Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pak prehje në Vanuatu

Pak prehje në Vanuatu

Pak prehje në Vanuatu

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KALEDONINË E RE

A ndiheni të stresuar? A keni nevojë për ca pushime? Atëherë përfytyroni sikur po çlodheni në një ishull tropikal plot diell. Përfytyroni sikur po notoni në ujërat gurkali a sikur endeni në pyjet e harlisura të shiut ose rrini mes fiseve vendëse ekzotike. A ekziston ende sot një parajsë e tillë? Po! Në ishujt e largët të Vanuatut.

VANUATU ndodhet pak a shumë mes Australisë dhe Fixhit. Ai është një varg në formë Y-je me afro 80 ishuj të vegjël në jugperëndim të Paqësorit. Sipas gjeologëve, pllakat e mëdha tektonike në koren e tokës u përplasën në këtë vend, e kështu formuan male të larta që gjenden kryesisht nën ujë. Majat më të larta të këtyre maleve u ngritën mbi oqean, duke krijuar ishujt e Vanuatut me terren të thyer. Sot, shtytja dhe ngjeshja e pllakave tektonike shkaktojnë shumë dridhje të tokës dhe nëntë vullkane aktive. Madje guximtarët mund të shohin nga afër edhe lavën e shkrirë.

Në këta ishuj ka plot pyje të dendur shiu. Këtu mbretëron fiku madhështor i Bengalit, gjethnaja e të cilit mbulon sipërfaqe të mëdha. Më shumë se 150 lloje orkidesh dhe 250 lloje fieresh zbukurojnë gëmushat e dendura. Plazhet magjepsëse dhe shkëmbinjtë thepa-thepa janë korniza e ujërave të kristalta plot korale dhe peshq shumëngjyrësh. Ekoturistët vijnë nga viset e largëta të botës për të notuar pranë dugongëve të butë dhe lojcakë të ishullit Epi. *

Kanibalët dhe kultet e pasurisë

Eksploruesit evropianë mbërritën për herë parë në Vanuatu në vitin 1606. * Ishujt populloheshin nga fise të egra dhe kanibalizmi ishte mjaft i përhapur. Asokohe, pyjet e santalit, një dru aromatik mjaft i vlerësuar në Azi, vishnin peizazhin. Ngaqë nuhatën se kishte leverdi, tregtarët evropianë prinin sistematikisht drurë santali. Pastaj filluan të merrnin në punë «mëllenjat».

Punësimi i «mëllenjave» nënkuptonte rekrutimin e banorëve të ishujve për të punuar në plantacionet e sheqerit e të pambukut në Samoa, Fixhi dhe në Australi. Teorikisht punëtorët regjistroheshin vullnetarisht për një periudhë trevjeçare. Por në realitet, shumë rrëmbeheshin. Në kulmin e tregtisë, në fund të viteve 1800, më shumë se gjysma e meshkujve të rritur të disa ishujve të Vanuatut punonin jashtë vendit. Shumica nuk u kthyen më kurrë. Rreth 10.000 veta prej punëtorëve nga ishujt e Paqësorit vdiqën vetëm në Australi, pjesa më e madhe nga sëmundjet.

Sëmundjet që erdhën nga Evropa bënë kërdinë edhe në ishujt e Vanuatut. Vendësit ishin pak rezistentë ose nuk kishin fare imunitet kundër fruthit, kolerës, lisë dhe sëmundjeve të tjera. «Gripi arriti të shfaroste popullsi të tëra»,—thuhet në një libër.

Misionarët e feve të krishtere mbërritën në Vanuatu më 1839 dhe sakaq i ftuan për darkë, me fjalë të tjera, nga sa thuhet, i hëngrën për darkë. Shumë nga pasuesit e tyre pësuan të njëjtin fund tragjik. Megjithatë me kalimin e kohës, kisha katolike dhe ajo protestante zunë rrënjë mirë anembanë ishujve. Sot më shumë se 80 për qind e banorëve të Vanuatut thonë se janë anëtarë të ndonjë kishe. Prapëseprapë, siç thotë shkrimtari Pol Rafaele, «shumë vendës ende adhurojnë magjistarët e fshatit, që përdorin gurë të pushtuar nga shpirtrat në ritet magjike. Me këto rite përpiqen të joshin një të dashur, të dhjamosin një derr ose të vrasin një armik».

Në Vanuatu gjendet edhe një prej kulteve më të qëndrueshme të pasurisë. Gjatë Luftës II Botërore, gjysmë milionë ushtarë amerikanë e përdorën Vanuatun si urë kalimi drejt vendluftimeve në Paqësor. Vendësit u mrekulluan me plaçkën e madhe ose «pasurinë» që sollën ushtarët. Kur mbaroi lufta, amerikanët thjesht mblodhën ç’kishin dhe ikën. Miliona dollarë pajisje dhe gjëra të mbetura u hodhën në det. Grupe fetare, të quajtura kultet e pasurisë, ndërtuan skela dhe pista aviacioni dhe bënin stërvitje me pajisje ushtarake të rreme për të sprapsur të huajt. Ende sot, qindra fshatarë të ishullit Tana i luten Xhon Frumit, «një Mesie fantazmë nga Amerika» që, sipas tyre, do të kthehet një ditë dhe do t’u sjellë pasuri të madhe.

Larmi kulturash

Gjuhët dhe traditat e këtij kombi ishullor janë jashtëzakonisht të larmishme. Një libër udhërrëfyes thotë: «Vanuatu deklaron se zë vendin e parë në botë për sa i përket numrit të gjuhëve për banorë.» Në mbarë arkipelagun fliten të paktën 105 gjuhë dhe shumë dialekte. Anglishtja, frëngjishtja dhe bislama që është gjuha e përbashkët kombëtare, janë gjuhë zyrtare.

Megjithatë, ngado që të shkosh në këta ishuj, diçka nuk ndryshon: ritet drejtojnë çdo aspekt të jetës. Madje një rit i lashtë kushtuar pjellorisë në Ishullin e Pentekostës, ishte shkëndija për hedhjen bungee jumping, që është kthyer në një mani botërore. Çdo vit, kur mblidhen zhardhokët e jamsit, burrat dhe djemtë hidhen nga kulla druri 20 deri në 30 metra të larta. Vetëm lianet e gjata që i lidhin te kyçi i këmbës, i shpëtojnë nga vdekja e sigurt. Duke e cikur tokën me kokë, këta «zhytësa» të tokës shpresojnë «ta bëjnë pjellore» për të mbjellat e vitit të ardhshëm.

Në ishullin e Malekulës, ka fshatra që vetëm vitet e fundit i kanë mikpritur të huajt. Këtu jetojnë fiset e njohura si Nambasët e mëdhenj dhe Nambasët e vegjël. Dikur ata ishin kanibalë të egër dhe, sipas të thënave, viktimën e fundit e hëngrën më 1974. Po kështu, vite më parë mori fund edhe zakoni sipas të cilit foshnjave meshkuj ua lidhnin fort kokën që kafka t’u merrte formë «të bukur» gjatoshe. Sot Nambasët janë tepër miqësorë dhe u pëlqen t’i njohin vizitorët me trashëgiminë e tyre kulturore.

Njerëz në parajsë

Shumë vizitorë shkojnë në Vanuatu për të pushuar pak. Por Dëshmitarët e Jehovait mbërritën atje gati 70 vjet përpara për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë për Perëndinë. Përpjekjet e Dëshmitarëve në këtë ‘skaj të largët të tokës’ kanë dhënë fryte të mira. (Veprat 1:8) (Shih kutinë «Dje i droguar me kavë, sot i krishterë».) Në vitin 2006, pesë kongregacionet e Dëshmitarëve në këtë vend harxhuan më shumë se 80.000 orë duke shpallur lajmin që jep Bibla për një parajsë të afërt në tokë. (Isaia 65:17-25) Lumturisht, kjo parajsë që po vjen do të na çlirojë një herë e mirë nga streset dhe telashet e jetës moderne.​—Zbulesa 21:4.

[Shënimet]

^ par. 5 Dugongët janë gjitarë detarë barngrënës që mund të arrijnë deri në 3,4 metra gjatësi dhe të peshojnë më shumë se 400 kilogramë.

^ par. 7 Para se të fitonin pavarësinë më 1980, ishujt e Vanuatut quheshin Hebridet e Reja.

[Kutia dhe figura në faqen 17]

ISHUJT E LUMTUR

Në vitin 2006, Vanuatu zuri vendin e parë në botë në Treguesin e Planetit të Lumtur. Ky tregues i hartuar nga Fondacioni i Ekonomisë së Re, një qendër kërkimore britanike, klasifikoi 178 vende, duke pasur si kriter lumturinë e nënshtetasve, jetëgjatësinë dhe ndikimin te mjedisi. Gazeta Vanuatu Daily Post tha: «[Vanuatu] u rendit në krye, sepse banorët e tij janë të lumtur, jetojnë gati 70 vjet dhe e dëmtojnë fare pak planetin.»

[Figura]

Veshje tradicionale

[Burimi]

© Kirklandphotos.com

[Kutia dhe figura në faqen 17]

DJE I DROGUAR ME KAVË, SOT I KRISHTERË

Uilli, një vendës në Ishullin e Pentekostës, e pinte rëndshëm kavën që kur ishte i ri. Kjo pije me efekt të fuqishëm trullosës, përgatitet duke shtypur rrënjët e shkurres së piperit. Përnatë ai kthehej në shtëpi me këmbët që i merreshin ngaqë pinte kavë. U zhyt në borxhe. Shpesh bëhej i dhunshëm dhe rrihte të shoqen, Idën. Një ditë, një shok pune, që ishte Dëshmitar i Jehovait, e inkurajoi Uillin të studionte Biblën. Uilli pranoi. Në fillim Ida nuk ishte dakord për studimin. Por dora-dorës që sjellja e të shoqit përmirësohej, ajo ndërroi mendje e filloi të studionte edhe vetë. Si çift përparuan shumë në njohurinë për Perëndinë. Me kalimin e kohës Uilli i mposhti veset që kishte. Ai dhe Ida u pagëzuan si Dëshmitarë të Jehovait në vitin 1999.

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ZELANDA E RE

AUSTRALI

OQEANI PAQËSOR

FIXHI

[Figura në faqen 16]

«Zhytësit» e tokës përfshihen në këtë praktikë tejet të rrezikshme, që karakterizon ritin e pjellorisë

[Burimi]

© Kirklandphotos.com

[Burimi i figurës në faqen 15]

© Kirklandphotos.com

[Burimi i figurës në faqen 15]

© Kirklandphotos.com

[Burimi i figurës në faqen 16]

© Kirklandphotos.com