A e mbështet arkeologjia Biblën?
A e mbështet arkeologjia Biblën?
PËR studentët e Biblës arkeologjia është e dobishme, pasi zbulimet e saj shpesh ua shtojnë njohurinë që kanë për jetën, kushtet, zakonet dhe gjuhët e kohëve biblike. Gjithashtu, arkeologjia jep informacione të dobishme për përmbushjen e profecive biblike, si ato që parathanë rënien e Babilonisë së lashtë, Ninevisë dhe Tirit. (Jeremia 51:37; Ezekieli 26:4, 12; Sofonia 2:13-15) Megjithatë, shkenca ka kufizimet e saj. Objektet e zbuluara duhen interpretuar, dhe njerëzit mund të gabojnë ose t’i ndryshojnë faktet gjatë interpretimit.
Besimi i krishterë nuk varet nga vazot e thyera, nga tullat që po shkërmoqen ose nga muret që po shemben. Ai mbështetet në tërësinë e të vërtetave që gjenden në Bibël e që janë në harmoni midis tyre. (2 Korintasve 5:7; Hebrenjve 11:1) Pa dyshim, harmonia e Biblës, sinqeriteti i shkrimtarëve, profecitë e përmbushura dhe shumë veçori të tjera japin prova bindëse se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». (2 Timoteut 3:16) Gjithsesi, le të shqyrtojmë disa zbulime arkeologjike interesante që konfirmojnë fjalët e Biblës.
Një ekip arkeologësh që po gërmonin në Jerusalem më 1970, zbuluan rastësisht një rrënojë të shkrumbuar. Drejtuesi i ekipit, Naman Avigadi, shkroi: «Për një sy të stërvitur tabloja ishte e qartë. Ndërtesa ishte shkatërruar nga zjarri dhe muret e tavani ishin shembur.» Në një dhomë u gjetën kockat [1] e një krahu, me gishtërinjtë e zgjatur drejt pragut.
Në dysheme ishin shpërndarë disa monedha [2], më e vonshmja nga të cilat datonte në vitin e katërt të kryengritjes së judenjve kundër Romës, që filloi në vitin 69 të e.s. Para se të shembej ndërtesa, orenditë ishin bërë rrëmujë. «Kjo pamje,—tha Avigadi,—na solli ndër mend përshkrimin e Jozefit për ushtarët romakë që plaçkitën shtëpitë pas pushtimit të qytetit.» Historianët thonë se romakët e plaçkitën Jerusalemin në vitin 70 të e.s.
Analizat treguan se kockat i përkitnin një vajze në të 20-at. «Kur sulmuan romakët,—thuhet në Biblical Archaeology Review,—një vajzë që ishte në kuzhinën e shtëpisë së djegur, u gjend pa asnjë rrugëdalje në mes të zjarrit dhe u shemb përdhe. Vdiq teksa mundohej të arrinte pragun e derës. Zjarri ishte përhapur kaq shpejt . . . saqë nuk ia doli dot dhe copërat që binin, e zunë përfund.»
Kjo skenë na kujton profecinë që tha Jezui për Jerusalemin, rreth 40 vjet para ngjarjes: «Armiqtë . . . do të të shembin përtokë bashkë me fëmijët që ke brenda dhe nuk do të lënë te ti gur mbi gur.»—Ndër zbulimet arkeologjike që mbështetin pohimet biblike, janë edhe emrat e individëve të përmendur në Shkrime. Disa prej këtyre zbulimeve hodhën poshtë ca pretendime të kritikëve se shkrimtarët e Biblës kishin trilluar disa nga personazhet biblike ose kishin ekzagjeruar famën e tyre.
Mbishkrime me emra biblikë
Dikur, studiues të shquar mendonin se mbreti asirian Sargoni II, emri i të cilit përmendet në Bibël tek Isaia 20:1, nuk kishte ekzistuar kurrë. Megjithatë, më 1843, pranë Korsabadit të sotëm, Irak, në një nga degët e lumit Tigër, u zbulua pallati i Sargonit [3]. Ai zë afro 10 hektarë. I rishfaqur nga harresa e kohës, sot Sargoni II është një nga mbretërit më të njohur të Asirisë. Në një nga kronikat [4] e tij, ai thotë se ka pushtuar qytetin izraelit të Samarisë. Sipas kronologjisë biblike, Samaria ra në duart e asirianëve në vitin 740 p.e.s. Gjithashtu, Sargoni thotë se ka pushtuar edhe Ashdodin, deklaratë që e mbështet më tej Isainë 20:1.
Ndërsa gërmonin në gërmadhat e qytetit të lashtë të Babilonisë, në Irakun e sotëm, arkeologët zbuluan rreth 300 pllaka me shkrim kuneiform afër Portës së Ishtarit. Mbishkrimet kanë një sërë emrash të kohës së mbretit babilonas, Nabukodonosorit. Ndër ta është «Jaukini, mbreti i vendit të Jahudit». Kjo i referohet mbretit Jehojakin të Judës, që u mor rob në Babiloni kur Nabukodonosori e pushtoi për herë të parë Jerusalemin në vitin 617 p.e.s. (2 Mbretërve 24:11-15) Në pllaka përmenden edhe pesë nga bijtë e Jehojakinit.—1 Kronikave 3:17, 18.
Në vitin 2005, teksa gërmonin në një vend ku pritnin të gjenin pallatin e mbretit David, arkeologët gjetën një strukturë të gurtë masive që mendojnë se u shkatërrua kur babilonasit rrafshuan Jerusalemin pak më shumë se 2.600 vjet më parë, në kohën e Jeremisë, një profeti të Perëndisë. Mbetet ende e paqartë nëse struktura përfaqëson rrënojat e pallatit të Davidit. Megjithatë, arkeologu Elat Masar identifikoi një objekt me interes të veçantë—shenjën e një vule mbi argjilë [5] që është 1 centimetër e gjerë, ku thuhet: «I përket Jehukhalit, birit të Shelemjahut, birit të Shovit.» Nga sa duket, kjo gjurmë u bë me vulën e Jehukhalit (ose Jehukalit a Jukalit), një zyrtar jude, që sipas Biblës, doli kundër profetit Jeremia.—Jeremia 37:3; 38:1-6.
Masari thotë se Jukali është vetëm «zyrtari i dytë më i lartë mbretëror» pas Gemariahut, birit të Shafanit, emri i të cilit del në gjurmën e një vule të gjetur në Qytetin e Davidit. Bibla e identifikon Jehukalin, birin e Shelemiahut (Shelemijahut) si një nga princat e Judës. Para zbulimit të vulës ai nuk përmendej veçse në Shkrime.
A dinin shkrim e këndim?
Bibla tregon se izraelitët e lashtë dinin shkrim e këndim. (Numrat 5:23; Josiu 24:26; Isaia 10:19) Por kritikët nuk ishin dakord, duke thënë se historitë e Biblës u përcollën kryesisht goja-gojës e s’mund t’u zihet besë. Më 2005, kjo teori pësoi një goditje kur arkeologët që punonin në Tel-Zajit, në mesin e largësisë midis Jerusalemit dhe Mesdheut, gjetën një alfabet arkaik, ndoshta alfabeti hebraik [6] më i vjetër që është zbuluar deri më sot, i gdhendur mbi një gur gëlqeror.
Siç thonë disa studiues, ky zbulim që daton në shekullin e dhjetë p.e.s., tregon për një «stërvitje zyrtare të skribëve», një «nivel të ngritur kulturor» dhe «një burokraci izraelite që po zhvillohej me të shpejtë në Jerusalem». Pra, ndryshe nga pretendimet e kritikëve, me sa duket të paktën në shekullin e dhjetë p.e.s., izraelitët dinin të shkruanin e të lexonin dhe mund të dokumentonin historinë e tyre.
Dëshmitë asiriane japin prova të tjera
Shpesh në Bibël përmendet Asiria, që dikur ishte një perandori e fuqishme, dhe shumë zbulime arkeologjike atje verifikojnë saktësinë e Shkrimeve. Për shembull, nga gërmimet në vendndodhjen e Ninevisë së lashtë, kryeqyteti i Asirisë, u zbulua një pllakë me punim në reliev [7] në pallatin e mbretit Senakerib. Aty tregohen ushtarë asirianë që i çojnë në mërgim robërit judenj pas rënies së Lakishit në vitin 732 p.e.s. Mund ta lexoni këtë histori në Bibël te 2 Mbretërve 18:13-15.
Kronikat e Senakeribit [8], të gjetura në Ninevi, përshkruajnë fushatën e tij ushtarake në Palestinë gjatë mbretërimit të mbretit jude Hezekia, i cili përmendet me emër. Dokumentimet me germa kuneiforme të sundimtarëve të tjerë, flasin për mbretërit judenj Akaz dhe Manase, si dhe për mbretërit izraelitë: Omrin, Jehun, Jehoasin, Menahemin dhe Hoshenë.
Në tregimet e tij Senakeribi mburret për suksesin ushtarak, por vlen të përmendet se asnjëherë nuk thotë se mori Jerusalemin. Ky fakt është domethënës, sepse e bën edhe më të besueshëm dokumentimin biblik që thotë se ky mbret kurrë nuk e rrethoi Jerusalemin, por pësoi disfatë nga duart e Perëndisë. Pas kësaj, Senakeribi i poshtëruar u kthye në Ninevi, ku e vranë djemtë e vet, siç thotë Bibla. (Isaia 37:33-38) Është interesante se dy mbishkrime asiriane konfirmojnë vrasjen e tij.
Për shkak të ligësisë së popullit të Ninevisë, profetët e Jehovait, Naumi dhe Sofonia parathanë shkatërrimin e plotë të qytetit. (Naumi 1:1; 2:8–3:19; Sofonia 2:13-15) Profecitë e tyre u përmbushën kur forcat aleate të Nabopolasarit, mbretit të Babilonisë dhe të mbretit med Siaksaresit, rrethuan dhe pushtuan Ninevinë në vitin 632 p.e.s. Zbulimi dhe gërmimi në rrënojat e tij vërtetojnë edhe një herë tregimin e Biblës.
Gjatë gërmimeve që bënë në vitet 1925-1931, në Nuz, një qytet i lashtë në lindje të lumit Tigër dhe në juglindje të Ninevisë, u zbuluan shumë objekte, duke përfshirë edhe afro 20.000 pllaka argjile. Ato janë mbishkruar në gjuhën babilonase dhe sigurojnë një bollëk hollësish, përfshirë edhe zakone ligjore të ngjashme me ato të kohës patriarkale të përshkruara te Zanafilla. Për shembull, mbishkrimet thonë se idhujt e shtëpisë, që shpesh ishin statujëza të vogla argjile, ishin një lloj dokumenti pronësie dhe i jepnin të drejtën e trashëgimisë të zotit. Ky zakon mund të shpjegojë përse Rakela, gruaja e patriarkut Jakob, mori idhujt e shtëpisë që i përkitnin të atit, Labanit, kur u shpërngul familja e Jakobit. Kuptohet që Labani u përpoq t’i merrte prapë idhujt.—Zanafilla 31:14-16, 19, 25-35.
Profecia e Isaisë dhe cilindri i Kirit
Mbishkrimi me germa kuneiforme në cilindrin e lashtë prej argjile që tregohet këtu, mbështet një tregim tjetër biblik. I njohur si Cilindri i Kirit [9], ky dokument u gjet në vendndodhjen e Siparit të lashtë në Eufrat, rreth 32 kilometra larg Bagdatit. Ai flet për pushtimin e Babilonisë nga Kiri i Madh, themelues i Perandorisë Perse. Është mahnitëse që rreth 200 vjet para kësaj ngjarjeje, nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai tha për një sundimtar medo-pers që do të quhej Kir: «‘Ai është bariu im dhe do të kryejë plotësisht gjithçka që më pëlqen’, madje edhe atë që thashë për Jerusalemin: ‘Do të rindërtohet’.»—Isaia 13:1, 17-19; 44:26-45:3.
Vlen të thuhet se në cilindër përmendet politika e Kirit që ndryshonte kryekëput nga ajo e pushtuesve të tjerë të antikitetit, pasi i lejonte të ktheheshin në atdhe robërit e kapur nga fuqia e mëparshme. Historia biblike dhe ajo laike dëshmojnë se Kiri i liroi vërtet judenjtë që më pas rindërtuan Jerusalemin.—2 Kronikave 36:23; Ezdra 1:1-4.
Ndonëse një shkencë e re, arkeologjia biblike është bërë një fushë studimi e rëndësishme që ka siguruar informacione të vlefshme. Siç e pamë, shumë zbulime provojnë vërtetësinë dhe saktësinë e Biblës, ndonjëherë deri në hollësitë më të vogla.
PËR MË SHUMË INFORMACIONE
A mund t’ju ndihmojë Bibla të keni lumturi dhe një qëllim në jetë? Në DVD-në dyorëshe, Bibla: Një libër me fakte dhe profeci, trajtohet edhe kjo temë e rëndësishme dhe paraqiten intervista mjaft interesante.—Disponohet në 32 gjuhë.
Bibla fjala e Perëndisë apo e njerëzve?
A keni nevojë për më shumë prova se Bibla nuk përmban ide të gabuara dhe nuk është kontradiktore? A janë të vërteta mrekullitë që përmenden në Bibël? Shqyrtoni faktet e renditura në këtë libër me 192 faqe.—Shtypur në 56 gjuhë.
[Burimi]
Aleksandri i Madh: Muzetë Kapitolini, Romë
Çfarë mëson vërtet Bibla?
Në 19 kapitujt e këtij mjeti studimi shtjellohet çdo doktrinë e rëndësishme biblike dhe shpjegohet qëllimi i Perëndisë për tokën dhe njerëzimin.—Tani në 162 gjuhë.
Libri im i tregimeve Biblike
I përgatitur enkas për fëmijët, ky libër me ilustrime të bukura përmban 116 tregime për njerëz dhe ngjarje të vërteta, sipas radhës kronologjike.—Disponohet në 194 gjuhë.
[Burimi i figurës në faqen 15]
Monedha: Dhuratë bujare e Shoqërisë për Rindërtimin dhe Zhvillimin e Lagjes Judaike në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit
[Burimi i figurës në faqen 15]
Shoqëria për Eksplorimin e Trojeve të Izraelit dhe Antikiteteve të tij
[Burimet e figurave në faqen 16]
3: Muzeu i Luvrit, Paris; 4: Fotografi, falë mirësjelljes së Muzeut Britanik; 5: Gabi Laron/Instituti i Arkeologjisë/Universiteti Hebraik © Eilat Mazar
[Burimet e figurave në faqen 17]
6: AP Photo/Keith Srakocic; 7, 8: Fotografi, falë mirësjelljes së Muzeut Britanik
[Burimi i figurës në faqen 18]
Fotografi, falë mirësjelljes së Muzeut Britanik