar bazën e tyre. Ndonëse dentistët e Uashingtonit ishin pararojë në profesionin e tyre, ende nuk e kuptonin plotësisht nga shkaktohej dhembja e dhëmbit.

E vërteta e dhembjes së dhëmbit

Që në kohët e lashta, njerëzit mendonin se dhembjen e dhëmbit e shkaktonin krimbat, një teori që vazhdoi deri në vitet 1700. Më 1890, Uillëbi Mileri, dentist amerikan që punonte në Gjermani pranë Universitetit të Berlinit, zbuloi shkakun e prishjes së dhëmbëve, një ndër shkaqet kryesore të dhembjes së dhëmbëve. Një bakter që shumohet sidomos në prani të sheqerit prodhon një acid që gërryen dhëmbët. Por si mund të parandalohet prishja e dhëmbëve? Përgjigja doli në dritë fare rastësisht.

Për dekada të tëra dentistët në Kolorado, SHBA, vritnin mendjen përse në atë vend kishte kaq shumë njerëz me dhëmbë me njolla. Si përfundim, u pa se shkaku ishte fluoruri i tepërt në ujë. Por ndërkohë që studionin këtë problem lokal, studiuesit zbuluan rastësisht një fakt me rëndësi mbarëbotërore për parandalimin e dhembjes së dhëmbit: njerëzit që rriten në vende ku uji i pijshëm përmban sasi të pamjaftueshme fluoruri, vuajnë më shumë nga prishja e dhëmbëve. Fluoruri, që shumë burime uji e përmbajnë vetvetiu, është përbërës i smaltit të dhëmbit. Kur njerëzit që kanë mungesa fluoruri tek uji, marrin sasinë e duhur, mundësia për prishjen e dhëmbëve zvogëlohet 65 për qind.

Kështu misteri u zgjidh. Në shumë raste dhembja vjen nga prishja e dhëmbit. Sheqeri e ndihmon prishjen e dhëmbit. Fluoruri ndihmon në parandalimin e saj. Sigurisht tashmë s’ka pikë dyshimi se fluoruri nuk e zëvendëson larjen dhe pastrimin e duhur të dhëmbëve me fill dentar.

Në kërkim të stomatologjisë pa dhembje

Para se të zbuloheshin anestetikët, procedurat dentare u shkaktonin dhembje të tmerrshme pacientëve. Dentistët e gërryenin dhëmbin e prishur që ende e kishte nervin brenda, me mjete të mprehta dhe pastaj derdhnin metal të nxehtë në zgavrën e formuar për mbushje. Meqë nuk kishin mënyra të tjera trajtimi, dhëmbin me pulpë të infektuar ata e digjnin duke futur një shufër hekuri të nxehtë në kanalin e rrënjës. Para se të dilnin veglat e posaçme dhe anestetikët, edhe heqja e dhëmbit ishte një përvojë e zymtë. Njerëzit i nënshtroheshin kësaj torture vetëm ngaqë ishte edhe më keq të jetoje me dhembjen e dhëmbit. Ndonëse preparatet bimore si opiumi, marihuana dhe madërgona mjekësore përdoreshin prej shekujsh, këto vetëm sa e pakësonin dhembjen. A do të arrinin dentistët të bënin operacione pa dhembje?

Vetitë anestetike të protoksidit të azotit ose ndryshe gazit gaztor, u vunë re menjëherë pasi kimisti anglez Xhozef Pristli e përgatiti për herë të parë në vitin 1772. Por askush nuk e përdori atë për anestezi deri në vitin 1844. Më 10 dhjetor të po atij viti, Horës Uellsi, dentist në Hartford, Kënektikat, SHBA, ndoqi një leksion ku të pranishmit mrekulloheshin me efektin e gazit gaztor. Uellsi vuri re se një njeri që ishte nën ndikimin e tij, i gërrici kërcinjtë në stolat e rëndë, e megjithatë nuk shfaqi asnjë shenjë dhembjeje. Uellsi ishte i dhembshur dhe shqetësohej shumë për dhembjen që u shkaktonte pacientëve gjatë mjekimit. Menjëherë i shkoi mendja ta përdorte gazin për anestezi. Por para se ta përdorte te të tjerët, vendosi ta provonte një herë vetë. Që të nesërmen u ul në poltronën e operimit dhe e thithi gazin deri sa humbi ndjenjat. Pastaj një koleg i hoqi dhëmballën e pjekurisë që i dhimbte. Kjo ishte një ngjarje historike. Më në fund kish ardhur dita e stomatologjisë pa dhembje! *

Qysh atëherë në stomatologji ka pasur shumë përmirësime teknologjike. Prandaj, do të shihni se një vizitë te dentisti sot është një përvojë shumë më e këndshme.

[Shënimi]

^ par. 22 Sot më shpesh përdoret anestezia lokale sesa gazi gaztor

[Figura në faqen 28]

Protezë fildishi e Xhorxh Uashingtonit, presidentit të parë amerikan

[Burimi]

Me mirësjelljen e Muzeut Kombëtar të Stomatologjisë, Baltimorë, Merilend

[Figura në faqen 29]

Pikturë për operacionin e parë të dhëmbëve, duke përdorur si anestetik protoksidin e azotit, 1844

[Burimi]

Me mirësjelljen e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë

[Burimi i figurës në faqen 27]

Me mirësjelljen e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë