Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ide e gabuar apo fakt?

Ide e gabuar apo fakt?

Ide e gabuar apo fakt?

Timoteu, një mbikëqyrës i krishterë, i këshilloi ata që donin të adhuronin Perëndinë e vërtetë, të mos u kushtonin vëmendje «ideve të pathemelta». (1 Timoteut 1:3, Byington) A vlen edhe për sot ky paralajmërim? Po, sepse idetë e gabuara për Biblën dhe për mësimet e saj i largojnë njerëzit nga adhurimi i vërtetë. Më poshtë janë disa ide të përhapura rreth Biblës. Vini re atë që thotë vetë Bibla. Kjo mund t’ju ndihmojë të dalloni ç’është e gabuar dhe ç’është fakt.

Ide e gabuar: Mrekullitë e Biblës s’mund të kenë ndodhur.

Fakt: Njerëzit kanë ende shumë për të mësuar rreth gjërave që ka krijuar Perëndia. Asnjë shkencëtar nuk mund ta shpjegojë plotësisht forcën e rëndesës, nuk mund të përkufizojë saktë të gjithë përbërësit e atomit ose të shpjegojë me saktësi çfarë është koha. «A i zbulon dot ti gjërat e thella të Perëndisë? A i zbulon dot ti caqet e të Plotfuqishmit?» (Jobi 11:7) Meqë nuk mund ta kuptojmë plotësisht krijimin, pasi është përtej aftësive tona, sot shkencëtarë të zotë maten mirë para se të thonë se diçka është e pamundur.

Ide e gabuar: Të gjitha fetë të drejtojnë te Perëndia.

Fakt: Jezui tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) Në qoftë se të gjitha fetë do t’i drejtonin njerëzit te Perëndia, a do të kishin nevojë të liroheshin anëtarët e tyre? Në të vërtetë, Jezui mësoi se janë të paktë ata që ecin në ‘rrugën që të çon në jetë’.—Mateu 7:13, 14.

Ide e gabuar: Të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell kur vdesin.

Fakt: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të. Shpreso te Jehovai dhe ndiq udhët e tij, e ai do të të lartësojë dhe ti do të trashëgosh tokën.» (Psalmi 37:11, 29, 34) Vetëm 144.000 njerëz besnikë shkojnë në qiell. Perëndia i ka caktuar «të mbretërojnë mbi tokën».—Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 4.

Ide e gabuar: «Dhiata e Vjetër» nuk vlen më për të krishterët.

Fakt: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm.» (2 Timoteut 3:16, 17) «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) «Dhiata e Vjetër», Shkrimet Hebraike, është një burim jetësor njohurie për Perëndinë e qëllimin e tij dhe hedh themelin që të besojmë te «Dhiata e Re», Shkrimet e Krishtere Greke.

Ide e gabuar: Një pjesë e mirë e librit të Zanafillës, përfshirë edhe tregimin për Adamin dhe Evën, është alegori, pra flitet me gjuhë simbolike.

Fakt: Gjenealogjia e Jezuit deri tek Adami është dokumentuar nga shkrimtari i Ungjillit, Luka. (Luka 3:23-38) Nëse Zanafilla do të ishte legjendë, atëherë në ç’pikë të gjenealogjisë mbarojnë emrat e njerëzve që kanë ekzistuar vërtet dhe nisin të ashtuquajturit emra legjendarë? Jezui, i cili kishte jetuar në qiell para se të vinte në tokë, besonte tek ajo që ishte shkruar te Zanafilla, përfshirë edhe tregimin për Adamin dhe Evën. (Mateu 19:4-6) Pra, të vësh në dyshim Zanafillën do të thotë të vësh në diskutim besueshmërinë e Jezuit, si edhe të shumë shkrimtarëve të Biblës.​—1 Kronikave 1:1; 1 Korintasve 15:22; Juda 14.