Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Ngrohja e klimës globale në tokë është «e padiskutueshme» dhe ka «shumë të ngjarë» që shkaku të jetë aktiviteti i njeriut.​—KOMITETI NDËRQEVERITAR PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE (IPCC), ZVICËR.

Në Gjermani 1,4 deri në 1,9 milionë njerëz janë «në varësinë e ilaçeve». Përmasat e këtij problemi janë të krahasueshme me ato të varësisë nga alkooli.​—TAGESSCHAU, GJERMANI.

Në Britani, foshnjat nën një vjeç përbëjnë atë pjesë të popullsisë që rrezikohet më shumë nga vrasjet.​—THE TIMES, BRITANI.

Në disa pjesë të kufirit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë bimësia është kaq e dendur, saqë zyrtarët «e kanë të vështirë ta gjejnë» kufirin. «Nëse nuk e gjen, nuk mund ta ruash»—thotë Denis Shornaku, pranë Komisionit Ndërkombëtar për Kufirin.​—ASSOCIATED PRESS, SHTETET E BASHKUARA.

Trupi është bërë të shërohet vetë

«Organizmi i njeriut është në gjendje të shërojë vetë 60 deri në 70 për qind të të gjitha sëmundjeve»,—thotë profesori Gustav Dobos, kryemjek në Spitalin e Minatorëve në Esen të Gjermanisë. Thuhet se për të shëruar sëmundjet, trupi prodhon afro 30 deri në 40 ilaçe të tilla, si kortizon dhe substanca për parandalimin e gurëve në veshka. Disa nga proceset që përfshihen në këtë shërim të natyrshëm studiuesit kanë arritur t’i kuptojnë, por ende ka shumë për të zbuluar. Revista Vital thotë se shkencëtarët janë të vetëdijshëm se për këtë qëllim «funksionon një bashkëveprim i ndërlikuar midis hormoneve, substancave mesazhere të imunitetit dhe qelizave vrasëse». Gjithashtu «luajnë rol emocionet dhe gjendja shpirtërore». Megjithatë, më tej revista pohon se stresi dhe problemet personale mund «ta dobësojnë për muaj të tërë sistemin imunitar».

Shpërndarja e pasurisë botërore

«1% e njerëzve më të pasur në botë zotërojnë 40% të pasurisë botërore,—thotë gazeta Guardian e Londrës.—Ndër më të pasurit spikatin ata që merren me shërbime financiare dhe ata që ofrojnë shërbime nëpërmjet Internetit.» Nga një studim i Kombeve të Bashkuara u pa se 37 për qind e më të pasurve jetojnë në Shtetet e Bashkuara, 27 për qind në Japoni dhe 6 për qind në Mbretërinë e Bashkuar. Gjysma e më të varfërve të botës që janë në moshë madhore, nuk zotërojnë as 1 për qind të pasurisë së botës. Sipas Dankën Grinit, drejtues i studimeve në organizatën bamirëse Oxfam të Britanisë, «këto nivele pabarazie janë skandaloze. . . . Është e pamundur të justifikohet një pasuri e tillë kolosale kur 800 milionë njerëz shkojnë në shtrat të uritur çdo natë».

Raporti i pabarabartë i gjinive në Kinë

Në vitin 2005, raporti i gjinive për të sapolindurit në Kinë ishte 118 djem për çdo 100 vajza. Gazeta China Daily thotë se në disa rajone të vendit, «kjo shifër ka arritur 130 djem për çdo 100 vajza». Shkaku i kësaj pabarazie janë abortet kur zbulohet se fetusi është vajzë. Autoritete në këtë fushë e pranojnë se kjo dukuri lidhet me politikën e planifikimit familjar të Kinës, sipas së cilës shumica e çifteve që banojnë në qytet mund të kenë vetëm një fëmijë. Gazeta thotë se «në vitin 2020 do të ketë rreth 30 milionë burra më shumë se gra në moshën për martesë», dhe ky mosbalancim do të «ndikojë në stabilitetin e shoqërisë».