I ndarë mes dy kulturash: Ç’të bëj?
Të rinjtë pyesin . . .
I ndarë mes dy kulturash: Ç’të bëj?
«Si familje jemi italianë dhe të mitë janë mësuar ta shprehin lirshëm dashurinë dhe përzemërsinë. Tani jetojmë në Angli. Njerëzit këtu duken shumë të përmbajtur dhe të edukuar. Më duket vetja i huaj në të dyja kulturat—ca si tepër italian për të qenë anglez dhe tepër anglez për të qenë italian.»—Xhozueja, Angli.
«Në shkollë mësuesi më thoshte ta shihja në sy kur fliste. Por kur fliste babi dhe e shihja në sy, më thoshte se isha i paedukatë. Më dukej vetja i ndarë mes dy kulturash.»—Patriku, imigrant algjerian në Francë.
A është imigrant babai ose nëna jote?
□ Po □ Jo
A ndryshon gjuha ose kultura që të rrethon në shkollë nga ajo që ke në shtëpi?
□ Po □ Jo
MILIONA veta emigrojnë çdo vit dhe shumë prej tyre hasin vështirësi të mëdha. Papritur gjenden mes njerëzve që ndryshojnë nga gjuha, kultura dhe veshja. Si rrjedhojë, imigrantët shpesh bëhen shënjestër e talljeve. Këtë e provoi edhe një vajzë me emrin Nura. Ajo emigroi me familjen nga Jordania në Amerikën e Veriut. «Ne visheshim ndryshe, dhe njerëzit na qeshnin,—thotë ajo.—E sigurisht që nuk e kuptonim humorin amerikan.»
Nadia, një vajzë e re, u përball me një vështirësi tjetër. Ajo tregon: «Kam lindur në Gjermani. Meqë prindërit janë italianë, kur flitja gjermanisht, kisha një theks tipik dhe në shkollë më quanin ‘torollakja e huaj’. Por, kur shkoj në Itali, e flas italishten me theks gjerman. Më duket vetja pa identitet. Kudo që shkoj, jam e huaj.»
Çfarë vështirësish të tjera hasin fëmijët e prindërve imigrantë? Si t’ia dalin mbanë dhe të përfitojnë nga situata e tyre?
Hendeqe kulturore dhe pengesa gjuhësore
Edhe në shtëpi, fëmijët me prindër imigrantë mund të ndiejnë se krijohet një hendek kulturor. Si? Shpesh fëmijët përshtaten më shpejt se prindërit me kulturën e re. Për shembull, Ana ishte tetë vjeçe kur emigroi me familjen në Angli. «Unë dhe vëllai u përshtatëm gati instinktivisht me Londrën,—thotë ajo,—kurse prindërit e kishin të vështirë. Ata kishin jetuar shumë kohë në ishullin e vogël portugez të Madeirës.» Voni, që ishte tre vjeçe kur prindërit shkuan nga Kamboxhia në Australi, thotë: «Prindërit nuk janë përshtatur tamam. Babi shpesh mërzitet dhe zemërohet ngaqë nuk e kuptoj qëndrimin e tij dhe mënyrën si arsyeton.»
Ky ndryshim kulturash mund të bëhet si një hendek që ndan fëmijët nga prindërit. Veç kësaj, ashtu si muri i një kështjelle ndërtohet përgjatë hendekut, edhe pengesa e gjuhës mund të ndajë më tej shumë familje. Themeli i këtij muri hidhet kur fëmijët e mësojnë më shpejt se prindërit gjuhën e re. Kurse vetë muri ngrihet kur fëmijët nisin të harrojnë gjuhën amtare, e kështu komunikimi i thellë sa vjen e vështirësohet.
Jani që tani është 14 vjeç, pa se midis tij dhe prindërve po ngrihej një mur i tillë kur familja e tij emigroi nga Ekuadori në Nju-Jork. Ai thotë: «Tani më shumë flas anglisht sesa spanjisht. Në shkollë mësuesit flasin anglisht, shokët flasin anglisht dhe kur jam me vëllanë flasim anglisht. E kam kokën plot me anglishten dhe nuk ka më vend për spanjishten.»
A ndihesh edhe ti si Jani? Nëse familja jote ka emigruar kur ti ishe akoma i vogël, mbase nuk të shkonte ndër mend se gjuha amtare do të të hynte në punë më vonë. E ndoshta ke lejuar që të të dalë nga kujtesa. Nura, që përmendëm më sipër, thotë: «Babi bënte çmos që në shtëpi të flitnim gjuhën e tij, por ne nuk donim të flitnim arabisht. Mësimi i arabishtes na dukej një barrë. Shokët tanë flitnin anglisht. Çdo gjë në televizor ishte anglisht. Ç’na duhej arabishtja?»
Megjithatë, kur rritesh ca, pak nga pak mund t’i kuptosh dobitë që ke nëse e flet mirë gjuhën amtare. Gjithsesi mund ta kesh të vështirë të kujtosh fjalë që përpara të vinin natyrshëm. «Dy gjuhët më bëhen lëmsh»,—thotë Majkëlli 13-vjeçar, prindërit e të cilit emigruan nga Kina në Angli. Ornela 15-vjeçare, që nga Kongoja (Kinshasë) shkoi në Londër, thotë: «Mundohem t’i them mamit diçka në gjuhën lingale, por s’arrij dot, ngaqë jam mësuar me anglishten.» Lisë, që ka lindur në Australi dhe prindërit i ka nga Kamboxhia, i vjen keq që nuk e flet rrjedhshëm gjuhën e prindërve. Ajo shpjegon: «Kur bisedoj me prindërit dhe dua t’u them tamam si ndihem për disa gjëra, shoh se nuk e flas aq mirë sa duhet gjuhën e tyre.»
Arsye për ta mbyllur hendekun
Nëse e ke harruar disi gjuhën amtare, mos u mërzit. Mund ta zotërosh prapë. Por së pari duhet të kuptosh qartë çfarë të mirash do të kesh nga kjo. Cilat janë disa prej tyre? «E mësova gjuhën e prindërve, sepse doja të ishim të lidhur emocionalisht e mbi të gjitha t’i shërbenim bashkë Perëndisë,—thotë Xhozueja, i përmendur më sipër.—Ngaqë e mësova gjuhën e tyre, arrij t’i kuptoj si ndihen. Gjithashtu kjo i ka ndihmuar ata të më kuptojnë mua.»
Shumë të rinj të krishterë po e mësojnë mirë gjuhën amtare sepse duan t’u tregojnë imigrantëve të tjerë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) «Është fantastike kur je në gjendje t’i shpjegosh Shkrimet në dy gjuhë,—thotë Salomau, që shkoi në Londër kur ishte pesë vjeç.—Gati e kisha harruar gjuhën time, por tani që jam në një kongregacion portugez, flas rrjedhshëm edhe anglishten, edhe portugalishten.» Olegu 15-vjeçar, që jeton në Francë, thotë: «Sa i gëzuar jam kur arrij të ndihmoj të tjerët! Mund t’ua shpjegoj Biblën njerëzve që flasin rusisht, frëngjisht ose moldavisht.» Nura kuptoi sa nevojë kishte t’u predikohej atyre që flitnin arabisht. Ajo thotë: «Tani po bëj kurs dhe po përpiqem të mësoj ato që kam harruar. Kam ndryshuar mendim. Tani dua të më korrigjojnë. Dua të mësoj.»
Ç’të bësh që ta flasësh prapë rrjedhshëm gjuhën e prindërve? Disa familje kanë parë se nëse këmbëngulin që në shtëpi të flasin vetëm gjuhën amtare, atëherë fëmijët i mësojnë mirë të dyja gjuhët. * Gjithashtu mund t’u thuash prindërve të të ndihmojnë të mësosh të shkruash në atë gjuhë. Stelisi, që u rrit në Gjermani, por që ka si gjuhë amtare greqishten, thotë: «Prindërit shqyrtonin me mua një varg biblik çdo ditë. E lexonin me zë dhe pastaj unë e shkruaja. Tani di të lexoj e të shkruaj edhe greqisht, edhe gjermanisht.»
Sigurisht nëse njeh mirë dy kultura dhe flet dy a më shumë gjuhë, ke vërtet avantazhe. Njohuria për dy kultura të bën më të aftë të kuptosh mendimet e njerëzve dhe t’u përgjigjesh pyetjeve që kanë për Perëndinë. Bibla thotë: «Njeriun e gëzon përgjigjja e gojës së tij, dhe një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!» (Proverbat 15:23) Priti, e lindur në Angli nga prindër indianë, shpjegon: «Ngaqë i kuptoj të dy kulturat, ndihem më e lirshme në shërbim. I kuptoj njerëzit që kanë të dyja këto mënyra jetese: çfarë besojnë dhe çfarë pikëpamjesh kanë.»
«Perëndia nuk është i anshëm»
Nëse ndihesh i ndarë mes dy kulturash, mos u mërzit. Edhe disa personazhe biblike janë gjendur në një situatë të ngjashme. Për shembull kur ishte djalosh, Jozefin e larguan nga vendi i tij, nga kultura hebraike dhe e kaloi jetën në Egjipt. Prapëseprapë, është e qartë se ai nuk e harroi kurrë gjuhën amtare. (Zanafilla 45:1-4) Për rrjedhojë, ishte në gjendje t’i vinte në ndihmë familjes.—Zanafilla 39:1; 45:5.
Timoteu që udhëtoi shpesh me apostullin Pavël e kishte babanë grek, kurse nënën judeje. (Veprat 16:1-3) Ai nuk lejoi që përzierja e kulturave nga vinte, të bëhej pengesë, përkundrazi, me siguri ishte në gjendje ta shfrytëzonte njohurinë rreth ndryshimeve kulturore për të ndihmuar të tjerët kur shërbeu si misionar.—Filipianëve 2:19-22.
A mund ta shohësh edhe ti situatën tënde si avantazh dhe jo si pengesë? Mos harro: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) Jehovai të do për atë që je si njeri, jo për shkak të vendit nga vjen. Ashtu si të rinjtë që përmendëm këtu, a mund ta përdorësh edhe ti njohurinë dhe përvojën tënde për të ndihmuar të tjerë që vijnë nga atdheu yt, që të mësojnë për Jehovain, Perëndinë e dashur dhe të paanshëm? Kjo mund të të bëjë vërtet të lumtur.—Veprat 20:35.
[Shënimi]
^ par. 21 Për disa sugjerime të tjera praktike shih artikullin «Të rritësh fëmijët në një vend të huaj: Vështirësitë dhe shpërblimet», botuar në revistën Kulla e Rojës të 15 tetorit 2002.
PËR TË MENDUAR
▪ Cilat hendeqe kulturore dhe pengesa gjuhësore po has?
▪ Si t’i kapërcesh disa nga këto vështirësi?
[Figura në faqen 20]
Lidhjet familjare forcohen kur e flet gjuhën e prindërve