Trëndafila magjepsës nga Afrika
Trëndafila magjepsës nga Afrika
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA
«Lulet më të mrekullueshme që kam parë!» «Dhurata më e bukur për një mik të dashur.» «Një mënyrë për të thënë: ‘Dikush të ka për zemër.’»
NDOSHTA edhe ju jeni dakord me këto fjalë që thanë disa banorë të Najrobit, në Kenia. Nga të gjitha bimët me lule, si ato që rriten në natyrë edhe ato që kultivohen nga njeriu, ndoshta asnjëra nuk ka marrë më shumë lëvdata anembanë botës sesa trëndafili. Për shekuj me radhë ai ka pushtuar imagjinatën e njeriut. Ka frymëzuar vargjet e poetëve dhe shpesh edhe veprat e piktorëve e të skulptorëve. Shekspiri e madhëroi atë me vargjet e famshme të tragjedisë Romeo dhe Xhulieta: «Po çfar’ përmban një emër? Trëndafili do kish të njëjtën erë me çdo emër.» Falë trëndafilit janë krijuar dhe forcuar miqësi të reja, janë ripërtërirë marrëdhënie të acaruara dhe shumë të sëmurë janë ngritur shpirtërisht.
Përveç sa thamë më lart, trëndafili ka vlerë të madhe ekonomike. Në shumë vende ku klima favorizon kultivimin e luleve, trëndafili është një nga burimet më të mëdha të valutës së huaj. Për shembull, në Kenia, nga miliona lule të eksportuara gjatë njërit prej viteve të fundit, mbi 70 për qind ishin trëndafila, duke e bërë këtë vend një nga kultivuesit më të mëdhenj të trëndafilave në botë.
Në të kaluarën, para se njerëzit të zbulonin vetitë e tij magjepsëse, trëndafilat e egër rriteshin me bollëk në natyrë. Sot duke ndjekur me kujdes metoda hibridizimi artificial, disa nga më shumë se 100 llojet e trëndafilave të egër janë kryqëzuar që të japin ato mijëra varietete trëndafilash që njihen sot. Si rrjedhojë, kjo lule është bërë e njohur në mbarë botën dhe gjendet pothuajse në çdo skaj. Më të famshmit dhe më të kultivuarit janë trëndafilat hibridë pa aromë.
Nga fidanishtja në vazo
Shumë njerëz i blejnë trëndafilat në dyqanet e luleve ose në ndonjë supermarket. Këto lule rriten për tregti në fidanishte të mëdha dhe kërkojnë shumë më tepër kujdes sesa trëndafilat që rriten në oborr. Vizita në një nga këto fidanishte afër Najrobit na tregoi sa punë duhet derisa trëndafilat të shkojnë në treg.
Si ngado në Kenia, edhe këtu, fidanishtet e trëndafilave i dallon kollaj, mjafton të shohësh serrat komplekse me plastmasë. (Shih fotografinë në faqen 26.) Këto serra shërbejnë për disa qëllime. Trëndafilat e saposhartuar janë të brishtë dhe duhen mbrojtur nga moti i ashpër. Rrebeshet, era ose drita e drejtpërdrejtë e diellit mund t’i dëmtojnë shumë. Për të mbajtur një temperaturë konstante duhet që ajri i freskët të hyjë kollaj në serrë dhe ajri i ngrohtë të nxirret jashtë.
Në serra ka rreshta me fidanë në faza të ndryshme rritjeje. Në këtë fidanishte kultivohen lloje të ndryshme trëndafilash, duke filluar që nga të famshmit trëndafila hibridë pa aromë, që priten kur arrijnë pak më shumë se 70 cm, deri te një varietet i tyre i veçantë që pritet kur arrin 35 cm. Në këtë sipërfaqe prej 1 hektari mund të ketë rreth 70.000 bimë.
Si i marrin trëndafilat lëndët ushqyese? Nuk përdoret dhé i zakonshëm. Ngastrat ku mbillen lulet përgatiten me shtuf (shkëmbinj vullkanikë) të shtruara mbi plastmasë. Kjo metodë preferohet, pasi shkëmbinjtë janë të pastër nga shumë sëmundje që vijnë nga dheu. Për bimët përdoret ujitja me pikim. Me këtë metodë, tuba të vegjël drejtohen te ngastrat me lule dhe e çojnë ujin dhe lëndët e tjera ushqyese në sasi të përcaktuara. Meqë është poroz, materiali vullkanik lejon që uji të kullojë nga baza plastike. Pastaj ai mblidhet dhe përdoret sërish.
Pavarësisht nga kujdesi i specializuar, trëndafilat mund të infektohen me lloj-lloj sëmundjesh, sidomos nga kërpudhat. Këtu përfshihet Botrytis cinerea dhe bloza, që godasin gjethet dhe kërcellin e bimëve. Po të mos luftohen, këto sëmundje mund të
dëmtojnë cilësinë e lules. Për këtë ndihmon përdorimi i fungicideve.Ndërsa koha kalon, shfaqen disa ngjyra të ndezura, një shenjë e qartë se trëndafilat janë gati për t’u këputur. Lulet priten me kujdes kur janë ende gonxhe të mbyllura. Po të këputen në këtë fazë, kur petalet nuk janë hapur ende, lulet rrojnë më gjatë dhe e ruajnë më mirë ngjyrën. Megjithatë koha e këputjes mund të ndryshojë disi nga njëri varietet në tjetrin. Është e rëndësishme t’i këputësh lulet në mëngjes ose në muzg kur lagështia është e lartë dhe fishkja është më e ngadaltë. Pastaj lulet e këputura i çojnë në një dhomë të ftohtë që t’i freskojnë paraprakisht. Edhe kjo bën të mundur që trëndafilat të mbeten të freskët për një kohë më të gjatë.
Lulet do të kalojnë edhe një fazë tjetër të rëndësishme, në fazën e klasifikimit. Në këtë fazë ndahen sipas ngjyrës dhe madhësisë. Ambalazhimi bëhet sipas kërkesave të blerësve. Tani lulet janë gati për në treg. Nga fidanishtja transportohen në aeroportin kryesor të Najrobit e që andej eksportohen në Evropë, mijëra kilometra larg. Meqë nuk rrojnë gjatë, lulet duhet të mbërrijnë në treg, qoftë ky një treg vendës ose i një shteti tjetër, brenda 24 orëve nga këputja.
Herën tjetër që do t’ju dhurojnë një buqetë trëndafilash ose do t’i blini në dyqan, ndaluni dhe mendoni pak për udhëtimin e gjatë që mund të kenë bërë, ndoshta që nga Afrika. Ka shumë të ngjarë që kjo t’ju shtojë vlerësimin për Krijuesin, Perëndinë Jehova.—Psalmi 115:15.
[Kutia dhe figurat në faqen 26]
A do të ketë ndonjëherë trëndafila të kaltër?
Trëndafili ka bërë një rrugë të gjatë deri më sot. Gjithsesi udhëtimit të tij nuk i ka ardhur fundi. Në këtë fushë po përdoren shumë teknika të reja kryqëzimi dhe kultivimi. Janë të pakta lulet që mund të japin nuancat e ndryshme që japin trëndafilat. Cila ngjyrë ju pëlqen më shumë? Trëndafili i bardhë, i verdhë, rozë, i kuq i mbyllur apo ngjyrë hide? Shumica e këtyre përftohen duke përdorur metoda të ndryshme kryqëzimi.
Për shembull, a e dini që, ndonëse njerëzit flasin për trëndafila «të kuq», lulet vërtet të kuqe nuk ekzistonin në familjen e trëndafilave? Kjo familje nuk e ka gjenin që jep pigmentin e kuq. E kuqja e ndezur erdhi nga një mutacion gjenetik, që ndodhi rreth vitit 1930. Si përfundim, kjo solli nuancat e kuqe të shndritshme që shohim te trëndafilat sot. Megjithatë, në të gjitha varietetet e trëndafilave, një ngjyrë mungoi për një kohë të gjatë: e kaltra. Gjeni që jep ngjyrën e kaltër, pra pigmentin delfinidinë, nuk gjendet në familjen e trëndafilave. Megjithatë, pas vite kërkimesh, një shoqëri australiane në bashkëpunim me një shoqëri japoneze, krijuan në vitin 2004 një trëndafil «të kaltër». Kjo u arrit falë inxhinierisë gjenetike. Gjithsesi ka ende punë për të arritur nuanca më të mbyllura të së kaltrës.
[Figura]
Serrë me plastmasë
[Figura në faqen 25]
Gati për t’u këputur