Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Viti 2006 «ka shumë të ngjarë të renditet i gjashti ndër vitet më të ngrohta të regjistruara». Dhjetë vitet më të ngrohta kanë qenë të gjitha gjatë 12 viteve të kaluara.​—ORGANIZATA BOTËRORE METEOROLOGJIKE.

Agjencia e Sigurimit Publik të Pekinit ka nxjerrë një ligj që lejon «vetëm një qen» për shtëpi, në përpjekje për të frenuar përhapjen e tërbimit. Gjatë vitit 2004, në Kinë vdiqën afro 2.660 veta nga tërbimi.​—XINHUA ONLINE, KINË.

Ndër ata që shkojnë nëpër hotele «një në dy veta rrezikon të marrë virusin e ftohjes» nga prekja e dorezave të dyerve, abazhurëve, telefonave dhe telekomandave të televizorëve.—MACLEAN’S, KANADA.

Identifikojnë insektet e Amazonës

Entomologët, zoologë të specializuar për insektet, deri tani kanë identifikuar rreth 60.000 lloje insektesh në pyllin e shiut në Amazonë. Sipas Folha Online numri i llojeve që nuk janë identifikuar ende është afro 180.000. Sot në këtë zonë punojnë 20 entomologë. Statistikat e fundit zbulojnë se këta specialistë identifikojnë dhe përshkruajnë mesatarisht 2,7 lloje çdo vit. Me këtë ritëm do të duheshin rreth 90 breza entomologësh, ku secili të punonte 35 vjet, ose do të duheshin rreth 3.300 vjet gjithsej për të përfunduar procesin e identifikimit të llojeve.

Mungesa e energjisë

«Rreth 1,6 miliardë njerëz, pra afërsisht çereku i popullsisë së botës, nuk kanë energji elektrike dhe 2,4 miliardë përdorin qymyr druri, pleh kafshësh ose dru si burim kryesor energjie për gatim dhe ngrohje,—thotë Our Planet, revistë e botuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.—Tymi nga këto lëndë djegëse tradicionale vret çdo vit gati dy milionë e gjysmë gra dhe fëmijë.»

Vuajtje nga Interneti

Sitet e rretheve shoqërore u mundësojnë njerëzve të lidhen me shumë të panjohur nëpërmjet Internetit dhe, me sa thuhet, kjo i bën të ndihen më të kërkuar. Sipas Folha Online, këto site janë edhe «një terren i favorshëm për gënjeshtarët», për racistët, për ata që futin hundët në punët e të tjerëve dhe për ata që kanë paragjykime. Disa nga përdoruesit e këtyre siteve mashtrojnë kur japin të dhëna për veten. Të tjerë tallen me ata që janë mbipeshë, të shkurtër, që i kanë flokët me rrica etj., duke i vrarë shumë emocionalisht. Sipas psikologes braziliane Iveliza Fortim, kjo vjen sepse «për viktimat, çka ndodh në [sitet e Internetit] është më e rëndësishme se ajo që ndodh në jetën e përditshme».

Llogaritës i lashtë astronomik

Disa palombarë që u zhytën për të gjetur sfungjerë, nxorën në vitin 1901 një objekt të ndryshkur nga një anije e mbytur romake afër ishullit grek të Antikithirës. Është përcaktuar se objekti është një llogaritës astronomik jashtëzakonisht i sofistikuar i shekullit të dytë p.e.s. Shkencëtarët që kohët e fundit kanë studiuar «mekanizmin e Antikithirës» me ndihmën e tomografisë me rreze rëntgen që jep një pamje shumë të qartë, zbuluan se ai përbëhej nga të paktën 30 ingranazhe bronzi, që fillimisht gjendeshin në një kuti druri. Pajisja mund të përcaktonte me saktësi pozicionin e diellit dhe të hënës e mund të parashikonte eklipsin e hënës dhe të diellit. Sipas revistës Nature, mekanizmi është «teknikisht më i ndërlikuar se çdo pajisje e njohur që i përket periudhës që zgjat të paktën një mijë vjet pas tij».

[Burimi i figurës në faqen 21]

AP Photo/​Thanassis Stavrakis