Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rrezik që shqetëson çdo prind

Rrezik që shqetëson çdo prind

ELIZA dhe Tomi janë një çift i lumtur dhe tërë gjallëri. Ata kanë një djalë trevjeçar, të zgjuar dhe të shëndetshëm. * Kujdesen shumë për të birin, dhe siç kanë ardhur kohët sot, kjo nuk është punë e lehtë. Ke shumë telashe dhe përgjegjësi. Sa shumë gjëra duhet t’u mësosh fëmijëve! Por, sidomos, njërën nga përgjegjësitë Eliza dhe Tomi e kanë me shumë merak: duan ta mbrojnë fëmijën nga rreziqet e abuzimit seksual. Pse bëjnë kaq kujdes?

«Im atë ishte njeri i ftohtë, nevrik dhe pinte shumë,—thotë Eliza.—Më rrihte tmerrësisht dhe abuzonte me mua dhe motrat e mia.» * Pranohet gjerësisht se ky abuzim mund të lërë vraga të thella emocionale. Pra s’është çudi që Eliza është e vendosur ta mbrojë me çdo kusht të birin. Edhe Tomi ka të njëjtin merak.

Shumë prindër janë të shqetësuar për shkak të abuzimit me fëmijët. Ndoshta edhe ju. Mbase, ndryshe nga Eliza, nuk e keni provuar vetë abuzimin dhe pasojat e tij, por pa dyshim keni dëgjuar lajme tronditëse për përhapjen e madhe të këtij akti të neveritshëm. Përreth botës prindërit e kujdesshëm lemerisen kur marrin vesh ç’u ngjet fëmijëve në zonën e tyre.

S’është për t’u habitur që një studiues në fushën e abuzimit me fëmijët e quajti përhapjen e këtij abuzimi «një nga zbulimet më të zymta të epokës sonë». Patjetër ky është një lajm i trishtueshëm, por a është befasues shtimi i rasteve të abuzimit? Për ata që studiojnë Biblën, jo. Fjala e Perëndisë shpjegon se po jetojmë në një periudhë të trazuar që quhet «ditët e fundit». Kjo kohë do të dallohej nga përhapja e sjelljes së «egër», dhe njerëzit do të ishin «të dashuruar me veten» e nuk do të kishin «përzemërsi të natyrshme».—2 Timoteut 3:1-5.

Abuzimi seksual është një problem alarmues. Vërtet, disa prindër ndihen si të paralizuar kur mendojnë për ligësinë makabre të njerëzve që i bëjnë sytë katër si e si të gjejnë fëmijë që të abuzojnë seksualisht. Por, a janë të pafuqishëm prindërit përballë këtij problemi? Apo mund të marrin disa masa praktike për t’i mbrojtur fëmijët? Artikujt vijues do të trajtojnë këto çështje.

^ par. 2 Në këtë seri artikujsh, emrat janë ndryshuar.

^ par. 3 Abuzimi seksual i fëmijëve përfshin ato raste kur një i rritur shfrytëzon një fëmijë për të plotësuar dëshirat e veta seksuale. Shpesh ky abuzim nënkupton atë që Bibla e quan kurvëri ose porneia, që përfshin fërkimin e organeve gjenitale, marrëdhëniet seksuale, si dhe seksin oral ose anal. Disa akte abuzimi, siç është fërkimi i gjinjve, propozimet e hapura imorale, t’i tregosh një fëmije materiale pornografike, vuajerizmi (arritja e kënaqësisë seksuale duke parë organet seksuale të të tjerëve dhe marrëdhënie seksuale), si dhe ekspozimi i turpshëm i organeve seksuale, mund të përfshihen në atë që Bibla e dënon si ‘sjellje të shthurur’ ose ‘ndyrësi të bërë me lakmi’.—Galatasve 5:19-21; Efesianëve 4:19.