Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëjeni familjen tuaj një liman të mbrojtur

Bëjeni familjen tuaj një liman të mbrojtur

«PA PËRZEMËRSI të natyrshme.» Me këto fjalë të trishtueshme, Bibla përshkruan shumë njerëz të kohës sonë, periudhë e quajtur «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1, 3, 4) Epidemia e abuzimit me fëmijët në familje është provë e gjallë e vërtetësisë së kësaj profecie. Fjala origjinale greke astorgos, e përkthyer në shqip «pa përzemërsi të natyrshme», tregon se mungon ajo dashuri që duhet të ekzistojë midis pjesëtarëve të familjes, sidomos mes prindërve dhe fëmijëve. * Dhe shumë shpesh, abuzimi me fëmijët ndodh pikërisht në familje.

Disa studiues thonë se në shumicën e rasteve autori i abuzimit seksual është mashkulli që ka rolin e prindit në familje. Shpesh abuzojnë edhe të afërm të tjerë meshkuj. Ndonëse shumica e viktimave janë vajza, edhe mjaft djem kanë rënë pre e abuzimit. Abuzueset femra nuk janë aq të rralla sa ç’mund të mendoni. Ndoshta rastet më pak të raportuara, janë rastet e incestit midis motrave dhe vëllezërve, kur një fëmijë më i madh ose më i fuqishëm detyron ose josh një vëlla a motër më të brishtë të kryejë akte seksuale. Pa dyshim ju si prind i urreni akte të tilla.

Si mund ta mbroni familjen nga këto probleme? Është e qartë se çdo pjesëtar në çdo familje ka nevojë të mësojë dhe të çmojë disa parime që parandalojnë abuzimin. Burimi më i mirë për këtë lloj drejtimi është Fjala e Perëndisë, Bibla.

Fjala e Perëndisë dhe marrëdhëniet seksuale

Që të jetë e mbrojtur, çdo familje duhet të ndjekë normat e Biblës për moralin. Bibla nuk e anashkalon argumentin e seksit. E trajton në mënyrë dinjitoze, e megjithatë flet hapur dhe drejtpërdrejt. Aty tregohet se Perëndia kishte si qëllim që intimiteti seksual të ishte një bekim i vërtetë për bashkëshortët. (Proverbat 5:15-20) Megjithatë, në Bibël dënohen aktet seksuale jashtë martesës. Për shembull, Bibla flet hapur kundër incestit. Në kapitullin 18 të Levitikut, ndalohen një sërë aktesh incesti. Në mënyrë të veçantë vini re këto fjalë: «Asnjëri nga ju të mos i afrohet një të afërmi gjaku për t’i zbuluar lakuriqësinë [për të kryer marrëdhënie seksuale]. Unë jam Jehovai.»—Levitiku 18:6.

Jehovai i përfshiu aktet e incestit te ‘gjërat e pështira’ që dënoheshin me vdekje. (Levitiku 18:26, 29) Është e qartë se Krijuesi ka norma shumë të larta për këtë çështje. Sot shumë qeveri kanë të njëjtën pikëpamje, duke e dënuar me ligj abuzimin seksual të fëmijëve brenda familjes. Shpesh, sipas ligjit, nëse një fëmijë ka pasur marrëdhënie seksuale me një të rritur, konsiderohet përdhunim. Përse përdoret një fjalë kaq e rëndë nëse nuk është përdorur forca fizike?

Shumë autoritete kanë pranuar atë që Bibla e ka thënë gjithmonë për fëmijët—se ata në përgjithësi nuk janë të aftë të arsyetojnë si të rriturit. Për shembull, te Proverbat 22:15 thuhet: «Marrëzia është e lidhur me zemrën e një djali.» Edhe apostulli Pavël shkroi i frymëzuar nga Perëndia: «Kur isha fëmijë, . . . mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.»—1 Korintasve 13:11.

Një fëmijë nuk mund ta kuptojë plotësisht se çfarë do të thotë të kryesh marrëdhënie seksuale dhe as mund t’i marrë me mend pasojat që do të vijnë gjatë viteve. Prandaj, është pranuar gjerësisht se edhe nëse fëmijët lejojnë të përfshihen në marrëdhënie seksuale, kjo leje s’ka vlerë ligjore. Me fjalë të tjera, nëse një i rritur (ose një i ri që është goxha më i madh se fëmija) kryen marrëdhënie me një fëmijë, nuk mund të shfajësohet duke thënë se fëmija nuk kundërshtoi ose që fëmija e kërkoi vetë. I rrituri është fajtor për përdhunim. Ky është krim dhe shpesh dënohet me burgim. Përgjegjësia për përdhunimin i mbetet përdhunuesit, jo viktimës.

Por mjerisht, shumica e autorëve të këtyre krimeve, sot ia hedhin pa u lagur. Për shembull, në Australi është llogaritur se vetëm 10 për qind e të akuzuarve ndiqen penalisht dhe pak dënohen. Edhe në vende të tjera shifrat janë të ngjashme. Ndonëse qeveritë nuk janë në gjendje të bëjnë shumë për të mbrojtur familjen, zbatimi i parimeve të Biblës mund të bëjë shumë më tepër.

Të krishterët e vërtetë e dinë se Perëndia, që bëri të shkruheshin ato parime në Fjalën e tij, nuk ka ndryshuar. Ai sheh çdo gjë që bëjmë ne, edhe ato veprime që shumica e njerëzve nuk i shohin. Bibla thotë: «Të gjitha gjërat janë . . . fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.»—Hebrenjve 4:13.

Perëndia na quan përgjegjës nëse shkelim urdhrat e tij dhe i dëmtojmë të tjerët. Nga ana tjetër, ai na bekon në qoftë se zbatojmë urdhrat e tij të dobishme për jetën familjare. Cilat janë disa prej tyre?

Familje e bashkuar nga dashuria

Bibla na thotë: «[Dashuria] është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolosianëve 3:14) Siç përshkruhet në Bibël, dashuria nuk është thjesht një ndjenjë. Ajo duket nga mënyra si na motivon, pra nga sjellja që nxit dhe nga veprimet që ndalon. (1 Korintasve 13:4-8) Të tregosh dashuri në familje do të thotë të trajtosh çdo pjesëtar me dinjitet, respekt dhe përzemërsi. Do të thotë të jetosh në përputhje me pikëpamjen e Perëndisë për çdo pjesëtar të familjes. Ai i jep secilit një rol të nderuar dhe të rëndësishëm.

Si kreu i familjes, babai duhet të japë shembullin për të treguar dashuri. Ai e kupton se një babai nuk i jepet leja të jetë tiran, duke abuzuar me fuqinë e tij kundër gruas ose fëmijëve. Përkundrazi, ai ka Krishtin si shembull të kryesisë. (Efesianëve 5:23, 25) Kështu ai është i përzemërt dhe i dashur me gruan dhe i durueshëm e i butë me fëmijët. I mbron me besnikëri ata dhe bën gjithçka që mundet për t’i mbrojtur nga ndonjë gjë që mund t’u grabitë paqen, pafajësinë ose ndjenjën e besimit e të sigurisë.

Edhe gruaja, pra nëna, ka një rol dinjitoz dhe tejet të rëndësishëm. Bibla i përdor instinktet mbrojtëse të nënës në mbretërinë e kafshëve për të ilustruar sa mbrojtës mund të jenë Jehovai dhe Jezui. (Mateu 23:37) Po kështu, edhe nëna duhet t’i mbrojë me guxim fëmijët e vet. Me dashuri, ajo nuk ngurron të vërë sigurinë dhe mirëqenien e tyre para vetes. Prindërit nuk lejojnë që në marrëdhënien me njëri-tjetrin ose me fëmijët të abuzohet me fuqinë, të përdoren keqtrajtimet ose frikësimi; as nuk lejojnë që fëmijët t’i përdorin këto taktika midis tyre.

Kur çdo pjesëtar i familjes i trajton të tjerët me respekt dhe dinjitet, zhvillohet komunikimi i mirë. Uilliam Prendergasti shkruan: «Të gjithë prindërit duhet të komunikojnë çdo ditë, vazhdimisht dhe hapur me fëmijët e tyre të vegjël ose adoleshentë.» Më tej shton: «Kjo duket zgjidhja më e mirë për problemin e abuzimit seksual.» Pikërisht këtë lloj komunikimi të dashur e të vazhdueshëm këshillon Bibla. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Kur ndiqet kjo këshillë, shtëpia është një vend ku çdo pjesëtar mund të flasë lirshëm nga zemra dhe pa frikë.

Vërtet, jetojmë në një botë të ligë dhe është e pamundur të parandalohen të gjitha rastet e abuzimeve. Sidoqoftë një familje e mbrojtur nga abuzimi është një ndihmë mjaft e madhe. Nëse ndonjë pjesëtar i familjes dëmtohet jashtë shtëpisë, di ku të vrapojë për ngushëllim e mirëkuptim. Një familje e tillë është vërtet një strehë, një liman i mbrojtur në një botë të trazuar. Perëndia i bekoftë përpjekjet tuaja për ta bërë familjen një liman të tillë!

^ par. 2 Kjo fjalë e lashtë greke është përkufizuar: «zemërgur ndaj të afërmve». Një përkthim i Biblës e ka kështu këtë varg: «Do të jenë . . . pa përzemërsi normale për familjen e tyre.»