Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Një kontribut i çmuar në mjekësi’

‘Një kontribut i çmuar në mjekësi’

‘Një kontribut i çmuar në mjekësi’

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

Dëshmitarët e Jehovait njihen në mbarë botën ngaqë zgjedhin trajtimin pa gjak kur kanë probleme shëndetësore. Disa njerëz e kritikojnë këtë qëndrim të bazuar në Bibël. Megjithatë, siç shkruante edhe Reforma, një gazetë me tirazh të madh e Meksikos, dr. Anhel Herrera, kryekirurg në Institutin Kombëtar të Onkologjisë, tha: «Dëshmitarët nuk janë injorantë dhe as fanatikë. . . . [Ata] kanë dhënë një kontribut të çmuar në mjekësi, duke i nxitur specialistët e kësaj fushe të mendojnë me kujdes për nevojën e parandalimit të humbjes së gjakut.»

Pesëmbëdhjetë vjet përpara, dr. Herrera organizoi një ekip anestezistësh dhe kirurgësh që të bënin operacione pa gjak. Dr. Isidro Martinesi, një anestezist i këtij ekipi, tha: «Po të ndiqet procedura e duhur për anestezinë, krijohet mundësia që të zbatohen të gjitha procedurat për parandalimin e hemorragjisë. Pra është vërtet e mundur t’i ndihmojmë Dëshmitarët e Jehovait, duke respektuar qëndrimin e tyre fetar.»

Në tetor të vitit 2006, Reforma thoshte se ka më shumë se 30 alternativa të tjera përveç transfuzionit të gjakut. Ndër to janë kauterizimi i enëve të gjakut, mbulimi i organeve me një garzë që lëshon lëndë të cilat pengojnë hemorragjinë dhe përdorimi i preparateve që rritin vëllimin e gjakut. *

Dr. Moises Kalderoni, kryekirurg i zemrës në Spitalin e Përgjithshëm «La Rasa» në Meksiko, operon vazhdimisht pa gjak. Ai tha për gazetën Reforma: «Transfuzioni nuk është një procedurë e padëmshme. Ekziston rreziku i transmetimit të viruseve, baktereve ose parazitëve. Gjithashtu, mund të ndodhin reaksione alergjike që dëmtojnë funksionimin e veshkave dhe të mushkërive.» Duke pasur parasysh këto rreziqe, dr. Kalderoni tha: «I operojmë të gjithë pacientët sikur të ishin Dëshmitarë të Jehovait. Përpiqemi që hemorragjia të jetë sa më e vogël, të riaftësojmë gjakun që del dhe të përdorim ilaçe që e ndihmojnë pacientin të ketë sa më pak hemorragji.»

Në artikull citohej shkrimi i Veprave 15:28, 29, një shkrim kyç ku Dëshmitarët e Jehovait bazojnë qëndrimin e tyre. Në këtë shkrim, apostujt dhanë këtë urdhërim: «Frymës së shenjtë dhe neve na u duk mirë të mos ju shtonim asnjë barrë tjetër, përveç këtyre gjërave të nevojshme: të vazhdoni të rrini larg nga gjërat e flijuara idhujve, nga gjaku, nga kafshët e mbytura dhe nga kurvëria.»

Shërbimi i Informacioneve Shëndetësore në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë raporton se në këtë vend janë 75 Komitete të Lidhjes me Spitalet dhe ka 950 vullnetarë që takohen rregullisht me mjekët për t’u dhënë informacione rreth alternativave pa gjak. Afro 2.000 mjekë në Meksikë janë të gatshëm t’i kurojnë Dëshmitarët e Jehovait pa përdorur gjak. Dëshmitarët e vlerësojnë shumë bashkëpunimin e këtyre mjekëve, të cilët në këtë mënyrë janë bërë edhe më të aftë për të ndihmuar pacientët që nuk janë Dëshmitarë.

[Shënimi]

^ par. 5 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë të veçantë të trajtimit pa gjak, duke pranuar se ky është një vendim personal.

[Figura në faqen 30]

Dr. Anhel Herrera

[Figura në faqen 30]

Dr. Isidro Martines

[Figura në faqen 30]

Dr. Moises Kalderon