Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shije e zgjedhur: Dhuratë nga pyjet

Shije e zgjedhur: Dhuratë nga pyjet

Shije e zgjedhur: Dhuratë nga pyjet

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

NË VERI të Evropës, shumë familje kanë qejf të shkojnë në pyll e të mbledhin fruta pylli. Në Finlandë dashuruesit e pyjeve gëzojnë të drejtën të hyjnë në pyje, pra të shëtitin lirshëm në natyrë, madje edhe në territore private, për sa kohë nuk bëjnë ndonjë dëm ose nuk i afrohen tepër ndonjë shtëpie private. Kjo e drejtë nuk është shkruar në ndonjë ligj, por është traditë e vjetër skandinave. Kështu, çdokush ka mundësi të mbledhë thuajse kudo lule të egra, kërpudha dhe fruta pylli.

Në Finlandë rriten afro 50 lloje frutash pylli, shumica e të cilave janë të ngrënshme. Tri më të përhapurat janë boronica, mjedra dhe boronica e kuqe.​—Shih kutitë shoqëruese.

Frutat e pyllit, me ngjyra dhe shije të ndryshme, u shtojnë larminë ushqimeve dhe janë shumë të shëndetshme. «Frutat e pyjeve nordike që rriten në ditët e gjata [të verës] kanë shumë aromë, ngjyra, kripëra minerale dhe vitamina»,​—thuhet në librin Luonnonmarjaopas (Njohuri për frutat e pyllit). Gjithashtu, këto fruta përmbajnë fibra që mund të rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe të ulin nivelin e kolesterolit. Frutat e pyllit përmbajnë edhe flavonoide, përbërje fenolike që mendohet se bëjnë mirë për shëndetin.

A ia vlen të mbledhësh fruta pylli? «Kjo gjë na ndihmon vërtet të kursejmë, sepse frutat e pyllit shiten shtrenjtë. Pastaj, kur i mbledh me dorën tënde, e di se janë të freskëta»,​—thotë Juka, i cili ka qejf të mbledhë fruta pylli. E shoqja, Nina, tregon një të mirë tjetër: «Kur shkojmë për fruta pylli, kemi rastin të gëzojmë një piknik të bukur në pyll si familje.»

Pastaj shton: «Por nëse keni me vete fëmijë, mos ua ndani sytë, se mund të hanë fruta që nuk i njohin ose mund të humbin rrugën.» Duhet bërë kujdes, pasi disa fruta pylli janë helmuese.

Si shumicës së nordikëve, edhe Jukës e Ninës u pëlqen shumë peizazhi i pyllit. «Vdes për pyllin,—thotë Nina.—Të rrethon një bukuri e paqtë dhe ajri është i pastër e i freskët. Kjo ma përtërin trurin. Edhe fëmijët kënaqen.» Juka dhe Nina kanë parë se qetësia e pyllit krijon një ambient të këndshëm për të medituar e biseduar si familje.

Që t’i shijosh tamam frutat e pyllit dhe t’ia marrësh të gjitha vlerat ushqyese duhet t’i hash të freskëta, kur sapo janë këputur. Por frutat e pyllit nuk rrojnë gjatë. Për t’i ngrënë edhe në dimër, duhen konservuar. Dikur ato i mbanin në qilar, por sot, zakonisht, i mbajnë në ngrirje. Shumë prej tyre bëhen reçel ose lëng frutash.

«Eh, ç’lezet ka që në palcë të dimrit të nxjerrësh këto vazo me fruta të mbledhura në verë! Të sjellin ndër mend verën e kaluar dhe mezi pret verën tjetër»,—thotë me vend një autor suedez në librin Svenska Bärboken (Libri i frutave të pyjeve suedeze). Frutat e pyllit përdoren në lloj-lloj mënyrash. Për mëngjes shkojnë me kos, granola ose me qull tërshëre. Frutat e freskëta të pyllit përdoren për të bërë ëmbëlsira dhe torta të shijshme. Edhe pureja dhe prevedeja e tyre mund të shoqërojnë lloj-lloj gatimesh, duke i zbukuruar me ngjyra.

Shumë njerëz blejnë fruta pylli në dyqan. Por imagjinojeni veten në pyll, në një ditë të bukur. Teksa kërkoni frutat e ëmbla me ngjyra të ndezura, thithni ajrin e freskët dhe shijoni paqen e qetësinë. Një mënyrë e këndshme për të sjellë në tryezë shije të zgjedhur dhe falas. Kjo na kujton fjalët e psalmistit: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.»​—Psalmi 104:24.

[Kutia dhe figura në faqet 24, 25]

BORONICA (Vaccinium myrtillus)

Kjo frutë e njohur pylli quhet edhe rrush mali. Shpesh boronicat bëhen krem, buding, reçel ose lëng. Gjithashtu përdoren për ëmbëlsira siç është keku me boronicë. Kur janë të freskëta, shkojnë hata fare me qumësht. Por, mos u përpiqni më kot t’i hani fshehtas, se boronica t’i bën blu gojën dhe buzët. Ajo quhet edhe fruta thashethemexhie.

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

MJEDRA E VENDEVE VERIORE (Rubus chamaemorus)

Kjo frutë pylli rritet mirë në vende të izoluara, siç janë moçalishtet. Në Finlandë më shumë rritet në veri. Mjedra ka shumë vitaminë A dhe C, shumë lëng dhe është e ushqyeshme. Ka tri deri në katër herë më shumë vitaminë C se portokalli. Mjedra çmohet jashtëzakonisht, e ndonjëherë quhet dhe ari i moçaleve. Këto fruta të ëmbla u shtohen pak për lezet disa ëmbëlsirave dhe me to bëhet edhe një liker i shkëlqyer.

[Burimi]

Reijo Juurinen/​Kuvaliiteri

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

BORONICA E KUQE (Vaccinium vitis-idaea)

Kjo frutë pylli është shumë e afërt me boronicën e vogël dhe është shumë e përhapur në Finlandë dhe Suedi. Pureja ose prevedeja e saj i japin freski tryezës në dimër. Kjo frutë me ngjyrë të kuqe të ndezur përdoret edhe si krem ose për të bërë buding, lëng frutash dhe torta. Ajo rron gjatë pasi ka acide natyrore që veprojnë si konservues. Aciditeti i lartë i jep një shije të fortë që në fillim mbase nuk pëlqehet shumë.

[Kutia në faqen 25]

Nuk është vetëm qejf!

Mbledhja e frutave të pyllit është një përvojë e bukur dhe shpërblyese. * Por nuk është gjithnjë e lehtë. Pasi dhe Tuira janë një çift i martuar nga Laponia që mbledhin fruta pylli edhe për vete, edhe për t’i shitur. Ata thonë se kur mbledhin fruta pylli ndonjëherë i rrethojnë mori insektesh të bezdisshme si mushkonjat dhe zekthat. «Është vërtet acaruese. Ato të hyjnë edhe në gojë e në sy»,—thotë Tuira e drithëruar. Lumturisht mund të mbroheni deri diku duke u veshur siç duhet dhe duke përdorur solucion kundër insekteve.

Edhe marshimi në natyrë mund të jetë i vështirë, sidomos në zona moçalore. Ajo që duket si tokë e fortë, faktikisht mund të jetë një gropë me baltë. Gjithashtu, sipas Pasit dhe Tuirës, vetë mbledhja e frutave mund të jetë goxha e lodhshme. Kur përkulesh ose qëndron galiç me orë të tëra, mund të të dhembë shpina e këmbët.

Gjithashtu, të gjesh fruta pylli nuk është gjithnjë e lehtë. «Duhet të kërkosh shumë që të gjesh një vend ku ka me bollëk»,—thotë Pasi. «Shpesh, më shumë na lodh kërkimi se mbledhja e frutave»,—shton Tuira. Edhe për t’i pastruar frutat pasi janë mbledhur, duhet shumë punë.

Për shkak të këtyre vështirësive, disa i lënë këto fruta që t’i shijojnë banorët me gëzof të pyllit. Prapëseprapë janë të shumtë ata si Pasi dhe Tuira që nga qejfi për të mbledhur fruta pylli, nuk lodhen duke e bërë çdo vit marshimin në terrenet e vështira të pyjeve dhe moçaleve. Për ta, sakrificat as që krahasohen me kënaqësinë që provojnë kur mbledhin fruta pylli.

[Shënimi]

^ par. 25 Jo të gjitha frutat e pyllit mund të hahen. Disa janë helmuese. Para se t’i mblidhni, mësoni të njihni ato që janë të ngrënshme.