Indianët e Brazilit: A rrezikojnë të shfarosen?
Indianët e Brazilit: A rrezikojnë të shfarosen?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
PARKU Kombëtar i Shingut gjendet në shtetin brazilian të Mato-Grosos. Ai mbulon rreth 27.000 kilometra katrorë, një sipërfaqe gati sa Belgjika. Në këtë rajon jetojnë afro 3.600 indianë që u përkasin 14 grupeve etnike. Parku është si një ishull plot gjelbërim në mes të një zone që në fotografitë e bëra nga sateliti duket si «një tavolinë gjigante bilardoje». Pyjet përreth ose janë djegur për t’u hapur rrugën sharrëxhinjve për te drurët me leverdi, ose janë kthyer në kullota për tufat e mëdha të gjedhëve.
Në vitet 60, qeveria braziliane filloi të krijonte rezervate për indianët. Këto rezervate, që ndodhen kryesisht në rajonin e Amazonës, sot përfshijnë rreth 12 për qind të territorit të Brazilit. Formimi i rezervateve ka luajtur rol në një ndryshim të papritur: popullsia indiane në Brazil po rritet për herë të parë në 500 vitet e fundit. Mendohet se ajo ka arritur në rreth treqind mijë. Megjithatë, kjo është vetëm një pjesë fare e vogël e popullsisë indiane të vitit 1500, që përafërsisht duhet të ketë qenë dy deri në gjashtë milionë.
Siç u shpreh një shkrimtar, në 500 vitet e kaluara, «ka ndodhur një tragjedi e kobshme demografike me përmasa tronditëse». Çfarë çoi në një pakësim kaq drastik të popullsisë indiane? A do të thotë shtimi i saj në vitet e fundit se indianët e Brazilit më në fund i kanë shpëtuar rrezikut të shfarosjes?
Si filloi kolonizimi
Në vitin 1500, Portugalia pretendoi se territori i Brazilit i përkiste asaj. Pas kësaj, për 30 vjet interesi i kolonizatorëve u përqendrua te një dru i fortë i quajtur ashkëkuqe, ose brazil, që jep një bojë të kuqe. Brazili e mori emrin nga ky dru. Ai çmohej shumë në Evropë dhe evropianët e merrnin në shkëmbim të disa xhinglave.
Por, shpejt u zbulua se klima e Brazilit ishte e shkëlqyer për rritjen e kallamsheqerit. Megjithatë kishte një problem. Kultivimi i tij kërkonte goxha mund dhe fuqi punëtore. Kërkesa për skllevër nisi të rritej. Por kolonizatorët s’kishin pse të shkonin larg. Midis vendësve gjeje krahë pune sa të doje.
Si nisi skllavëria?
Indianët ishin mësuar të mbillnin aq sa të plotësonin nevojat bazë. Burrat në përgjithësi merreshin me gjueti dhe peshkim. Ata iu futën punës së rëndë të shpyllëzimit. Gratë merreshin me mbjellje, korrje dhe gatim. Në qarqet intelektuale evropiane i thurnin elozhe indiferencës së indianëve ndaj pasurisë dhe faktit që nuk ishin lakmitarë. Nga ana tjetër, për shumë kolonizatorë indianët ishin thjesht dembelë dhe asgjë më tepër.
Indianët miqësorë i nxitnin të shpërnguleshin afër kolonive portugeze, që të punonin për ta e t’i mbronin. Shpesh, në këtë proces luanin një rol kyç jezuitët dhe urdhra të tjerë fetarë. Këtyre as që ua merrte mendja sa shkatërrimtare do të ishte kjo afërsi për indianët. Ndonëse indianëve u garantohej me ligj toka dhe liria, praktikisht ata i detyronin me forcë që të punonin si skllevër për të ardhurit. Rrallë
i paguanin ose i lejonin të kultivonin tokën e vet.Orvatjet e kurorës portugeze për të ndaluar skllavërinë patën vetëm njëfarë suksesi. Zakonisht kolonizatorët portugezë arrinin t’u bënin bisht ligjeve kundër skllavërisë. Në përgjithësi quhej e pranueshme nga ana morale që të skllavëronin ose të shitnin si skllevër indianët «armiq» që kapeshin robër në të ashtuquajturat luftëra të drejta. Edhe indianët që mbaheshin robër nga fise të tjera mund të bliheshin, ose «të shpengoheshin», dhe të mbaheshin si skllevër.
Nga sa thamë më lart, ishte industria e sheqerit ajo që e bëri koloninë një sipërmarrje me leverdi. Dhe asokohe industria e sheqerit varej nga puna e skllevërve. Prandaj, kurora portugeze shpesh detyrohej të shkelte ndërgjegjen për hir të fitimit.
Rivalitet kolonizatorësh: Portugalia kundër Francës dhe Holandës
Indianët ishin viktimat kryesore të konfliktit midis fuqive kolonizatore. Francezët dhe holandezët u përpoqën t’ia merrnin Brazilin Portugalisë. Konkurronin kush e kush t’i kishte indianët në anën e vet. Por, indianët nuk e nuhatën që në të vërtetë të huajt ia kishin vënë syrin tokës së tyre. Përkundrazi, ata i shihnin këto konflikte si mundësi për t’u hakmarrë kundër armiqve të tyre, kundër fiseve të tjera indiane, dhe kështu u ngatërruan vetë në grindjet e të huajve.
Për shembull më 10 nëntor 1555, Nikola de Vilgenjoni, një fisnik francez, zbarkoi në gjirin e Guanabarës (Rio-de-Zhanejroja i sotëm) dhe ndërtoi një fortesë. Ai bëri një aleancë me indianët tamoio. Portugezët sollën indianët tupinambë nga Bahia dhe në mars të 1560-s më në fund sulmuan atë që dukej një fortesë e pamposhtshme. Francezët ia mbathën, por vazhduan tregtinë me tamoiot dhe i nxitnin ata të sulmonin portugezët. Si përfundim, pas një sërë betejash, tamoiot u shpartalluan. Thuhet se vetëm në një betejë u vranë 10.000 veta dhe u morën skllevër 20.000 të tjerë.
Sëmundje të neveritshme nga Evropa
Vendësit që takuan në fillim portugezët dukeshin plot shëndet. Eksploruesit e hershëm mendonin se shumë nga indianët e moshuar e kishin mbushur të 100-tat. Por indianët nuk kishin imunitet ndaj sëmundjeve evropiane dhe afrikane. Ka të ngjarë që ky ishte faktori kryesor që i çoi buzë shfarosjes.
Dokumentimet portugeze janë të mbushura me raporte të tmerrshme, të cilat flasin për epidemi që e pakësuan ndjeshëm popullsinë indiane. Më 1561, epidemia e lisë goditi Portugalinë dhe u përhap përtej Atlantikut. Pasojat ishin shkatërrimtare. Jezuiti Lionardo do Vele shkroi një letër më 12 maj 1563 ku përshkruante tmerret e epidemisë në Brazil. «Kjo ishte një lloj lije kaq e neveritshme dhe kutërbonte kaq shumë, saqë askush nuk e duronte dot erën e pështirë që dilte nga [viktimat]. Për këtë arsye shumë vdiqën të lënë pas dore, të konsumuar nga krimbat që rriteshin në plagët e lisë dhe që shtoheshin kaq shumë në trupat e tyre e ishin kaq të mëdhenj, saqë tmerronin dhe tronditnin çdokënd që i shihte.»
Përzierja e racave tronditi jezuitët
Edhe përzierja e racave çoi në zhdukjen e shumë fiseve. «As portugezët dhe as brazilianët vendës nuk ishin kundër përzierjes së racave»,—thuhet në librin Ari i kuq: Zaptimi i indianëve brazilianë (anglisht). Për indianët ishte shenjë mikpritjeje t’u jepnin të huajve gra, që shpesh ishin vajzat e tyre. Kur jezuitët e parë mbërritën në Brazil më 1549, u skandalizuan nga çka panë. «Ata [klerikët] u thonë publikisht burrave se është e ligjshme
të bashkëjetojnë me gratë me ngjyrë»,—tha me keqardhje jezuiti Manuel da Nubrega. Më tej shtoi: «Kolonizatorët i përdorin të gjitha gratë [skllavet] e tyre indiane si konkubina.» Mbretit të Portugalisë i bënë të ditur se një kolonizator portugez kishte kaq shumë fëmijë, nipër, stërnipër dhe pasardhës, saqë ai që e njoftoi tha se nuk guxonte t’ia thoshte madhërisë se sa ishin.Në mesin e shekullit të 17-të, indianët e rrafshinave bregdetare dikur të populluara të Brazilit ose ishin shuar a ishin kthyer në skllevër, ose ishin shkrirë me racat e tjera. E njëjta gjë ndodhi pas pak kohe me fiset e rajonit të Amazonës.
Mbërritja e portugezëve në Amazonë u pasua nga një «sezon gjuetie» thuajse pa kurrfarë kufizimi, ku gjahu ishin banorët e Amazonës së poshtme. Sipas zëvendëspeshkopit të Maranjaos, Manoel Tesherës, brenda disa dekadash, portugezët vranë gati dy milionë indianë në shtetet Maranjao dhe Para. Mbase kjo shifër ishte e zmadhuar, por shkatërrimi dhe vuajtjet ishin reale. Më vonë, edhe në Amazonën e sipërme u bë e njëjta kasaphanë. Në mesin e shekullit të 18-të ishte shuar thuajse krejt popullsia indiane e Amazonës, me përjashtim të zonave të thella.
Zhvillimi i shumë zonave të thella të rajonit të Amazonës nga fundi i shekullit të 19-të dhe në shekullin e 20-të, pak nga pak bëri që njeriu i bardhë të binte në kontakt me fiset e izoluara indiane që kishin mbijetuar. Zbulimi i procesit të vullkanizimit të kauçukut nga Çarls Gudjëri në vitin 1839 dhe shpikja e mëpasshme e rrotave prej gome çoi në «ethet e kauçukut». Tregtarët vërshuan në rajonin e Amazonës, që ishte furnizuesi i vetëm i kauçukut natyror. Kjo periudhë shquhet për shfrytëzimin e dhunshëm të popullsisë vendëse, e cila edhe kësaj radhe u pakësua ndjeshëm.
Çfarë solli shekulli i 20-të për indianët?
Më 1970, qeveria braziliane vendosi një plan integrimi që përfshinte ndërtimin e rrugëve për të lidhur zonat e thella të Amazonës. Shumë prej tyre kalonin përmes territoreve indiane, dhe kështu indianët rrezikonin të sulmoheshin nga kërkuesit e pasurive natyrore, si dhe nga sëmundje vdekjeprurëse.
Për shembull, ja se çfarë ndodhi me fisin Panaras. Ky fis kishte firuar për shkak të luftës dhe skllavërisë gjatë shekujve të 18-të dhe 19-të. Pakica që mbeti, ia mbathi në drejtim të veriperëndimit, thellë në pyllin e Mato-Grososit Verior. Pastaj rruga Kujabë-Santarem u ndërtua tamam përmes territorit të tyre.
Kontakti me njeriun e bardhë ishte fatal për shumë veta. Më 1975, nga ky fis, dikur goxha i madh, kishin mbetur vetëm 80 veta. Panarasët u vendosën në Parkun Kombëtar të Shingut. Ata u përpoqën të gjenin në park një vend të ngjashëm me pyllin e tyre, por më kot. Pastaj vendosën të ktheheshin në atdheun e tyre. Më 1 nëntor 1996, ministri brazilian i drejtësisë e shpalli një zonë prej 495.000 hektarësh «pronë të përhershme të popullsisë indigjene». Me sa duket panarasët i kanë shpëtuar shfarosjes.
A do të jetë më e mirë e ardhmja?
A munden rezervatet t’i shpëtojnë nga shfarosja fiset indiane që kanë mbetur? Sot asgjësimi i indianëve të Brazilit duket thuajse i pamundur. Megjithatë, shpesh trojet e tyre kanë pasuri natyrore të çmuara. Është llogaritur se minerale si ari, platini, diamanti, hekuri dhe plumbi, që arrijnë vlerën rreth 750 miliardë euro, gjenden të fshehura në nëntokën e asaj që njihet si Amazona Ligjore. Ajo përmbledh nëntë shtete në veri dhe qendrën e rajonit perëndimor të Brazilit. Afro 98 për qind e tokave indiane gjenden brenda këtij rajoni. Tashmë, në disa territore indiane po bëhen kërkime të paligjshme të pasurive natyrore.
Historia tregon se indianët kanë dalë gjithnjë të humbur sa herë kanë pasur të bëjnë me të bardhët. Ata shkëmbyen arin me pasqyra, drurin e brazilit me xhingla dhe iu desh të merrnin arratinë thellë në pyje për t’i shpëtuar skllavërisë. A do të përsëritet historia ?
Shumë indianë kanë mësuar të përdorin mjetet e epokës sonë teknologjike—aeroplanët, mjetet e motorizuara të lundrimit dhe celularët. Gjithsesi, vetëm koha do ta tregojë nëse do t’u bëjnë ballë vështirësive të tjera të shekullit të 21-të.
[Harta në faqen 15]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
■ Parku Kombëtar i Shingut
□ Rezervate për indianët
BRAZIL
BRAZILIA
Rio-de-Zhanejro
GUAJANA FRANCEZE
SURINAM
GUAJANË
VENEZUELË
KOLUMBI
EKUADOR
PERU
BOLIVI
PARAGUAJ
URUGUAJ
[Figura në faqen 15]
Tregtarët i shfrytëzonin indianët si skllevër në plantacionet e kauçukut
[Burimi]
© Jacques Jangoux/Peter Arnold, Inc.
[Burimi i figurës në faqen 12]
Konturi: Nga libri Brazili dhe brazilianët, 1857